Ndërlidhjet

Paviqeviq: Serbia do rol ekzekutiv të EULEX-it


Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Dejan Paviqeviq, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pret negociata të gjata dhe të vështira në kuadër të grupeve punuese për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit. Kërkesa kryesore e Beogradit është që Dogana e EULEX-it dhe jo e Prishtinës të ketë funksion ekzekutiv.

RADIO EVROPA E LIRË
A dihet në këtë moment se si do të duken këto pika kontrolli në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës dhe në pjesët e tjera?

DEJAN PAVIQEVIQ
Kjo është një çështje për të cilën do të diskutohet në grupet punuese. Qëllimi kryesor i “linjës së integruar administrative” është të mos jetë siç ka qenë deri më tash – që kur ju kaloni njërën pikë kontrolli, dilni të themi në tokën e dikujt dhe kaloni edhe një pikë tjetër – por do të ekzistojë një pikë e përbashkët kontrolli.

RADIO EVROPA E LIRË
A dihet se do të jetë pikë e përbashkët kontrolli?

DEJAN PAVIQEVIQ
Po. Pikat e kontrollit do të ndahen bashkërisht në dy zona.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thotë kjo?

DEJAN PAVIQEVIQ
Dy zona të përgjegjësisë. Nuk mund të keni përgjegjësi të përzier, por do të keni zonë kalimi dhe brenda vetë asaj dy zona – secila palë do të ketë zonën e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, shtëpizën e vet?

DEJAN PAVIQEVIQ
Ajo nuk do të duket fare si kufi, por si pikë kontrolli. Do të ketë një rampë. Nuk do të ketë dy anë, që së pari të kaloni njërin kontroll, pastaj tjetrin.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush do të qëndrojë në atë rampë?

DEJAN PAVIQEVIQ
Së bashku do të jenë, në të dyja anët e rampës, të gjitha shërbimet që duhet të gjenden në kalimet e tilla, dogana policore, sanitare dhe veterinere.

RADIO EVROPA E LIRË
Të kujt?

DEJAN PAVIQEVIQ
Në lidhje me këtë do të flitet më tej. Do të jenë të pranishme të gjitha shërbimet tona, shërbimet e EULEX-it që qëndrojnë në ato zona – policia dhe dogana dhe, natyrisht, do të jenë të pranishme edhe organe të Prishtinës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë kapaciteti do të jenë ato?

DEJAN PAVIQEVIQ
Për këtë do të flitet. Pala jonë këmbëngul në rolin ekzekutiv të EULEX-it.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë është e diskutueshme për palën serbe?

DEJAN PAVIQEVIQ
Ka ende shumë çështje të hapura, më shumë të natyrës teknike, por të fokusohemi në zgjidhjen e rolit të shërbimit doganor të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo është pengesa kryesore për Serbinë?

DEJAN PAVIQEVIQ
Kjo është pengesa më e madhe për ne.

RADIO EVROPA E LIRË
A është problem vetëm në kalimet në veri të Kosovës, apo në të gjitha?

DEJAN PAVIQEVIQ
Ne do të këmbëngulim që EULEX-i të marrë rolin ekzekutiv në “të gjitha linjat administrative” në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, posaçërisht për veriun e Kosovës, çfarë kërkoni?

DEJAN PAVIQEVIQ
Ne do të bëjmë përpjekje të mos bëjmë dallime të tilla ndërmjet veriut dhe jugut. Megjithatë, ajo çfarë është e rëndësishme, është se në veri të Kosovës, sidomos në kalimet Jarinë dhe Bërnjak, kemi regjim të veçantë, i cili do të ngarkojë më pak banorët serbë në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thotë regjim i veçantë? Çfarë kërkon Beogradi dhe çfarë Prishtina?

DEJAN PAVIQEVIQ
Ne kërkojmë rol ekzekutiv të EULEX-it. Të gjitha procedurat doganore që do të kryhen, për të cilat duhet të bisedohet dhe të cilat duhet të jenë nën regjim të veçantë, do të kryhen nga EULEX-i. Për këtë do të ketë negociata mjaft të gjata dhe të vështira.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të nisin këto bisedime dhe kush do t’i udhëheqë ato?

DEJAN PAVIQEVIQ
Me siguri sot. Unë jam në Bruksel dhe do të bisedojmë për atë se kur do të nisë formimi i grupeve zbatuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Me kë flisni në Bruksel?

DJEAN PAVIQEVIQ
Vetëm me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
A ndodhen në Bruksel edhe përfaqësuesit e Kosovës?

DEJAN PAVIQEVIQ
Për këtë nuk jam i sigurt. Në lidhje me këtë, tani për tani, do të diskutojmë vetëm me përfaqësuesit e BE-së. Do të shohim se kur do të caktohet takimi i parë i grupit zbatues, në të cilin, natyrisht, do të jenë edhe përfaqësuesit e Prishtinës.

RADIO EVROPA E LIRË
A është formuar grupi zbatues apo duhet të formohet?

DEJAN PAVIQEVIQ
Jo. Grupet zbatuese do të veprojnë në nivele të ndryshme. Nuk e dimë se kur do të formohen. Kjo do të jetë sot temë diskutimi.

RADIO EVROPA E LIRË
A prisni që pikat e kontrollit, në pajtim me këtë marrëveshje, të shfaqen në veri të Kosovës për një muaj ose dy?

DEJAN PAVIQEVIQ
Jo, aq shpejt jo.



Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG