Ndërlidhjet

Detaje të errëta mbi filmin kundërthënës amator


Protestuesit në Teheran djegin flamurin amerikan në shenjë proteste ndaj filmit
Protestuesit në Teheran djegin flamurin amerikan në shenjë proteste ndaj filmit
Pyetje të ndryshme janë ngritur në lidhje me origjinën e filmit amator që shkaktoi protesta të dhunshme kundër amerikanëve, të cilat tani janë përhapur në Lindjen e Mesme.

Filmi “Pafajësia e myslimanëve” në fillim u raportua të jetë punë e një agjenti izraelit të patundshmërive, Sem Bacil, i cili kishte ngritur një fond prej 5 milionë dollarëve nga donatorët hebrenj.

Tani, megjithatë, duket se Bacil, mund të jetë një pseudonim për një të krishterë kopt, të lindur në Egjipt, i cili formalisht thuhet se ka drejtuar kompaninë përgjegjëse për prodhimin e filmit.

Por, Nakula Bejsli Nakula, ka mohuar se ai është Sem Bacil.

Nakula një kriminel i dënuar, që në dosje ka mashtrime të bankave, është i njohur për përdorimin e pseudonimeve të shumta, të cilat kanë për bazë emrin e tij të mesëm, Bejsli.

Stiven Klein, një njeri që e ka përshkruar veten si konsulent në film, i tha agjencisë Reuters se Bacil është në fakt një pseudonim.

Ai nuk e lidh pseudonimin direkt me Nakulën, duke thënë se nuk është i sigurt për identitetin e vërtetë të regjisorit.

“E kam takuar dy herë. Nuk e di se nga vjen. E di që nuk është hebre i Izraelit. Unë mund të supozoj se e ka krijuar atë identitet për ta mbrojtur familjen e tij, e cila, e di se jeton në Lindjen e Mesme”, tha Klein.

Grupet mbikëqyrëse e kanë lidhur me grupet ekstremiste të krishtera të krahut të djathtë, Kleinin, një ish-marins amerikan, i cili aktualisht punon në biznesin e sigurimeve. Ai hedh poshtë këtë lidhje.

Filmi ka marrë mbështetje nga predikuesi me seli në Floridë, Terri Xhons, i cili mori vëmendje ndërkombëtarë për shkak të kërcënimeve se do të digjte librin e shenjtë mysliman, Kuranin. Ai dhe një grusht ndjekësish të tij, jetësuan kërcënimet duke i djegur disa kopje të Kuranit në muajin prill.

Xhons, i cili deklaroi se e ka shfaqur “Pafajësinë e myslimanëve” në famullinë e tij, në përvjetorin e 11 Shtatorit, tha se dhuna arabe ilustron se si myslimanët “nuk kanë asnjë tolerancë për asgjë, në përjashtim të Muhamedit”.

Klein sugjeroi se shumë njerëz që qëndrojnë pas filmit “Pafajësia e myslimanëve” janë emigrantë në SHBA, që kanë ikur nga represioni prej vendeve me shumicë myslimane.

Ai tha se njerëzit që punonin në film ishin nga Siria, Pakistani, Turqia, Iraku, dhe Egjipti, dhe përfshinin “dy ose tre koptë”.

Krishterët koptë janë ballafaquar me armiqësinë në rritje në Egjipt, ku zgjedhja e një presidenti islamik ka ngritur shqetësimet në mesin e pakicave fetare të vendit.

Kisha Ortodokse koptike e Egjiptit ka reaguar shpejt duke e dënuar filmin, dhe ka kritikuar rolin e koptëve që jetojnë jashtë vendit, për të cilët u tha e kishin financuar “prodhimin e një filmi ofendues ndaj profetit Muhamed.”

Filmi me metrazh të gjatë satirik përshkruan jetën e profetit Muhamed, ku ai përshkruhet si gjysmë budalla dhe i dhënë pas grave, si dhe i gatshëm që ta keqinterpretojë Kuranin për t’ia përshtatur nevojave të tij.

Filmi ka një dialog të ftohtë e pothuaj qesharak dhe ka vlera të ulëta të produksionit.

Por, përmbajtja e tij ka zemëruar shumë myslimanë, feja e të cilëve ndalon çfarëdo përshkrimi të profetit islamik, e lërë më talljen me të.

Të martën, ambasadori i SHBA-së në Libi, Kristofer Stivens dhe tre amerikanë të tjerë u vranë në një sulm ndaj Konsullatës Amerikane në Bengazi, gjatë një proteste kundër filmit - edhe pse zyrtarët amerikanë tani po hetojnë nëse sulmi ishte një sulm i planifikuar terrorist dhe militantët e përdorën filmin si pretekst.

Klein fajësoi për sulmin “një grup të vogël ekstremistëve myslimanë”, po jo vetë filmin.

“Nëse flas me ju në lidhje me këtë film, a do të dilni dhe ta vrisni dikënd? Jo. A do ta bënin shumica dërmuese e myslimanëve këtë gjë? Një pjesë shumë e vogël e njerëzve, që në ADN, në gjene, në psikologjinë e tyre- kanë këtë sjellje të çmendur- a do të dilnin dhe të vrisnin? Po. A kam gjak unë mbi duart e mia? Jo. A e kam vrarë unë atë? Jo”, shprehet Klenin.

Filmi dyorësh thuhet të jetë shfaqur vetëm një herë në një kinema të Hollivudit, në fillim të këtij viti.

Një pjesë e filmit prej 12-minutave u shfaq më vonë në YouTube.

Por, vetëm kur u paraqit versioni arab i kësaj videoje, në javën e kaluar, u tërhoq vëmendja e protestuesve arabë.

Protestat, që filluan në Egjipt dhe Libi, janë përhapur tashmë në Jemen, Iran, Tunizi, dhe në Rripin e Gazës.

Një aktivist i krishterë kopt i Egjiptit me seli në SHBA, e ka promovuar filmin, duke shkruar për të në një blog në gjuhën arabe.

Nuk është e qartë nëse ai ishte përgjegjës për shpërndarjen e tij në mediat egjiptiane, raportimi për të cilin, shkaktoi trazirat.

Google, e cila ka në pronësi YouTube, thotë se e ka kufizuar tani qasjen në pjesët e filmit në vendet e prekura nga protestat.

Ndërkohë, shumë nga aktorët e përfshirë në filmin “Pafajësia e myslimanëve” kanë deklaruar se janë mashtruar për paraqitjen në film dhe se nuk kanë qenë të vetëdijshëm se filmi kishte për qëllim ta fyente profetin Muhamed.

Një deklaratë e një grupi, që pretendon se përfaqëson aktorët, tha se ata janë zgjedhur për të luajtur në filmin “Luftëtarët e Shkretëtirës”, të xhiruar në një kishë në Kaliforni në verën e vitit 2011, por që në skenar nuk kishte asnjë referencë të profetit Muhamed.

Disa aktorë thanë se pjesët e tyre, ishin ndryshuar nga zëra aktorësh tjerë, me qëllim të ndryshimit të dialogut në film.

Në deklaratë thuhet se aktorët dhe ekipi nuk kanë kurrfarë lidhje me filmin, dhe thanë se janë mashtruar keq në lidhje me qëllimin e filmit.(a.i.)

(Huazuar edhe nga agjencitë Reuters, AFP, dpa, AP)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG