Ndërlidhjet

New York Times: Vrasja në Bengazi


Konsullata amerikane në Libi
Konsullata amerikane në Libi
Libia dhe revolucioni i saj pro-demokratik nuk ka pasur mik më të mirë sesa Kristofer Stivens, ambasadori amerikan, i cili u vra bashkë me tre amerikanë të tjerë gjatë sulmit në konsullatën në Bengazi, shkruan e përditshmja amerikane, New York Times, e cila e quan aktin mizor që meriton dënimin më të fuqishëm.

NYT shkruan se deklarata e Obamas që dënon sulmin dhe zotimi i tij për të sjellë vrasësit para drejtësisë, ka marrë mbështete dypartiake, përfshirë edhe politikanët që përndryshe janë të përkushtuar për luftë partiake, siç është kryesuesi i Kongresit, Xhon Bohner dhe lideri i pakicës në Senat, Miç MeKonell, e të cilët shumë rrallë humbasin shansin për ta sulmuar zotin
Obama.

Por, në vend të tyre, NYT shkruan, se ishte rivali republikan për president, Mit Romni, ai i cili tregoi “mungesë të madhë të karakterit presidencial duke e përdorur vrasjen e amerikanëve në Libi si një justifikim, jo për të mos e sulmuar Obamën, por për ta bërë në atë formë, që sugjeron injorancën e rrezikshme të fakteve, ose një gatishmëri të rrezikshme për ta kthyer atë në favor të qëllimeve partiake”.

Zoti Stivens, 52 vjeçar, ka qenë i dërguar i Uashingtonit në Libi, kur u rrëzua Muamer Gadafi, vë në pah gazeta.

Ai u bë ambassador dhe duke mos pasur frikë nga rreziqet ai ka punuar në ndërtimin e partneritetit në mes të grupeve të ndryshme të vendit, dhe udhëzoi një demokraci të brishtë gjatë tranzicionit të vështirë.
Një njohës i shkëlqyer i gjuhës arabe, ai shkruan NYT e ka kuptuar thellë kulturën dhe popullin e Libisë.

Të mërkurën, administrata e Obamës tha se një grup i organizuar me mortaja dhe granata kanë shpërthyer në protestë në lidhje me një film anti-mysliman. Disa raporte mediatike sugjerojnë se pas sulmit mund të qëndrojë Al Kaida. Zyrtarët vërejtën kontrastin me Egjiptin, ku protestues të paarmatosur, të zemëruar nga video, në mënyrë spontane kanë sulmuar ambasadën dhe kanë grisur flamurin duke bërë edhe dëme tjera të vogla.

Qeverisë së lëkundur të Libisë do t’i duhet mbështetja amerikane për t’i sjellë vrasësit para drejtësisë.

Origjina e videos, që tall profetin Muhamed nuk dihet, shkruan NYT.

Ka pasur spekulime, madje edhe në lidhje me atë se kush e ka prodhuar filmin, derisa nuk është paraqitur në internet nga Morris Sadek, një i krishterë kopt i Egjiptit, aleat i Terri Xhonsit, pastori i Floridës, kërcënimi të cilit se do të djegë kopjet e Kuranit pat nxitur tarzira ta dhunshme në Afganistan në vitin 2010 dhe 2011.

Sado që të jetë ofenduese videoja, ajo nuk justifikon dhunën ne Bengazi dhe në Kajro.

Por, Xhons dhe Sadek, apo kushdo që ta ketë bërë atë film, në fakt i kanë dëmtuar interesat e SHBA-së dhe parimin e saj themelor të respektimit të besimeve.

“Gjëja më e keqe për SHBA-në do të ishte tash që t’ia kthejë krahët përkushtimeve në Libi dhe në Egjipt, shtete këto që po përpiqen që të ndërtojnë shoqëri të reja stabile”, shrkuan NYT.

Një numër i rojeve libiane vdiqën duke i shpëtuar amerikanët dhe liderët libianë i dënuan vrasjet dhe premtuan se do të punojnë për të kapur përgjegjësit. Liderët egjiptianë, në mënyrë të pashpjegueshme, nuk e kanë ndjekur këtë hap, vë në pah, NYT.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG