Ndërlidhjet

Nis etapa e mundësive


Konferenca ndërkombëtare “Kaptinë e mbyllur në Ballkan”
Konferenca ndërkombëtare “Kaptinë e mbyllur në Ballkan”


Me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës po hapet një kapitull i mundësive të reja për vendin. Ishte ky mesazhi i përbashkët i fjalimeve që zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ndryshëm botërore mbajtën në konferencën ndërkombëtare “Kaptinë e mbyllur në Ballkan”.

Në konferencën, që u zhvillua në Prishtinë një ditë pasi iu dha fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, u fol për arritjet që vendi ka bërë përgjatë më shumë se katër viteve të ekzistimit si shtet dhe sfidave me të cilat do të përballet në etapën e ardhshme.



Pjesëmarrësve të konferencës iu drejtua përmes një video-linku edhe ish-presidenti amerikan, Bill Klinton.

Ai tha se fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare është një hap kyç për Kosovën dhe i ofron asaj një mundësi për të gjetur rolin e saj në rajon, Evropë dhe në botë.

Derisa po lëvizni drejt sfidave dhe mundësive në sferën e jashtme- përfshirë ato me Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Serbinë,dhe në aspektin e brendshëm për të ndërtuar një shtet me më shumë mundësi dhe përfitime të përbashkëta për të gjithë, shpresoj se e dini që keni shumë miq që ju urojnë që ju të keni sukses”, tha Klinton.

Raportet e ardhshme të Kosovës me Serbinë dhe Bashkimit Evropian ishin pjesë qendrore e fjalimit të njeriut, plani i të cilit i publikuar në 2007-ën do të shërbente më vonë si bazë për shtet-ndërtimin e Kosovës.

Ish-i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, theksoi rëndësinë për arritjen e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke thënë se ky proces arrihet përmes ndryshimit të sjelljeve dhe qasjes të popujve dhe udhëheqësve të të dyja vendeve.

Diplomati finlandez tha se Bashkimi Evropian paraqet një mundësi të mirë për arritjen e paqes, ndërsa e cilësoi të pashmangshëm integrimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

Kosova është këtu dhe Bashkimi Evropian duhet ta përfshijë atë në masat e saja politike dhe ekonomike. Nëse nuk bëhet kjo, do të mbetet një problem permanent për themelet e rajonit evropian”, u shpreh ai.

Që kur shpalli pavarësinë në shkurt të 2008-ës Kosova është njohur nga 22 shtete anëtare të BE-së, por Spanja, Qiproja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania kanë refuzuar, deri më tani, ta njohin vendin si subjekt të pavarur në arenën ndërkombëtare.

Ahtisaari theksoi rëndësinë për fuqizimin e politikave të jashtme të BE-së. Ai e quajti të padobishëm një Bashkim Evropian që do të ishte i unifikuar vetëm në çështjet e brendshme dhe i ndarë në çështjet diplomatike.

Pjesë e diskutimeve në konferencën e së martës ishin edhe problemet aktuale me të cilat ballafaqohet Bashkimi Evropian në kohën e krizës financiare.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker, vlerësoi se problemet ekonomike janë shqetësimi kryesor- jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin.

Ai shprehi nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE, ndërsa e përmendi sundimin e plotë të ligjit si parakusht për rritjen ekonomike.

Sundimi i ligjit është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik...Ndërmarrjeve të ndryshme u nevojitet të kenë siguri për investime dhe për këtë është i nevojshëm respektimi i plotë i ligjit”, tha Riker.

Për sundim të ligjit, megjithatë, nuk mund të flitet në pjesën veriore të Kosovës ku, edhe 13 vite pas luftës, nuk ndihet pushteti i Prishtinës zyrtare.

Pjesa dërrmuese e serbëve të veriut vazhdon ta refuzojë kategorikisht autoritetin shtetëror të Kosovës duke mbajtur të gjalla strukturat paralele serbe që thuhet se veprojnë nën direktivat e Beogradit.

Problemi i veriut pritet të jetë temë qendrore e dialogut politik ndërmjet Kosovës e Serbisë që vlerësohet të ketë për qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet palëve drejt integrimit evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG