Ndërlidhjet

Ekonomia në Maqedoni: Vendi shkon kah recesioni


Ilustrim
Ilustrim
Ekonomia e Maqedonisë ndodhet para një sfide të madhe, nëse qeveria nuk reagon shpejt për mëkëmbjen e ekonomisë, vendi me hapa të sigurt shkon kah recesioni, ka thënë Këshilli Drejtues i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, duke propozuar njëherazi dhe një listë të masave anti-krizë për t’i dhënë një impuls më të madh bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi.

Menderes Kuçi, kryetar i OEMVP, si çështje më emergjente e fokuson mos likuiditetin e borxhit të shtetit ndaj ndërmarrjeve private.

Kuçi konstaton se borxhi shtetëror në bazë të obligimeve të marra në emër të kontratave të shërbimeve dhe punimeve, ka arritur shkallën alarmante.

Problemi kyç që mban peng zhvillimin e ekonomisë edhe në këto kushte të vështira të krizës është mos likuiditeti, i cili pastaj reflekton dhe në mos likuiditetin e ndërsjellë të kompanive brenda shtetit. Kështu që, si masë e parë emergjente është që shteti të sheh mënyrën e mbushjes së arkës shtetërore, por njëherësh seriozisht të mendojë se cilat janë nevojat më emergjente për qytetarët, dhe atje të fokusojë kthimin e taksave përmes investimeve kapitale”, thekson Kuçi.

Ai shton se autoritetet shtetërore me urgjencë duhet të angazhohen për gjetjen e mjeteve financiare për investime kapitale në fushën e infrastrukturës, si dhe funksionimin e zonave të lira ekonomike, duke hequr tërësisht dorë nga investimet jokapitale, siç është projekti “Shkupi 2014”.

Është koha e fundit që shteti seriozisht të fillojë të mendojë se ku duhet të investojë ato para që i kanë mbledhur nga taksapaguesit. Nëse duam të zhvillojmë një shtet me ekonomi të zhvilluar janë objektet infrastrukturore të cilat edhe ashtu i mungojnë vendit”, thotë Kuçi duke nënvizuar se këto masa janë pranuar edhe nga lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se situata e rëndë ekonomike më nuk mund të kamuflohet përmes vellos së problemeve politike, veçanërisht ata me karakter ndëretnik.

Sipas Ilia Acevskit, është gjithnjë e më shumë në rritje revolta e qytetarëve ndaj uljes së standardit të jetesës që janë duke u shprehur kohën e fundit përmes protestave të qytetarëve ndaj shtrenjtimit të energjisë elektrike, karburanteve dhe ngrohjes qendrore.

Maqedonia hyn në një situatë krize, ngase janë konsumuar të gjitha shpresat se pas proceseve zgjedhore situata në planin ekonomik do të përmirësohet. Ata e kanë kuptuar se vështirë lëvizin gjërat nga pika zero ku është zhytur vendi në planin ekonomik”, shprehet Acevski, duke shtuar se kjo bën që qytetarët të mos u besojnë institucioneve.

Nëse institucionet nuk janë ata të cilat me masat e duhura arrijnë t’i zgjidhin problemet, është më se e arsyeshme që edhe në rezultatet që bëjnë institucionet përkatëse del një shkallë e lartë e qytetarëve të zhgënjyer sa i përket të ardhmes së tyre në këtë shtet”, thekson Acevski.

Ndryshe që nga fillimi i këtij muaji, në Maqedoni është aplikuar instrumenti “dëftesa e borxhit”, përmes së cilit kompanitë private do të mund t'i paguajnë kërkesat në raportet debitore-kreditore.

Kjo masë është vendosur me kërkesë të afaristëve për instrument të ri, efikas për pagesë të kërkesave, i cili synon të kontribuojë në uljen e obligimeve të papaguara si dhe të përmirësojë moslikuiditetin e ekonomisë në Maqedoni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG