Ndërlidhjet

Festë dhe pesimizëm para 10 shtatorit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdoi t’iu bëjë thirrje subjekteve kryesore politike që ta mbështesin miratimin e pakos kushtetuese - ligjore për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Ndërkohë që vazhdon ta mbështesë edhe vazhdimin e pranisë së misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.

Para kabinetit të tij qeveritar, kryeministri Thaçi tha se pret që Kuvendi i Kosovës të premten të mbështesë me një rezolutë letër-këmbimin ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi me baroneshën Ketrin Eshton për vazhdimin e punës së misionit të EULEX-it.



Ne po përmbyllim me sukses të plotë këtë periudhë. Është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe historike për shtetin tonë, që do të sigurojë edhe më tepër paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal, e mbi të gjitha do të hapë një perspektivë të sigurt konkrete evropiane për Republikën e Kosovës. Dëshiroj t’ju falënderoj juve të gjithëve, por edhe deputetët që do t’i japin mbështetje këtij procesi të premten dhe të hënën”, ka thënë Thaçi.

Ai tha se të hënën me ftesë të qeverisë së Kosovës në Prishtinë do të qëndrojnë edhe tre përfaqësuesit ndërkombëtar që ishin të angazhuar në zgjidhjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisari, Albert Rohan e Frenk Visner.

Vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe pas 10 shtatorit, kur pritet të përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë dhe shuhet Zyra Civile Ndërkombëtare, e kanë mbështetur edhe dy subjekte opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja.

Shefi i grupit më të madh opozitar në Kuvend, atij të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se përmbyllja e mbikëqyrjes paraqet një moment të rëndësishëm, por sipas tij, nuk ka shumë vend për festë pasi që Kosova ka shumë probleme që kërkojnë adresim dhe zgjidhje.

Ne do ta përkrahim vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Kurse më 10 shtator, nuk duhet të ketë farë ekzaltimi edhe atmosferë aq të madhe festive, sepse ky vend do të vazhdojë me këto probleme që i ka. Do të vazhdojë me shkallën e lartë të korrupsionit, mungesën e sundimit të ligjit, të zhvillimit ekonomik, krimit të organizuar, të gjitha këto do të mbesin. Edhe që shkojnë ndërkombëtarët ky vend ka probleme të mëdha, prandaj nuk ka shumë vend për festë”, është shprehur Beqiri.

Subjekti i vetëm parlamentar që vazhdon ta kundërshtojë praninë e EULEX-it është Lëvizja Vetëvendosje.

Prania e misionit të BE-së me kompetencat ekzekutive, nga Vetëvendosje shihet si cenim i sovranitetit të Shtetit të Kosovës.

Deputeti nga radhët e kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca, tha se presidentja Atifete Jahjaga me letër ftesën e saj për qëndrimin e EULEX-it në Kosovë edhe pas fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë, ka bërë shkelje të Kushtetutës duke e cenuar sovranitetin e vendit.

Në letrën e saj, Jahjaga menjëherë pas përmendjes së përmbylljes së pavarësisë, e fton EULEX-in që të vazhdojë me kompetencat e veta ekzekutive mbi institucionet e Kosovës, duke e mohuar kështu automatikisht përmbylljen e pavarësisë së Kosovës”.

Jahjaga po e thërret një EULEX që është neutral ndaj statusit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Jahjaga e ka shkelë Kushtetutën. Presidenti duhet të jetë garant i Kushtetutës, jo shkelës i saj. Presidenti duhet t’i dalë në mbrojtje të drejtës së shtetit të Kosovës për sovranitet të plotë, e jo misioneve që e kufizojnë këtë sovranitet”, ka thënë Konjufca.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar që përbëhet nga Shtetet e bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia, ka miratuar fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, duke konstatuar kështu se Kosova ka përmbushur obligimet e marra me zbatimin e planit të Ahtisarit, si marrëveshje dhe zgjidhje për statusin e pavarur të Kosovës.

Ky plan nuk ka arritur të zbatohet në veri të Kosovës, ku strukturat e atjeshme politike serbe kanë kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve shtetërore të Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG