Ndërlidhjet

Maqedoni: Protesta kundër ngritjes së çmimeve


Protesta në Maqedoni
Protesta në Maqedoni
Protestave të qytetarëve në shumë qytete të Maqedonisë, përfshirë edhe Shkupin, me moton “mjaft është” kundër valës së shtrenjtimit të energjisë elektrike, ngrohjes qendrore dhe karburanteve, para komisionit shtetëror rregullator, të udhëhequr nga iniciativa qytetare AMAN, të martën i është bashkangjitur dhe sindikata e drejtorisë së organeve legjislative dhe ajo puntorëve nga firmat e falimentuara.

Përfaqësuesit e iniciativës qytetare AMAN, thonë se janë të kënaqur nga jehona e protestuesve, por ndihen të indinjuar nga heshtja e institucioneve përkatëse, të cilave u janë dërguar kërkesat e tyre.

Aleksandar Goçev, nga kjo iniciativë, thotë se ata i kanë dorëzuar kërkesë edhe komisionit për ekonomi, në kuadër të Parlamentit të Maqedonisë që të shqyrtojë vendimet e komisionit rregullator për shtrenjtimet e fundit si dhe të analizohet metodologjia në bazë së cilës formohen çmimet e energjisë elektrike, ngrohjes qendrore dhe karburanteve.

Nëse do të marrim përgjigje, për këtë do të vendosë komisioni i ekonomisë në kuadër të Parlamentit, brenda 15 ditëve. Në rast se injorohet kërkesa ynë, atëherë në nuk do t’i ndalim protestat, por do të jemi edhe më këmbëngulës në atë që kërkojmë kuptohet duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat e shtetit juridik”, është shprehur Aleksandar Goçev nga iniciativa qytetare AMAN.

Ai, me këtë rast ka përsëritur kërkesën për kthimin e tarifës së lirë ditore të rrymës, të kthehet çmimi i saj nga periudha e vitit 2008, por edhe që të hiqet shkalla e angazhimit të fuqisë prej 33% në faturat e rrymës.

Iniciativa qytetare AMAN njëherazi kërkon kthimin e çmimit të ngrohjes qendrore në nivelin e vitit 2008, tërheqjen e rregullores së re të kompanisë së Shkupit “Toplifikacija”, dhe uljen e çmimeve të karburanteve, në përputhje me standardin e jetesës.

Ndërkohë, nga Komisioni rregullator për energjetikë, thonë se janë duke i shqyrtuar kërkesat e protestuesve, por një pjesë e tyre janë destinuar në adresë të gabuar.

Ne si Komision Rregullator për Energjetikë, kemi ndërmarrë disa veprime të caktuara ndaj kërkesave që janë parashtruar nga ana e konsumatorëve që protestojnë kundër çmimeve të reja, qoftë për rrymën elektrike, gazin natyror apo derivateve të naftës. Mirëpo, qëndrimi ynë është se në kuadër të këtyre kërkesave ka edhe disa çështje që nuk duken të arsyeshme. Siç është çështja e naftës dhe derivateve të naftës. Në këtë drejtim Komisioni Rregullator për energjetikë nuk mund të bëjë asgjë, ngase çmimet nuk varen nga komisioni, por aneksi D i kontratës së shitblerjes së kopanisë për përpunimin e derivateve të naftës OKTA”, thekson Ruhi Bakiu, anëtar i komisionit.

Ndryshe, pas thirrjeve nga ana e iniciativës qytetare AMAN, që protestave t’iu bashkëngjiten edhe degët e sindikatave që janë pjesë e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, kryesia e sindikatës së Maqedonisë ka parapëlqyer të heshtë duke mos dhënë asnjë deklaratë.

Ndërkohë, gjatë shtatorit është paralajmëruar dhe shtrenjtimi i drurit për djegie si shtrenjtimi i disa prodhimeve esenciale ushqimore si pasojë e shtrenjtimit të rrymës dhe derivateve të naftës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG