Ndërlidhjet

Shulz: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi përmes njohjes së ndërsjellë


Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Shulz
Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Shulz
Bashkimi Evropian ka porositur shefin e qeverisë së Serbisë Ivica Daçiq, se dhënia e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE do të varet dukshëm nga normalizimi i raporteve me Kosovën, ndërsa vetë anëtarësimi edhe nga njohja e Kosovës në një të ardhme.

Daçiq këtë porosi së pari e mori nga presidenti i Këshillit Evropian Herman Von Rompej, e më pas edhe në mënyrë më të qartë nga presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulz.

Presidenti i BE-së tha se e mbështet Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, që një ditë kur të përmbushen kushtet e njohura mirë, edhe Serbia të bëhet anëtare e BE-së.

“Një përmirësim i dukshëm dhe i qëndrueshëm i raporteve me Kosovën mbetet kërkesë kyçe për hapin e ardhshëm të nisjes së negociatave për anëtarësim”, ka thënë Von Rompej, duke shtuar po ashtu se kusht është edhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, e në veçanti marrëveshja për pikëkalimet.

“Duhet të gjindet një zgjidhje edhe për situatën e ndryshueshme në veri të Kosovës, një zgjidhje që do të përmirësonte jetën e njerëzve atje, prandaj unë iu bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë presidenti i BE-së.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se në përputhje me konkluzat e BE-së, Serbia është e gatshme që të vazhdojë dialogun sa i përket Kosovës. Ai tha se qeveria e tij nuk i vë në dyshim marrëveshjet që janë arritur deri më tash në Bruksel.

“Siç kemi parë, para dy ditësh qeveria ka dhënë instruksione lidhur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Serbisë në takimet rajonale dhe mënyrën e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të organeve të pushtetit nga Prishtina”, ka thënë Daçiq.

Por, mysfairët nga Serbia duket se janë gjetur të befasuar me disa deklarata të qarta të presidentit të Parlamentit Evropian, Martin Shulz, i cili ka përmendur edhe njohjen e Kosovës si kusht për anëtarësim në BE.

“Ne synojmë që në fund të arrijmë qëllimin që t’i mundësojmë Serbisë të bëhet anëtare e BE-së duke përmbushur të gjitha kriteret dhe krejt qartë raportet paqësore dhe të qëndrueshme mes dy shteteve. Ky është qëllimi ynë. Ta arrijmë këtë për momentin është shumë vështirë, por jo edhe e pamundur”, ka thënë presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulz.

“BE-ja dhe Herman van Rompej e dinë fort mirë dhe kanë problemet e brendshme, disa anëtarë tanë nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por, e tërë BE-ja është duke kërkuar nga Serbia që ta njohë Kosovën”, ka thënë Shulz, për të theksuar se edhe BE duhet të kryejë detyrat e saj.

“Pra është lehtë të kuptohet se kjo është njëra nga çështjet më të vështira dhe delikate për të dyja anët në këtë moment”, ka thënë Shulz.

Ai ka bërë të qartë se në afat të gjatë njohja e ndërsjellë e dy shteteve është kusht për integrim në BE.

Daçiq gjatë qëndrimit në Bruksel u takua edhe me shefen e diplomacies ervopiane, Kethrin Eshton dhe me Komisionerin për Zgjerim, Shtefan Fyle, ku u diskutua për përgatitjet për ngritjen e dialogut në nivel më të lartë politik me Kosovën, për çka Serbia ka shprehur gatishmëri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG