Ndërlidhjet

Thirrje për respektim marrëveshjesh


Flamuri i Kosovës
Flamuri i Kosovës
Marrëveshja ndërmjet liderëve politikë në lidhje me reformat zgjedhore e kushtetuese, nuk ishte e gabuar, por ajo nuk u respektua, ka deklaruar të hënën kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ai u ka bërë thirrje partive kryesore politike që të mësohen me respektimin e marrëveshjeve. Duke qenë se e njëjta marrëveshje ishte fuqizuar edhe me rezolutë nga ana e Kuvendit, ajo nuk ka mundur të jetë e dëmshme, ka thënë Krasniqi.

Një marrëveshje që pastaj ka rezultuar me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës nuk do ta quaja të gabueshme, por vërtetë, politika në Kosovë duhet të mësohet t’i respektojë marrëveshjet dhe dokumentet që miratohen në Kuvendin e Republikës”, ka thënë Krasniqi.

Pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese se marrëveshja ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së e ndërmjetësuar edhe nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, se ajo ishte anti-kushtetuese, sidomos në pikën që parashihte shkurtimin e mandatit të presidentes, LDK vendosi që të braktiste punën e komisioneve ad-hok për reformat kushtetuese e zgjedhore.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri mendon se ishte pak sa i pakuptimtë interpretimi i Gjykatës Kushtetuese se marrëveshja ishte jo kushtetuese, kurse zgjedhja e presidentes Atifete Jahjaga, që ishte produkt i asaj marrëveshjeje, të jetë kushtetuese.

Beqiri thotë se LDK nuk do të kthehet në punën e komisioneve përderisa marrëveshja të mos respektohet, ku mes tjerash, parashihet që presidentja Jahjaga të lëshojë postin dhe t’u hapë kështu rrugën zgjedhjeve të para presidenciale në vend.

Ajo (presidentja) po rrezikon dhe veç ka filluar të mos shpreh më unitetin e qytetarëve të Kosovës. Nuk mund të thuash që marrëveshja, apo një pjesë e saj paska qenë anti-kushtetuese, sepse kjo i bie atëherë që edhe presidentja qenka në mënyrë anti-kushtetuese e zgjedhur. Çka ne nuk e konsiderojmë që është kështu. Por, në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese ka edhe konotacione politike e veçmas ai margaritari që qytetarët, populli po dëshiron që presidentja të qëndrojë deri në fund të mandatit”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pret që subjektet politike t’i lënë anash polemikat dhe t’i përfundojnë reformat, sidomos ato zgjedhore. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini thotë se nevoja për këto reforma rrjedh nga procesi i fundit i manipuluar zgjedhor dhe jo nga një marrëveshje që kanë nënshkruar tri partitë politike.

Nevoja për ndryshimin e kodit zgjedhor rrjedh prej faktit se zgjedhjet e fundit janë manipuluar brutalisht dhe partitë politike kështu duhet ta kuptojnë nevojën e ndryshimit të këtij kodi dhe jo për shkak të një marrëveshjeje që ka ndodhur”, ka deklaruar Gjini.

Nisur nga mosmarrëveshjet, sidomos në relacionet PDK- LDK, kryeparlamentari Jakup Krasniqi mendon se nuk mund të pritet që bllokada e krijuar për vazhdimin e reformave kushtetuese e zgjedhore të tejkalohet në Kuvendin e Kosovës dhe u ka sugjeruar partive dhe liderëve të tyre që të merren vesh se si do të vazhdohet tutje me këto reforma.

Politikën në parlament e bëjnë grupet politike dhe nëse partitë politike nuk kanë funksionuar dhe nuk i marrin mirë vendimet e tyre, parlamenti ka vështirësi të funksionimit,. Parlamenti do të vë në rend të ditës çdo gjë që grupet parlamentare merren vesh mes vete”, ka thënë Krasniqi.

Largimin e LDK-së nga komisionet për ndryshimin e Kushtetutës dhe atë për reformat zgjedhore, kryeministri Hashim Thaçi e kishte cilësuar si bllokues, të dëmshëm dhe të pa menduar mirë.

Përderisa LDK-ja dhe lideri i saj Isa Mustafa kanë fajësuar Thaçin dhe PDK-në se kanë devijuar nga marrëveshja dhe po bllokojnë procesin e reformave.

Ndryshe, reformat zgjedhore janë një nga pesë kriteret që Komisioni Evropian ka parapa që Kosova duhet t’i plotësoj në kuadër të studimit të fizibilitetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG