Ndërlidhjet

Vërsulja për naftën në Arktik


Aktivistët e Greenpeace
Aktivistët e Greenpeace
Derisa shtresat e akullit në Arktik po shkrihen këtë verë në nivelin më të ulët të shënuar ndonjëherë, kompanitë e naftës po nxitojnë që përmes rrugëve të hapura rishtazi për transportin e anijeve të eksplorojnë zonat e pashkelura për mundësitë e shpimeve të reja.

Një degë e gjigantit rus të kontrolluar nga shteti, Gazprom, këtë muaj ka ngritur platformën e parë fikse në Arktik. E vendosur në detin Barenc, ajo synon të bëjë shpime për gjatë tërë vitit dhe ta dërgojë naftën e papërpunuar në qytetin verior të Murmanskit.

Kjo ka bërë që Greenpeace të protestojë në javët e kaluara, ku aktivistët kanë formuar një zinxhir njerëzor pranë anijeve transportuese në platformën e naftës duke tërhequr vërejtjen për rrezikun e shpimeve në ujërat e akullta.

Në mes tyre ishte edhe drejtori ekzekutiv i Greenpeace, Kumi Naido, i cili i tha Reuters-it se protestat tërheqim vëmendjen për faktin se nuk është e mundur të ketë derdhje të pastër të naftës nga Arktiku.

Kjo është një përpjekje paqësore nga ne si Greenpeace në përpjekje për t’i thirrur arsyes dhe për të ndaluar kompanitë si Gazprom, Shell e të tjera nga shpimi në Arktik, që të rishikojnë dhe të kuptojnë pasojat e atij veprimi që do të shkatërronte të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve tanë”, tha Naido.

Fizikanti i oqeaneve Peter Uadams, kreu i Grupit Fizikant të Oqeanit Polar në Universitetin e Kembrixhit, thotë se dëmi mjedisornga një derdhje e naftës në Arktik, si ajo e BP-së në vitin 2010, për dekada të tëra do të mbetej si një lloj “sanduiçi i përbërë nga akulli dhe nafta”.

Nëse ndodh diçka si në Gjirin e Meksikës - një goditje nga shtrati i detit – derisa akulli në det lëviz lart, atëherë nafta dhe gaziprodhojnë një shtresë të naftës në pjesën e poshtme të akullit. Pastaj një shtresë tjetër e akullit rritet nën naftë dhe kemi një lloj të sanduiçit. Pra, nga kjo do të pasojë një zonë e madhe e akullit, por që në të vërtetë ka të fshehur në vete naftën. Kërkimet tregojnë se nafta do të paraqitet në verë, kur akulli fillon të shkrihet. Nafta del në sipërfaqe dhe lirohet në mjedis duke i ruajtur elementet toksike të saj”, thotë Uadams.

Për të bërë gjërat edhe më të vështira, shprehet Uadams, metoda e përdorur për pastrimin e Gjirit të Meksikës nuk mund të përdoret në Arktik, sepse nuk “dihet ndonjë metodë se si të hiqet nafta nga akulli”.

Rreth 30 për qind të sipërfaqes së tokës, në të cilën ende nuk janë kryer hulumtime për naftë dhe depozita të gazit natyror, gjendet në Arktik.

Vitin e kaluar, Statoil e Norvegjisë dhe Total i Francës bënë zbulimet e para komerciale të naftës dhe gazit në detin Barenc për më shumë se një dekadë.

Këtë vit, Royal Dutch Shell është duke u përpjekur që të shpojë dy puse eksploruese - një në verilindje të Detit Bjufort të Alaskës dhe një tjetër në detin Çiukçi mes Alaskës dhe Siberisë. Deri në fund të vitit 2013, Shell shpreson të përfundojë 10 puse të reja në ujërat arktike.

Arktiku rus mbetet kryesisht i paeksploruar, me informacionet gjeologjike nga rajoni që datojnë nga epoka sovjetike.

Por, qeveria ruse po ndërmerr hapa për të ndihmuar kompanitë e kontrolluara nga shteti Rosneft dhe Gazprom për gjurmime për naftë dhe gaz natyror në det të hapur në Arktik.

Në prill, pas një vendimi lehtësues të qeverisë, Rosneft dhe ExxonMobil zbuluan një partneritet eksplorues që kërkon të zhvillojë tri fusha arktike me 15 platforma detare, që do të ndërtohen në ujërat arktike të detit Kara në veri të Siberisë.

Vladimir Rozhankovski, kreu i kërkimeve në Nord Capital në Moskë tha se eksplorimi për naftë në Arktik është jetik për Rusinë, me qëllim që ta ruajë statusin si një nga prodhueset më të mëdha të naftës në botë.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG