Ndërlidhjet

Thaçi e Mustafa fajësojnë njëri-tjetrin për bllokim të reformave


Hashim Thaçi e Isa Mustafa në konferencë me gazetarë pas arritjes së marrëveshjes
Hashim Thaçi e Isa Mustafa në konferencë me gazetarë pas arritjes së marrëveshjes
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar të shtunën partinë më të madhe opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, që të rikthehet dhe të marrë pjesë në punën e komisioneve për reformat kushtetuese dhe zgjedhore për të “mos e bllokuar procesin”.

Ndërsa po merrte pjesë në përurimin e një rruge në fshatin Leskovec të komunës së Prizrenit, Thaçi ka deklaruar se çështja e mandatit të presidentes Atifete Jahjaga është qartësuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se ky vendim tash nuk mund të sfidohet.

“Partitë politike dhe asnjë lider politik nuk mund ta sfidojë vendimin e institucioneve të pavarura. Tekefundit vetë kjo parti e ka kërkuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese dhe tash si vendim i gjykatës është një realitet, por ne duhet të gjejmë mënyrat, format dhe mundësitë e bashkëpunimit, sepse është në interesin e shtetit ta përmbyllim procesin e reformave dhe se një parti e vetme nuk do të mund t’i bllokojë reformat demokratike të ecjes përpara të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka ftuar LDK-në që të rikthehet në procesin e reformave, duke vlerësuar se vendimi për dalje nga komisionet ishte i ngutshëm dhe i pa studiuar mirë.

“Këto katër vjet e gjysmë kemi punuar bashkërisht për implementimin e Planit të Ahtisarit. Bota pret nga ne, nga Kosova, nga gjithë spektri politik mençuri, urtësi dhe unitet politik dhe qytetar”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka thënë se nuk “është në interesin e asaj partie (LDK-së) që të mbetet e veçuar dhe bojkotuese e procesit”.

Derisa Thaçi ka kritikuar LDK-në për bojkot dhe bllokim të reformave kushtetuese e zgjedhore, edhe lideri i opozitës, Isa Mustafa, kishte adresuar dy ditë më herët kritika të ngjashme, por të cilat i drejtoheshin kryeministrit Thaçi dhe partisë së tij, Partisë Demokratike të Kosovës, si bllokuese e reformave.

Mustafa i kishte arsyetuar kritikat e tij me faktin që PDK-ja dhe Thaçi nuk po e respektojnë dhe zbatojnë marrëveshjen e nënshkruar nga liderët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së(Aleanca për Ardhmëirnë e Kosovës) , e cila më pas ishte fuqizuar edhe përmes një rezolute të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Kjo marrëveshje, përveç reformave kushtetuese e zgjedhore, mes tjerash parashihte edhe një mandat prej një viti e gjysmë për presidenten aktuale, në mënyrë që më pas vendi të shkonte në zgjedhjet e para presidenciale.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e kishte interpretuar këtë marrëveshje si jokushtetuese, andaj Jahjaga tani ka deklaruar se mandati i saj do të jetë i plotë, pesëvjeçar.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Thaçi tani e thonë hapur se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese përderisa LDK-ja kërkon respektimin e plotë të marrëveshjes së liderëve, ose kërcënon se do ta bllokojë edhe procesin e nisur të reformave përmes komisioneve ad-hoc të formuara nga Kuvendi i Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG