Ndërlidhjet

Përse Gjermania e ndihmoi Bjellorusinë gjatë sanksioneve?


Ilustrim
Ilustrim
Bashkimi Evropian thotë se dëshiron ta dijë se përse policia gjermane kishte vazhduar programin e stërvitjes së forcave të sigurisë së Bjellorusisë, disa muaj pasi BE-ja kishte vendosur sanksione kundër këtij vendi, për shkak të goditjes ndaj protestuesve opozitarë.

Kështu, kjo çështje po shndërrohet në një stuhi politike ndërmjet Brukselit dhe Berlinit.

Bashkimi Evropian kishte imponuar sanksione të ashpra kundër Bjellorusisë, në janar të vitit 2011, për ta dënuar goditjen e qeverisë së këtij vendi ndaj partive opozitare.

Megjithatë, programi i trajnimit të policisë së Gjermanisë, që kishte filluar në vitin 2008, vazhdoi edhe për tetë muaj pasi Brukseli ndërmori sanksione ndaj Minskut.

Marcin Grajevski, zëdhënës i Parlamentit Evropian, thotë se kjo duhet të shpjegohet.

Është lajm shumë befasues. Ai duhet të shpjegohet, të qartësohet. Ne duhet të krijojmë fakte dhe ata që janë përgjegjës do të duhej të thoshin se çka ka ndodhur në të vërtetë”, tha Grajveski.

Trajnimi, që përfshinte ushtrimin e policisë së Bjellorusisë me teknikat e kontrollit të trazirave, është veçanërisht kundërthënëse pasi ka vazhduar me gjithë brutalitetin e policisë bjelloruse ndaj protestuesve, një ditë pas rizgjedhjes së presidentit Aleksader Llukashenka, në dhjetor të vitit 2011.

Policia e Bjellorusisë kishte përdorë shkopinj dhe granata tymi, me ç’rast ishin lënduar disa njerëz dhe ishin arrestuar afro 600 vetë.

Zëdhënësi i Ministrisë së brendshme gjermane, Filip Spausçus, i tha Radios Evropa e Lirë, se programi i trajnimit është diçka që BE-ja e kishte miratuar para pesë vitesh, kur marrëdhëniet ndërmjet Evropës dhe Bjellorusisë ishin përmirësuar.

Të ashtuquajturit kufijtë e jashtëm të BE-së kanë lëvizur kah lindja dhe kjo kishte ndodhur kur ishte bërë plani për të bashkëpunuar me Bjellorusinë, në sektorët e policisë kufitare dhe imigrimit ilegal. Përfundimisht, ishte vendim i përbashkët i zyrtarëve të sigurisë së BE-së, por, po ashtu, në masë të madhe edhe nga qeveria e Gjermanisë, Zyra Kriminale Federale e Policisë, për stërvitjen e zyrtarëve policorë të Bjellorusisë në Gjermani dhe, po ashtu, në Bjellorusi”, tha Spausçus.

Sipas tij, edhe vendet e tjera evropiane ishin të involvuara në programin e stërvitjes. Por, megjithatë, atij nuk i kujtohet se cilat ishin ato vende dhe në cilat fusha kishin udhëhequr trajnime.

Mbetet, po ashtu, e paqartë se kush e kishte miratuar programin e trajnimit.

Këshilli i Bashkimit Evropian, që është një presidencë kolektive e BE-së, tha se nuk ka ditur për këtë gjë, ndërsa Komisioni Evropian, organ ekzekutiv i BE-së, tha se duhet të zhvilloj hetime para se të jepte ndonjë përgjigje përfundimtare.

Zyrtarë të Komisionit i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ata po i kontrollojnë dokumentet e tyre për të parë nëse programi i stërvitjes së policisë ishte në mesin e masave të miratuara në “nivelin e grupit të punës”, kur raportet e BE-së me Bjellorusinë, në vitin 2008, duket se po përmirësoheshin.

Skandali lidhur me programin e trajnimit kishte shpërthyer në fillim të këtij muaji në formën e një kundërthënie politike në Gjermani, kur shefi i policisë federale, Matias Segar, i kishte hedhur poshtë akuzat se policia kishte lidhje të dyshimta me Bjellorusinë.

Ai ka theksuar se kontaktet e policisë gjermane me Minksun kishin përfunduar para dy vitesh dhe se të vetmet kontakte të mbetura ishin ato me patrullat kufitare bjelloruse.

Por, në përgjigje të një hetimi lidhur me operacionet e policisë jashtë vendit nga Partia e Majtë opozitare, qeveria zbuloi se trajnimi i oficerëve të policisë së Bjellorusisë, kishte vazhduar deri aty kah fundi i vitit të kaluar.

Shefi i policisë federale, Matias Segar, menjëherë ishte liruar nga detyra e tij, për shkaqe që mbesin të paqarta.

Policia e Gjermanisë thotë se programi kishte për qëllim promovimin e vetëdijes në mesin e forcave të sigurisë së Bjellorusisë për demokraci dhe sundim të ligjit.

Më tutje, siç shpjegon zëdhënësi i Ministrisë së brendshme gjermane, Spausçus, kjo ministri i përgënjeshtron disa raporte të gazetave se qeveria e Gjermanisë nuk ka realizuar vetëm trajnim dhe pajisje, por e ka furnizuar Bjellorusinë me pajisje të kontrollit të turmës dhe me shkopinj policorë.

Është e vërtetë se pajisje kompjuterike dhe kamera, në të ashtuquajturin programi i ndihmave në pajisje për forcat e sigurisë së Bjellorusisë, janë dërguar në këtë vend. Kjo ka ndodhur ndërmjet viteve 2008 dhe 2010. Por, janë bërë edhe akuza se Gjermania, po ashtu, ka dërguar shkopinj policorë ose pajisje të tjera të tilla në Bjellorusi. I kemi kontrolluar shënimet tona dhe nuk kemi gjetur se shkopinj ose pajisje tjetër e ngjashme është dërguar ndonjëherë nga qeveria e Gjermanisë në Bjellorusi”, tha Spausçus. (f. b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG