Ndërlidhjet

Ekonomia joformale pengon zhvillimin


Ilustrim
Ilustrim
Njohësit e rrethanave të zhvillimeve ekonomike dhe zyrtarë të ekzekutivit në Kosovë, vlerësojnë se prania e ekonomisë joformale në vend po zvarrit zhvillimin ekonomik.

Sipas tyre, ekonomia joformale ndikon në krijimin e një pabarazie të madhe në ekonominë e tregut, pasiguri dhe një konkurrencë jolegale.



Ky lloj ekonomie, jo vetëm që shkakton humbje për buxhetin e Kosovës, por edhe mungesë të informatave për punëtorët që punojnë në biznese joformale.

Naim Gashi, njohës i rrethanave të zhvillimeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekonomia joligjore që nga përfundimi i luftës, në masë të madhe është përqendruar në veriun e Kosovës, duke mos anashkaluar edhe pikat tjera kufitare.

Në këtë formë, shumë mallra kanë hyrë në Kosovë nga kjo pjesë e vendit, duke i shkaktuar humbje të mëdha buxhetit të Kosovës.

“Pas zhvillimeve të fundit të korrikut të vitit të kaluar, intensiteti i kontrabandës në veriun e vendit ka pësuar rënie, megjithatë ende ka një kontrabandë që dëmton buxhetin e Kosovës. Këtu nuk duhet të përjashtohen edhe pikat tjera doganore, nga të cilat hyjnë në të zezë”.
Një faktor shumë i dëmshëm, mendoj, për mbushjen e arkës së shtetit, është edhe evazioni fiskal i brendshëm...

“Një faktor shumë i dëmshëm, mendoj, për mbushjen e arkës së shtetit, është edhe evazioni fiskal i brendshëm, brenda territorit të Kosovës, ku kompani të caktuara mbajnë nga dy libra kontabiliteti, dy libra të bilancit dhe u ikin tatimeve”, thotë Gashi.

Edhe Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave, thekson se prania e kësaj ekonomie po e dëmton tregun e rregullt kosovar, rrjedhimisht zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Përmes kësaj ekonomie bëhen veprime të shumta, të cilat rezultojnë me evazion fiskal me mospërmbushje të obligimeve ligjore të njerëzve apo kompanive të përfshira në këtë veprimtari - gjë që, automatikisht, të gjitha kompanitë, të cilat zbatojnë legjislacionin, i vendos në një pozitë të pabarabartë”, vlerëson Ibra.

Megjithatë, Ibra thotë se autoritetet kompetente vazhdimisht kanë pohuar se e kanë prioritet luftën kundër kësaj dukurie. Ai thotë se futja ekonomisë joformale në kanalet e rregullta të ekonomisë formale është gjithmonë detyrë dhe sfidë e rëndësishme për autoritetet kompetente.

“Në këtë drejtim, Qeveria qysh në vitin 2010 ka hartuar programin për parandalimin e ekonomisë joformale dhe në bazë të këtij programi është bërë plani i veprimit konkret, i cili përfshin aktivitetin e të gjitha institucioneve përkatëse konform mandatit të tyre për të luftuar ekonominë joformale”, thekson Ibra.

Por, Naim Gashi, konsideron se autoritetet kompetente nuk kanë treguar angazhim serioz në këtë drejtim. Ai thotë se nëse nuk ndërmerren masa parandaluese nga shteti, atëherë edhe më tepër do të rritet evazioni fiskal.

“Mendoj se problemi i evazionit fiskal nuk është trajtuar në mënyrë adekuate dhe të duhur, pasi që nevojitet një përkushtim më i madh i të gjithë mekanizmave, të cilët merren me mbledhjen e tatimeve dhe taksave, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në nivelin lokal”, shprehet Gashi.

Derisa veprimtaritë ekonomike joligjore dëmtojnë buxhetin e Kosovës, ekspertët e ekonomisë thonë se jo pak njerëz janë pasuruar nëpërmjet ekonomisë joligjore, qofshin edhe ata në pushtet, të cilët deklarojnë se do ta luftojnë këtë fenomen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG