Ndërlidhjet

Hiqen reduktimet: Disa zona ende pa rrymë


Ilustrim
Ilustrim
Problemet me prodhim me njësitë gjeneruese në disa termocentrale të Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë rikthyer reduktimet me energji elektrike në nivel vendi, për tri ditë me radhë. Reduktimet janë aplikuar edhe për kategorinë A, që është 5:1, për kategorinë B 4:2, dhe atë C 3:3, bën të ditur Viktor Buzhala, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës.



Por, sipas Buzhalës, gjendja aktuale është stabilizuar dhe nuk ka reduktime për asnjë kategori në asnjë pjesë të vendit.

“I kemi kthyer tri blloqe në sistem dhe gjendja është stabilizuar. Kjo ka zgjatur tri ditë. Ankesa nga bizneset nuk kemi pasur për ndonjë dëm të shkaktuar”, bën të ditur Buzhala.

Por, pavarësisht deklaratës së zotit Buzhala, qytetarët ankohen se nuk kanë furnizim me energji elektrike 24 orë. Sherife Vllahiu, nga fshati Tërnavë në komunën e Podujevës, thotë se reduktimet po vazhdojnë.

“Tri ditë radhazi nuk kemi pasur rrymë, më shumë s’kemi pasur, sesa që kemi pasur rrymë, në fshatin Tërnavë. Derisa zakonisht për çdo ditë, më shumë nuk kemi rrymë sesa që kemi”, thotë Sherife Vllahiu nga Tërnava.

Ndërkaq, bizneset që merren me shitjen e artikujve ushqimorë në vend ankohen për dëmet e shkaktuara në mungesë të energjisë elektrike. Naim Halili, shitës, thotë se reduktimet e energjisë elektrike po vazhdojnë edhe sot.

“Sot është e premte edhe ende kemi reduktime të rrymës 3 me 3, e dje ka qenë ende më keq në favor të territ”, tregon Halili.

Ai shton se sa i përket biznesit të tij, ka pësuar humbje, duke mos i hapur frigoriferët dhe duke e anuluar blerjen e konsumatorëve, në mënyrë që të ruhet temperatura për aq kohë sa nuk ka pasur rrymë.

“Sa i përket frizave, nuk i kemi hapur, sepse sapo e hapim frigoriferin, atëherë e humb temperaturën, kështu që nuk kemi shitur për të mos e hapur frigoriferin. Nuk kemi punuar me akullore ose gjëra të ngrira”, sqaron Halili.

Para disa muajve, KEK-u ka filluar riparimet në dy njësi, një në termocentralin “Kosova B” dhe një në njësinë e Termocentralit “Kosova A”. Këto riparime, sipas Buzhalës, kanë qenë të planifikuara dhe të domosdoshme, por që nuk ndikojnë në reduktimet aktuale të energjisë.

Që nga përfundimi i luftës Kosova ka investuar miliona euro në sistemin energjetik. Investimet e bëra, thonë ekspertët, kanë ndihmuar në eliminimin e deficitit të madh energjetik që ka ekzistuar në Kosovë, por që nuk ka arritur të ndihmojë në stabilizimin e gjendjes energjetike.

Ndërkaq, në qershor të këtij viti, Zyra e Rregullatorit për Energji kishte bërë shtrenjtimin e energjisë elektrike për 8.9 për qind.

Ky vendim ka ngritur shqetësime të mëdha tek organizatat joqeveritare në Kosovë. Sipas tyre, kjo ngritje do ta rëndojë edhe më shumë jetën ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG