Ndërlidhjet

Marrëveshja e Ohrit: Vlerësime të kundërta për arritjet


Pamje nga Ohri
Pamje nga Ohri
Partitë politike shqiptare në pushtet dhe opozita në Maqedoni, kanë vlerësime të kundërta sa i përket implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, dokument ky që ndryshoi Kushtetutën e Maqedonisë dhe i dha fund konfliktit të armatosur të 2001-shit.

PDSH-ja konsideron se korniza e Marrëveshjes së Ohrit është tejkaluar dhe nevojitet një Marrëveshje e re politike, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ku do të përfshihej zgjerimi i të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, me ç’rast do të definohej një afat i qartë dhe preciz i jetësimit në praktikë të marrëveshjes së re, për çka kërkon dhe legjitimitet nga elektorati.

“PDSH-ja vlerëson se platforma e saj, gjegjësisht marrëveshja e re politike, e cila është mbindërtimi i Marrëveshjes së Ohrit, por me afat të qartë që përcakton implementimin e prioriteteve të caktuara dhe jo siç u devijua Marrëveshja e Ohrit, e cila duhej të ishte implementuar që në 2006, pra, në një afat kohorë prej 4 vjetësh, është zgjidhja më e mirë e problemeve të shqiptarëve të Maqedonisë”, thekson zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati.

Ai shton se PDSH-ja mbetet e vendosur se nevojitet ndarje e barabartë e buxhetit ë shtetit, definimi me ligj i përdorimit të simboleve të shtetit, ndarje e re territoriale, si dhe drejtimi i një nga tre pozicionet e shtetit nga shqiptarët, Presidenca, Parlamenti apo Qeveria e vendit.

Por, me këtë nuk pajtohet partia shqiptare në pushtet, sipas së cilës Marrëveshja e Ohrit mbetet një nga 5 prioritetet kryesore të Qeverisë së Maqedonisë, gjë që apostrofohet edhe nga faktori ndërkombëtar.

“Dokumenti paqësor i Ohrit mbetet kusht parësor për integrimin e Maqedonisë në familjen evropiane, pra edhe nga qendrat vendosëse është bërë e qartë se rruga e integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, shkon përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit”.

“Më duhet të theksoj se po zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, edhe në ditën e sotme pas 11 vjetësh paraqet kusht për integrimin vendit në strukturat euroatlantike, njëherësh dhe një nga shtyllat kryesore të dialogut në nivel të lartë mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Brukselit është dinamika e jetësimit praktik të këtij dokumenti”, vlerëson Muhamet Hoxha, shef i Kabinetit të zëvendëskryeministrit, përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ai më pas thekson se sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka përcaktuar dhe një strategji të qartë për çka ndahen dhe mjete nga buxheti për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në kuadër të sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, përgatit një plan-program se çka parashihet me të. Pra, përpilohet dinamika e punësimit të nëpunësve të rinj në administratën shtetërore të shqiptarëve dhe bashkësive tjera etnike. Ajo që dua të theksoj është fakti se është bërë përparim i dukshëm në kuadër të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore. Por, ky proces kërkon kohë veçanërisht në sektorët që kërkojnë kuadro specifik dhe kërkohet përvojë pune, për çka me shumë seriozitet është e angazhuar BDI-ja”, potencon Hoxha.

Ndërkaq, PDSH-ja konsideron se shqiptarët gjithnjë e më pak janë pjesë e institucioneve, si pasojë e paaftësisë qeverisëse të faktorit politik shqiptar në pushtet.

“Shikuar statistikat, jo vetëm se nuk kemi përfaqësim adekuat të shqiptarëve në institucionet e vendit, por kemi shtim të përqindjes së maqedonasve në administratën shtetërore dhe atë publike. Përkujtoj vetëm të dhënat e fundit se gjatë katër vjetëve qeverisje VMRO-DPMNE dhe BDI, numri i maqedonasve të punësuar ka arritur deri në shifrën 50 mijë. Mund ta paramendoni si është përfaqësimi i shqiptarëve...”, shprehet zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati.

Ndryshe, edhe këtë vit në një solemnitet rasti zëvendëskryeministri, i cili është i angazhuar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, do të prezantojë aktivitetet e realizimit të këtij dokumenti para përfaqësuesve diplomatikë, partive politike, udhëheqësve të institucioneve të ndryshme, si dhe sektorit joqeveritar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG