Ndërlidhjet

Facebook, rrjeti më i preferuar për të rinjtë


Ilustrim
Ilustrim

Facebook, i hapur si një portal nga një student për të kontaktuar me shokët e tij, është kthyer në fenomen global. Deri më tani rrjeti social Facebook ka mbi 900 milionë përdorues.

Pas krijimit të një profili, Facebook mund të përdoret, ndër të tjera, për publikimin dhe shkëmbimin e listave të interesave personale, informatave kontaktuese dhe si mjet komunikimi përmes mesazheve private ose publike.



Facebook njihet si rrjeti më i popullarizuar për shoqërim në internet dhe pavarësisht konkurrencës, ai cilësohet të jetë portali më i përdorur i komunikimit elektronik.

Facebook, i themeluar në vitin 2004, është bërë pjesë edhe e shumë të rinjve në Kosovë. Në rubrikën e përjavshme VOX të programit të Radios Evropa e Lirë, sjellim mendimet e disa të rinjve rreth rrjeteve sociale.

Mentor Ulluri, 23-vjeçar thotë se e përdor Facebook-un për të komunikuar me shokë, derisa rrjetet sociale tjera, siç është Twiter, thotë se nuk i përdor, pasi që aty përdoruesit janë në numër më të vogël.

“E përdori Facebook-un më shumë. Arsyeja pse e përdori është se aty kam shumë shokë dhe kontaktoj me ta. Është mënyra më e përsosur e komunikimit”, thotë Mentori.

Në fillim të përdorimit të Facebook-ut , njerëzit ishin në dilema për të treguar identitetin e tyre në internet a po jo, por tani një pjesë tregojnë detaje nga më të ndryshme të jetës së tyre.

Burbuqe Thaçi, thotë se për të, Facebook-u është bërë pjesë e pandashme e jetës dhe se aty informohet për të mirat, të arriturat dhe të gjitha gjërat tjera të shoqërisë.

“Sa i përket rrjeteve sociale, si e mbarë bota e përdori Facebook-un ndonjëherë edhe Twiter-in, por nuk jam shumë aktive. Linkat tjerë i përdori për qëllime tjera për t’u informuar kur më duhen, por Facebook-un e përdori nga dëshira”, thekson Burbuqja.

Edhe Arlind Muçiçi thotë se e përdor Facebook-un:

“E përdori më shumë për të kontaktuar me shoqëri. Aty i gjej shokët, për të cilët nuk kam pasur informata se ku gjenden, çka bëjnë etj. Më pëlqen ky rrjet social”.

Për të kontaktuar me shoqërinë, Facebook-un e përdor edhe Ardian Krasniqi:

“Për shoqëri. Kam vënë kontakte me një shok që nuk e kam parë moti”.

Por, ka edhe të rinj që përveç bisedave që i bëjnë me miq, përmes Facebook-ut, e përdorin atë edhe për informata tjera.

Ariana Ferati shprehet:

“Zakonisht e përdori për informim, ka lajme të mira që i postojnë gazetat. Ka gjëra aktuale që ndodhin”.

Disa të rinj shprehen mjaft kritik ndaj portalit më të përdorur për komunikim. Thonë se përdoruesit e këtij rrejti social nuk janë aspak serioz dhe se me këtë portal disa të rinj e keqpërdorin për qëllime të këqija.

Rrustem Tahiri është njëri nga ata të rinj që nuk është përdorues i rrjetit social Facebook dhe që nuk e pëlqen këtë mënyrë të komunikimit me shoqëri.

“Fare nuk më pëlqen Facebook-u dhe asnjë rrjet tjetër social. Unë e kisha bllokuar Facebook-un, nuk më pëlqen fare”, thotë Rrustemi.

Ngjashëm mendon edhe Sabit Seferi:

“Nuk kam kohë të merrem me Facebook. Jam i angazhuar me punë, nuk kam shumë kohë, dhe nuk merrem me internet nuk kam kohë dhe nuk më pëlqen”.

Por, sa gjatë rrinë këta të rinj në Facebook. Mesatarja e qëndrimit në Facebook nga të rinjtë e Kosovës është 2 orë në ditë.

Egzon Shaqiri shprehet:

“Më së shumti qëndroj 3-4 orë në ditë dhe komunikoj me shokë, nganjëherë lexoj ndonjë lajm nga sporti”.

Ndërkaq, Albion Sylejmani thotë se në Facebook qëndron deri në tri orë.

“Facebook-un e përdori. Më shumë e përdori për biseda me shokë, rri nga 2-3 orë ndoshta edhe më shumë”, thekson Albioni.

Për rrjetin social Facebook, janë bërë edhe filma - ndër më të njohurit “The Social Network” me regji të David Fincher; janë shkruar poezi e madje janë bërë edhe këngë të tipit të ashtuquajtur tallava.
XS
SM
MD
LG