E pagëzuar në lindje si Norma Xhin Mortenson, Merilin Monro, ishte një aktore Hollivudi, e cila u shndërrua në një simbol seksi, adhurimi botëror dhe magjepsjeje, si dhe frymëzim për imazhe të panumërta në mbi 600 libra.
Fillimet e saj ishin modeste dhe nuk premtonin shumë. I është dashur të ndryshojë imazhin tërësisht dhe të transformojë karakterin e saj skenik për të arritur statusin që kishte.
E ëma e Normas shpesh është dërguar në një strehimore për të sëmurët mendorë.
Merilini kishte 12 palë prindërish birësues dhe për një kohë të shkurtër është dashur të jetojë në jetimore. Në moshën 16-vjeçare u martua me një bashkëpunëtor të sajin dhe gjatë gjithë jetës është martuar tre herë, dy të tjerët ishin skenaristi i moshuar Artur Miller dhe ylli i bejzbollit, Xho diMagjio.
Është thënë se Merilin Monro ka pasur edhe një aferë të fshehtë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Xhon Kenedi, por dëshmi për këtë aferë nuk ka pasur.
Jetën e saj në shou-biznes e nisi si foto-modele. Fotografia e saj nudo në një kalendar i solli një rol në filmin e vitit 1948 “Scudda-Hoo! Scooda-Hay!”.
Një rol dytësor më 1950 në filmin “The Asphalt Jungle” dhe paraqitja e saj në “All About Eve” bënë që Merilin të nënshkruajë kontratën e saj me studion filmike FOX. Rolet e saj në “Let’s Make It Legal” (1951), “Love Nest” (1951), “Clash by Night”“(1952), “Niagara” (1953), e bënë të njihet botërisht si hyjni dashurie.
Kurse, filmat “Gentlemen Prefer Blondes” (1953), “How to Marry a Millionaire” (1953) dhe “There’s No Business Like Shoë Business” (1954), e bënë Monronë objekt të pashembullt të adhurimit botëror.
Imazhi i saj i hershëm si një bionde naïve dhe joshëse më vonë u zëvendësua si në kinematografi, ashtu edhe në jetën e saj, me figurën tragjike të një gruaje të ndjeshme dhe të brishtë, e paaftë të përballet me trysnitë e Hollivudit.
Orari, me të cilin punonte dhe presioni social kudo që paraqitej, bënë që ajo të paguajë çmimin me thyerje emocionale, depresion, pagjumësi, varshmëri nga barnat qetësuese dhe abuzim me alkool.
Sot bëhen 50 vjet që kur Merilin Monro u gjet e vdekur, në moshën 36-vjeçare, nga mbidozimi me qetësues, disa muaj pasi ishte izoluar tërësisht në shtëpinë e saj në Los Anxhelos.
Vdekja e saj, sipas autopsisë, ishte shkaktuar nga helmimi akut me barbiturate dhe është shënuar zyrtarisht si “vetëvrasje e mundshme”.
Përcaktimi “e mundshme” ka lënë hapur mundësinë se ajo mund të jetë vrarë, duke nxitur kështu - kuptueshëm - teori konspirative për një kohë të gjatë. Disa përmendnin aferën e saj të pandehur me Xhon Kenedin, duke thënë se “ajo mund të ketë ditur shumëçka për presidentin” . Të tjerët thoshin se ishin agjencitë klandestine që e kishin vrarë atë apo se mund të ketë qenë viktimë e mafias.
Sidoqoftë, Merilin Monro, në jetën e saj ka realizuar 23 filma dhe është portretizuar nga të tjerët në 14 filma të tjerë. Portreti i saj nudo bëri që në treg të dalë edhe revista e parë Playboy më 1953. Fustani që kishte në trup, kur këndoi për ditëlindjen e presidentit Kenedi, u shit në ankand për 1,267,500 dollarë amerikanë.
Libri Ginis i Rekordeve Botërore e pati shënuar si veshmbathjen më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë, por fustani tjetër, ai i bardhi nga filmi “Some Like It Hot”, i cili u shndërrua në një imazh ikonik në kinematografinë botërore, në vitin 2011 u shit për 5,6 milionë dollarë amerikanë.