Ndërlidhjet

Maqedoni: Edhe deputetë, edhe pronarë mediash


Ilustrim
Ilustrim

Pronarët e mediave nuk mund të jenë edhe bartës të funksioneve publike si deputetë, të zgjedhur në pushtetin ekzekutiv apo në institucione tjera shtetërore.

Një dispozitë të këtillë përmban neni 11 i Ligjit për veprimtari radiodifuzive, që është vendosur me qëllim të ruajtjes së profesionalizimit dhe të pavarësisë së mediave nga ndikimet politike.

Por, edhe pse e miratuar tani një kohë të gjatë, dispozita e tillë nuk respektohet dhe pronarët e disa mediave, në veçanti të televizioneve private në nivel kombëtar vazhdojnë të jenë edhe deputetë dhe drejtues të partive që janë në koalicion me pushtetin aktual.

Kjo ka bërë që këto media të vihen në shërbim të plotë të propagandimit të politikës shtetërore dhe të jenë në shënjestër të kritikave, jo vetëm politike, por edhe të mediave tjera që janë vendosur në pozitë të pabarabartë, sa i përket ndarjes së mjeteve nga reklamat dhe burimet tjera të financimit.

Faji për gjithë këtë situata, qëndron te zbatimi selektiv i ligjit, thotë Isen Saliu, kryeredaktor i gazetës “Lajm”.

“Ky zbatim selektiv ka sjellë deri te politizimi i skajshëm i mediave, pasi për shkak të moszbatimit të ligjit, shumica e mediave këtu në Maqedoni, mediave elektronike, kanë marrë anën e pushtetit. Mirëpo, kjo një ditë do t'ju kthehet bumerang të gjitha mediave pa përjashtim, ato të cilat sot përfitojnë nga moszbatimi i ligjit, nesër ndoshta do të jenë viktimat më të mëdha nga kjo mangësi”, thotë Saliu, duke kërkuar nisjen e një debati të gjerë për të shqyrtuar të gjitha mangësitë e ligjit, me qëllim të zbatimit të tij të përpiktë.

Nga Këshilli për Radiodifuzion pranojnë se neni kryesor i këtij ligji ende nuk është zbatuar, por për këtë japin edhe arsyetime.

“Kjo kërkon një analizë shumë më të gjerë se cilat janë funksionet publike, gjithashtu dilema ka pasur se kush janë anëtarët e familjes, se a kemi të bëjmë me anëtarë që jetojnë në një amvisëri, bashkërisht, apo që janë vetëm juridikisht në horizontalen prindër-fëmijë”.

“Mirëpo, në bazë të asaj që kemi dhe interpretimit të ligjit nga ana e Kuvendit, kemi indikacione dhe është vërtetuar se disa televizione në nivel shtetëror kanë shkelur nenin 11 të ligjit për shkak se pronarët e tyre janë deputetë, e kështu me radhë. Sidoqoftë 30 shtatori është dita e fundit lidhur me respektimin e nenin 11 të Ligjit për veprimtari radiodifuzive”, thekson Milaim Fetai, nënkryetar i Këshillit për Radiodifuzion.

Por, me një arsyetim të tillë nuk pajtohen nga Qendra për Zhvillimin e Mediave. Drejtuesi i saj, Roberto Beliçanec, thotë se favorizimi i pushtetit përmes krijimit të hapësirë së lirë të veprimit të mediave të afërta me të, është faktori kryesor që ka ndikuar në moszbatimin e ligjit dhe, rrjedhimisht, me këtë edhe në shkeljen e pavarësisë së mediave.

“Gjithçka është e përcaktuar me ligj dhe ai deri tani duhej të zbatohet, por meqë kjo nuk është bërë, tregon se ka të atillë në shtet që janë më të fuqishëm se ligji. Institucionet tona vazhdimisht gjejnë arsyetime për ta zvarritur një ligj kur nuk u konvenon zbatimi i tij. Janë marrëzira arsyetimet se deri tani nuk mund të përcaktonin se kush është pronar i medias”.

“Çështja është se a dëshironi apo jo zbatimin e ligjit. Dhe, në rastin konkret, ato nuk duan ta bëjnë këtë dhe e gjithë kjo reflektohet në pavarësinë e mediave, të cilat shndërrohen në makineri propagandistike të pushtetit”
, shprehet Robert Beliçanec, drejtues i Qendrës për Zhvillimin e Mediave.

Se gjendja me pavarësinë e mediave në Maqedoni nuk është e mirë, dëshmon edhe raporti i fundit për lirinë mediave i Fredoom House. Sipas kësaj organizate, Maqedonia ka shënuar rënie për 20 vende.

Në krahasim me raportin e vitit të kaluar kur ndodhej në pozitën e 96-të, tani ajo radhitet në vendin e 115 të grupit të shteteve si pjesërisht të lirë në fushën mediatike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG