Ndërlidhjet

Trazirat në Siri ringjallin Al Kaidën në Irak


Në Irak është kthyer Al Kaida. Këtë e dëshmon edhe vala e sulmeve spektakolare në këtë verë.

Me 325 irakianë të vrarë nga militantët – statistika këto të publikuara këtë javë nga Ministria irakiane e Shëndetësisë – korriku ka qenë muaji më vdekjeprurës në dy vjet.

Al Kaida, e cila besohej se ishte në rënie kur forcat e Shteteve të Bashkuara tërhoqën trupat nga Iraku, në fund të vitit 2011, ka luajtur rol të drejtpërdrejtë në dhunë përmes grupeve të lidhura me të.

Shteti Islamik i Irakut – një grup ky militant që ka lidhje me Al Kaidën – ka marrë përgjegjësinë për një numër sulmesh vdekjeprurëse në kohët e fundit. Njëri nga to, që ka zënë vend më 23 korrik, ka përfshirë dhjetëra shpërthime të koordinuara anembanë Irakut, duke vrarë më se 100 persona, shumica nga ta shiitë.

Si Shteti Islamik i Irakut, si Al Kaida duket se kanë shfrytëzuar trazirat në Sirinë fqinje.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka raportuar këtë javë se Al Kaida në mbarë botën është në “rrugë të dobësimit”, sidomos pas vdekjes së themeluesit dhe udhëheqësit të saj, Osama bin Laden, por gjithashtu ka vënë në dukje aftësinë e saj ripërtëritëse në Irak.

Kreu i Shtetit Islamik të Irakut, Abu Baker al-Bagdadi, në ndërkohë ka deklaruar se konflikti në Siri është pjesë e një lufte më të gjerë ndërmjet sunitëve dhe shiitëve në Lindjen e Mesme.

Shteti Islamik i Irakut paraqitet si kampion i pakicës së pakënaqur sunite të Irakut. Specialistët rajonalë e shohin këtë si përpjekje për të lidhur veten e tij me pakicën sunite në Siri, e cila lufton kundër regjimit alavit shiit të Asadit.

Gamal Abdel Gavad Soltan, profesor i shkencave politike në Universitetin Amerikan në Kajro, vë në pah rishfaqjen e Al Kaidës në zonat lindore dhe qendrore të Irakut qysh në fillim të këtij viti dhe thotë se ajo sheh mundësi të reja nga konflikti në Siri.

Konflikti në mes të rebelëve sunitë në Siri dhe qeverisë alavite shiite u jep aktiviteteve të Al Kaidës në Irak më shumë legjitimitet”, thotë Soltan.

Seth Xhons, specialist kundër terrorizmit në Institutin “Rand Corporation” në Uashington, pajtohet. Ai thotë se Al Kaida në Siri është degë e grupit në Irak. Sipas tij, Al Kaida në Irak siguron armë dhe luftëtarë për kontingjentin e saj sirian.

Mendoj se jostabiliteti në Siri dhe gjurmët e Al Kaidës së Irakut në Siri sigurojnë mundësinë për t’u rigjallëruar në Irak, ndonëse, për momentin, Al Kaida në Irak është në pozicion shumë më të dobët seç ka qenë, le të themi, më 2004 dhe 2005”, shprehet Xhons.

Forca në rritje e Al Kaidës ka bashkuar Bagdadin dhe Damaskun në një aleancë të pashprehur. Siria i karakterizon rebelët si “terroristë”. Qeveria e Irakut ka distancuar veten e saj nga thirrjet e Ligës Arabe për largimin e Asadit.

Përderisa Siria ka pritur më shumë se një milion refugjatë irakianë, Bagdadi ka vënë kufizime të ashpra për hyrjen e atyre që përpiqen të largohen nga luftimet në Siri.

Soltan thotë se një gjë e tillë paralajmëron gjëra më të këqija, të cilat pritet të ndodhin në të ardhmen.

Sipas tij, duke iu dhënë identiteteve të grupeve në Lindjen e Mesme natyrë transkombëtare, konflikti në Irak dhe në Siri ka të ngjarë të shkrihet në një.(v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG