Ndërlidhjet

DASH: Liritë Fetare në Kosovë


Kosovë...
Kosovë...
Departamenti Amerikan i Shtetit në Raportin për Liritë Fetare në botë për vitin 2011 ka analizuar edhe gjendjen në Kosovë sa i përket respektimit të lirive fetare.

Kushtetuta dhe ligjet tjera mbrojnë lirinë fetare dhe në praktikë qeveria në përgjithësi ka respektuar liritë fetare thuhet në raport, duke potencuar se qeveria nuk ka shfaqur ndonjë tentativë drejt përmirësimit apo përkeqësimit të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtës së lirisë fetare.

Megjithatë, sipas raportit, liderët fetarë kanë theksuar se mungesa e një mekanizmi që grupet fetare të regjistrohen dhe të fitojnë një status legal ka shkaktuar një numër sfidash praktike. Edhe pse shumë grupe kanë gjetur metoda alternative, shumë nga ta kanë raportuar sfida në pronësimin dhe regjistrimin e pronave, makinave, hapjes së xhirollogarive bankare dhe pagesës së tatimeve dhe pagave të të punësuarve.

DASH thekson se ka pasur raporte për abuzime ose diskriminim të komunitetit si pasojë e lidhjeve, besimit apo praktikave fetare.

Raporti përmend vandalizimin e varrezave hebrenje në muajin nëntor në Prishtinë nga persona të panjohur.

Po ashtu përmend incidente si vjedhje dhe vandalizëm kundër objekteve të Kishës Ortodokse Serbe si dhe incidentet që i quan të izoluara ku individë kanë gjuajtur me gurë autobusët me serbë, të cilët i vizitonin objektet fetare të Kishës Ortodokse Serbe.

Raporti për Liritë Fetare në pjesën për Kosovën, përmend raportimin e komunitetit islamik për pengimin e studenteve që të bartin shami në shkollat publike.

Bashkësia Islame e Kosovës dhe organizatat myslimane joqeveritare kanë thënë se nxënëset me shami janë penguar nga pjesëmarrja në shkollat publike.

Në raport theksohen vendimet e Ministrisë së Arsimit, të Gjykatës Kushtetuese dhe së fundit të Kuvendit të Kosovës në lidhje me bartjen e shamisë në shkollimin parauniversitar.

Ndërkaq, vë në pah shqetësimin e komunitetit protestant për pamundësinë që të ndërtojë një varrezë dhe një kishë në Deçan.

Protestantët kanë vazhduar që të theksojnë diskriminimin institucional në nivel qendror dhe komunal. Ata janë ankuar se nuk po lejohen të krijojnë varrezë protestante, që ka rezultuar me varrimin e protestantëve në varrezat myslimane dhe klerikët myslimanë kanë kryer funeralin për ta.

Ata thonë se kjo është shkelje e të drejtave të tyre.

Në raport është përmendur edhe miratimi i Ligjit për Prizrenin dhe Hoçën e Madhe dhe debatin e shkaktuar për shkak të frikës se më këto ligje do të krijohej status special për objektet kulturore serbe.

Anëtarët e Ambasadës amerikane, thuhet në raport, kanë vazhduar që të takojnë liderët politikë dhe fetarë për të kërkuar dialog ndërfetar dhe për të inkurajuar zgjidhjen e shqetësimeve të komuniteteve fetare.

Përfaqësues nga Ambasada amerikane po ashtu i janë bashkuar diskutimeve të qeverisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe për të rifilluar punën e ngecur të Këshillit të Rindërtimit dhe Implementimit, që rindërton objektet fetare të dëmtuara gjatë trazirave të vitit 2004.

SHBA, theksohet në raport, ka vazhduar të mbështesë përpjekjet për zgjidhjen e kontestit për një pronë ku përfshihet Manastiri i Deçanit dhe grupet lokale. Qeveria amerikane po ashtu ka themeluar një program për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që përfshin rindërtimin dhe mbrojtjen e kishave në vend. (a.i.)
XS
SM
MD
LG