Ndërlidhjet

Nuk zhduket analfabetizmi deri më 2015


Ilustrim
Ilustrim

Kosova duhet të eliminojë analfabetizmin deri në vitin 2015, sipas Objektivave të Mijëvjeçarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Por, njohës të çështjeve të arsimit, thonë se me strategjitë e Qeverisë së Kosovës për arsim, vështirë se mund të arrihet zhdukja e analfabetizmit deri në atë kohë.

Eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga zotimi i Kosovës për përmbushjen e këtyre objektivave të mijëvjeçarit, në të cilat përfshihet edhe analfabetizmi, nuk ka punuar aq shumë për eliminimin e kësaj dukurie.

Unë nuk jam optimist që ky objektiv do të mund të realizohet deri në vitin 2015. Kjo është njëra nga objektivat, e cila është shumë e rëndësishme për rrugën e Kosovës në Bashkimin Evropian. Pa një sistem efikas të arsimit, e kemi shumë vështirë të jemi pjesë e BE-së për shkak se sistemi arsimor në të gjitha nivelet, për fat të keq, është treguar i dobët”, thekson ai.

Ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute, në vitin 2008, kishin miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.



Atë kohë, ata ishin zotuar se së bashku me Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, do t’i përmbushin tetë Objektivat e kësaj deklarate, përfshirë analfabetizmin.

Për zbutjen e analfabetizmit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për vite të tëra ka mbajtur mësime joformale, që mundësojnë mësimin e shkrim-leximit, për qytetarët të cilët, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur të vijojnë shkollimin.

Një rol të rëndësishëm për zbutjen e analfabetizmit e ka luajtur edhe shoqëria civile në Kosovë.

Dukagjin Popovci nga Qendra për Arsim në Kosovë, thotë se në 10 vjetët e fundit është punuar në eliminimin e analfabetizmit, dhe se kjo dukuri në Kosovë ka arritur të minimizohet, por që nuk mund të zhduket në tërësi.
...kemi një cilësi jo të kënaqshme në sistem të arsimit, dhe mund të ndodhë që njerëzit që largohen nga sistemi i arsimit në moshë më të re shndërrohen në analfabetë pas një periudhe.

Duhet të kemi parasysh se raste të analfabetizmit do të ketë edhe në të ardhmen, nuk është e mundur të eliminohet krejt pikërisht, për faktin se kemi një cilësi jo të kënaqshme në sistem të arsimit, dhe mund të ndodhë që njerëzit që largohen nga sistemi i arsimit në moshë më të re shndërrohen në analfabetë pas një periudhe”, thotë Popovci.

Kosova nuk ka të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve analfabetë, por sipas disa të dhënave të organizatave joqeveritare, është thënë se analfabetizmi në Kosovë arrin deri në 6 për qind.

Popovci thekson se me regjistrimin e popullsisë se Kosovës, i cili ishte bërë vitin e kaluar, do të mund që të ketë të dhëna të sakta të numrit të analfabetëve në Kosovë.

Mendoj që regjistrimi i popullatës do t’i nxjerrë të dhënat e sakta të analfabetizmit në Kosovë, kështu që pak a shumë do të dihet nga dora e parë, se sa është numri i qytetarëve analfabetë”, shprehet ai.

Salihaj thotë se shkalla e analfabetizmit në Kosovë vazhdon të mbetet e lartë, dhe sipas tij, analfabetizmi në Kosovë mund të jetë më shumë se 6 për qind e popullatës së Kosovës.

Ekziston analfabetizmi klasik edhe ai funksional. Përveç njerëzve që nuk dinë shkrim- lexim, ka edhe njerëz që dinë të shkruajnë disi një fjali, por nuk e kuptojnë atë".

"Do të thotë, varësisht nga regjionet, në fiset rurale ka më shumë analfabetë. Dhe numri më i madh i analfabetëve është te femrat
”, sqaron Salihaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG