Ndërlidhjet

Shqipëri: Diferencat ndërmjet PD-së e PS-së


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, analistët e kanë të vështirë të parashikojë fituesin e tyre. Analisti Alfred Peza rendit disa faktorë që e bëjnë edhe më të vështirë parashikimin.

“E para, sistemi elektoral nuk lë shumë vend për diferencë mes dy partive kryesore, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike dhe më shumë sesa një fitore spektakulare e njërës kundrejt tjetrës, zgjedhjet shndërrohen në një garë taktikash elektorale se kush arrin të zgjedhë skemën më të mirë, që maksimalizon më shumë vota dhe jep më shumë mandate. Kjo do të luajë rol sikurse do të luajë rol ajo që shqiptarët në përgjithësi nuk votojnë ofertën më të mirë, por votojnë pro ose kundër”, thotë Peza.

Ky vit përpara zgjedhjeve e gjen mazhorancën, kryesisht Partinë Demokratike, nën presionin e zërave kundërshtarë të politikës që po zbaton lidershipi, kritikave për lodhje të qeverisë, dhe parashikimeve për këtë shkak të humbjes në zgjedhje. Për analistin Frok Çupi kundërshtitë janë pjesë normale e zhvillimit të brendshëm të një partie, që nuk faktojnë lodhje të qeverisë dhe aq më pak të shërbejnë si indikatorë për humbje a fitore.

“Qeverinë nuk e bën një ministër, qeverinë e bëjnë kryeministri dhe politikat. Ne kemi disa investime shumë të rëndësishme, kemi investitorë të huaj, ka prioritete siç është përballimi i krizës globale që e manifestojnë qeverinë në akt”, shprehet Çupi.

Për Pezën, mandati i dytë, e gjen qeverinë në gjendje të vështirë në raport me përmbushjen e shumë prej objektivave të saj themelor.

“Ky mandat i dytë është dukshëm më i keq sesa mandati i parë, qoftë për nga ritmet, qoftë për nga reformat, qoftë për nga dinamika e menaxhimit të punëve publike. Kemi gjithashtu dhe mosrealizim të objektivave kryesore të kësaj mazhorance, e para integrimi, kemi dështuar dy herë me radhë, nuk e dimë se si do të ndodhë herën e tretë. Nga ana tjetër, nuk është luftuar korrupsioni, kali kryesor i betejës, me të cilën kjo mazhorancë erdhi në pushtet në vitin 2005”, vlerëson Peza.

Çupi thotë se në të gjitha rastet, Qeveria është hapa përpara në raport me opozitën.

Ne njohim një qeveri që është shumë hapa përpara nga opozita, mund të mos jetë qeveria që shqiptarët kërkojnë, por s’kanë tjetër”, potencon Çupi.

Të dy analistët bashkohen në një pikë kur thonë se dhe opozita nuk është gati për të ardhur në pushtet, por ndahen në arsyetimin që çon te ky përfundim.

“Nga ana tjetër, çfarë po bën opozita?! Ndryshe nga Partia Demokratike në 2004-2005 që e krijoi shumë herët trendin e frymës së ndryshimit, opozita akoma nuk gjakon ardhjen në pushtet që do të thotë se njerëzit, akoma nuk po e perceptojnë si një forcë që domosdoshmërisht do të vijë në pushtet”, thotë Peza.

“Opozita jo vetëm nuk është e përgatitur, por unë e shoh pak më tej, opozita po konsiderohet pak e rrezikshme për të ardhur në pushtet. Sigurisht nuk besoj që mund të kthehet komunizmi, por besoj një gjë tjetër, që nuk mund të bëjë demokraci, që nuk mund të jenë më aq të lirë para publikut vendas dhe para institucioneve ndërkombëtare, për të zhvilluara ide, për të zhvilluar reforma”, pohon Çupi.

Një tjetër faktor që do të ndikojë rezultatin e zgjedhjeve të 2013 është vendimi në muajin tetor i Brukselit për statusin kandidat për në BE. Refuzimi, do t’i shkaktonte probleme të mëdha mazhorancës, thotë Peza.

“Marrja e statusit i jep pikë mazhorancës në sensin e propagandës politike elektorale, por jo votë. Nga ana tjetër, refuzimi do t’i shkaktonte dëme se do të ishte për herë të tretë radhazi, si kur kurrë ndonjë vend tjetër i ish-lindjes komuniste”, konsideron Peza.

Për Çupin më shumë se efekti te zgjedhjet, e rëndësishme është hedhja e këtij hapi që përafron vendin me BE:

“Problemi në favor të kujt do të shkojë, është një gjë që do të shihet rrugës, Partia Demokratike e ka për detyrë të fitojë statusin e kandidatit për sa kohë është në qeveri”.

Fitorja ose humbja në zgjedhje mund të shihet dhe nga një këndvështrim më pak i ndërlikuar- siç propozon analisti Peza:

“Në Shqipëri, nisur dhe nga këto dy mandate të qeverisjes së mazhorancës së djathtë, por dhe nga dy mandatet e qeverisjes së mazhorancës së majtë, të krijohet ideja sikur një mandat është pak, por dy mandate janë shumë për një qeveri, për një forcë politikë apo koalicion politik, kështu që e treta bëhet e pakuptimtë”.

Analisti Çupi ka një tjetër arsyetim:

“Ka një milion eksperienca në botë, ka eksperienca që qeveritë rrojnë dhe tre muaj, rrojnë dhe gjashtë muaj, rrojnë dhe një vit. Ka eksperienca të tjera që rrojnë dhe 4 mandate. Pastaj, thjesht, eksperiencat nuk mund të imponohen, ne jemi në kushte praktike, në kushte konkrete”.

Nëse do të ketë ose jo rotacion politik, këtë do ta vendosin qytetarët me votë. Ajo çfarë mbetet të testohet, gjithashtu, është faktit nëse fitorja do të jetë ekskluzivisht e njërës prej partive të mëdha apo e një koalicion të imponuar për të qeverisur?!

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG