Ndërlidhjet

Trafiku me qenie njerëzore në rritje


Ilustrim
Ilustrim

Sipas autoriteteve të rendit në Kosovë, ky vit ka shënuar dukshëm rritje të numrit të rasteve të trafikimit të viktimave, që shfrytëzohen për qëllime seksuale.

Zëdhënësja në Policinë e Kosovës, Sabrije Kamberi, deklaron se kategoria më e prekur e viktimave është ajo e moshës mes 14 e 17 vjeçare, e deri tek ato të moshës 50 vjeçe, që janë të përfshira si viktima.

Në bazë të statistikave që ne i posedojmë, këtë vit është rritur dukshëm numri i identifikimit të viktimave të trafikimit, si dhe numri i atyre që janë arrestuar, si dhe dukshëm është rritur numri i operacioneve që janë zhvilluar nga autoritetet e rendit. Në periudhën janar-qershor të vitit 2012, janë zhvilluar 359 operacione, në tërë territorin e Kosovën, 110 kontrolle parandaluese, janë arrestuar 130 persona të dyshuar që janë marrë me këtë veprimtari”, bën të ditur Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Në Raportin Vjetor për Trafikimin e Njerëzve të vitit 2011, raport ky i hartuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, thuhet se Kosova është burim, destinacion dhe ndoshta edhe vend transit për gratë e trafikuar për seks dhe fëmijët që trafikohen për t’u bërë lypsarë.

Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) në Kosovë, është një nga institucionet që ka zbatuar programin për trafikim, derisa në veçanti është fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve të strehimoreve ose organizatave joqeveritare që ofrojnë ndihmë viktimave të trafikimit.

Petrit Sopjani, nga kjo organizatë, deklaron për radion Evropa e Lirë se përmes programeve të ndryshme edhe parandaluese, por edhe në ofrimin e asistencës direkte për këto raste, kanë zhvilluar një rrjet edhe me Qeverinë e Kosovës, por dhe me shoqërinë civile, që të ofrojnë ndihmë për viktimat si në aspektin e rehabilitimit, po ashtu dhe ri-integrimin në shoqëri.

Ne kemi vërejtur viteve të fundit një rënie të numrit të rasteve që asistojnë, edhe pse si dukuri është ende prezente. Numri i rasteve viteve të fundit që trajtohen janë viktima kosovare, dhe kemi rënie të rasteve të viktimave të huaja që janë sjellë nga vende të ndryshme në Kosovë. Ky është një trend që po përcillet viteve të fundit”, thotë Sopjani.

Ndërkaq, zyrtarë nga qendra për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore, ofron rehabilitim dhe ri-integrim për viktimat e trafikimit dhe për ato potenciale.

Sipas zyrtarëve të lartë nga kjo qendër, aty u ofrohet ndihmë viktimave që shfrytëzohen për qëllime seksuale, si ndihmë mjekësore, këshilla psikologjike, si dhe ngritje të vetëdijesimit.

E gjithë kjo bëhet gjatë fazës së rehabilitimit, ku viktimat e marrin në këtë qendër.

Sidoqoftë, çështja e ri-integrimit, sipas zyrtarëve të lartë që merren me këtë problematikë, procesi i ri-integrimit dhe pavarësisë ekonomike zgjatë me vite, ku u paguhen nga organizatat joqeveritare, kurse ka edhe trajnime të ndryshme për t’u pavarësuar më tej.

E autoritetet e rendit thonë se në bazë të statistikave që posedojnë, nga Policia e Kosovës janë identifikuar gjithsej 26 kosovare, viktima të trafikimit dhe 4 shtetase të huaja.
XS
SM
MD
LG