Ndërlidhjet

The Rolling Stones mbush 50 vjet




Pesëdhjetë vjet më parë një bend i ri anglez mbajti koncertin e parë si “The Rolling Stones”, në një performancë në klubin London's Marquee për një publik prej 100 njerëzish. Ishte data 12 korrik e 1962-ës.

Askush nuk mund të imagjinonte që disa muzikantë të palarë do të bëheshin performuesit më të suksesshëm komercialë dhe të vlerësuar lart nga kritika në historinë e pop muzikës, si dhe një forcë që do të ndryshonte kulturën popullore. Vlerësohet se ata kanë shitur në tërë botën më shumë se 200 milionë albume.

Bendi i vuri emrin vetes sipas këngës së vitit 1948 të Muddy Waters, babait të bluzit modern të Çikagos.

Që nga fillimi, The Rolling Stones përzien muzikën e elektifikuar urbane bluz me artistët e zinj si Muddy Waters, Bo Diddley, Willie Dixon dhe Jimmy Reed.

Në një kuptim më të gjerë, The Rolling Stones ndihmuan nxitjen e një rilindjeje muzikore që rriti profilin e bluzit urban—duke ia shfaqur botës rrënjët e një zhanri amerikan, që ishte i panjohur në atë kohë nga shumica e adoleshentëve të bardhë amerikanë.

Fillimisht të promovuar si reagimi jugor i Anglisë ndaj The Beatles, The Rolling Stones arritën famë ndërkombëtare gjatë invazionit të muzikës britanike pop në vitet e ’60-ta.

Por, rivaliteti me The Beatles ka qenë një lojë marketingu, pasi që muzikantët ishin miq personalë.

Xhon Lenoni dhe Pol Mekartni i The Beatles shkruajtën këngën “I Wanna Be Your Man" me të cilën, si singlin e tyre të dytë The Rolling Stones thyen rekod në shitje.

Anëtarët e të dy grupeve do ta vizitonin njëri-tjetrin në studio dhe do të shfaqeshin në incizimet e njëri-tjetrit gjatë viteve të ’90-ta.

Por, ka qenë këngëshkruesi dhe vokalisti rebel Mick Jagger dhe kitarisi Keith Richards që e çuan bendin kah suksesi më i madh komercial me këngët si "(I Can't Get No) Satisfaction," "Jumping Jack Flash," "Sympathy For The Devil," dhe "Gimme Shelter."

Një nga themeluesit e bendit Brian Jones është gjetur i vdekur në pishinën e tij në korrik të 1969, pasi që qe zëvendësuar në bend nga kitaristi Mick Taylor.

Një tjetër themelues, pianisti Ian Stewart, qe larguar nga menaxheri i bendit në vitin 1963, pasi që fytyra e tij nuk përkonte me imazhet e thata të të tjerëve.

Por, Stewart vazhdoi të punojë me bendi në turnetë e tyre dhe si muzikantë në studio deri në vdekje, në vitin 1985.

Kitaristi Ronnie Wood zyrtarisht e zëvendësoi Mick Taylor në vitin 1976.

Të rifreskuar, The Rolling Stones në vitin 1978 lëshuan një nga albumet më të shitura të tyre në Shtetet e Bashkuara – “Some girls”- i cili u ndikua shumë nga punki britanik.

Albumi gjithashtu përmbante këngët disko që u bënë hite si "Miss You", të cilën Richards në autobiografinë e tij e përshkruan si "këngën disko më të madhe të regjistruar ndonjëherë.

Kur Rolling Stones hynë në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 1989, organizata tha se "kritika dhe konsensusi popullor ua ka akorduar atyre titullin e Bendi më i madh botëror i Rock and Roll-it”.

Basisti Bill Wyman u largua nga grupi në vitin 1993 – derisa në bend mbeten anëtarët që ishin nga fillimi Jagger, Richards dhe bateristi Charlie Watts.

Popullariteti i grupit ka kapërcyer modelet muzikore për dekada me radhë - nga psikodelia e vitit 1960, pastaj disko, punki dhe roku i viteve 1970 dhe 1980-ta.

Kritikët muzikore mbijetesën e grupit gjatë dekadave ia atribuojnë rrënjëve në bluzin tradicional dhe muzikën soul.

Dhe ata godasin edhe më tej. Albumi i tyre i fundit "A Bigger Bang," doli në shitje ne vitin 2005.

Për të shënuar arritjen Jagger, Richards, Wood, dhe Watts do të mblidhen sot në qytetin, ku ka nisur e tëra, në Londër. Ata do të marrin pjesë në një ekspozitë fotografish që shënojnë 50 vitet e Stones dhe kanë siguruar se perrfomansa e tyre nuk do ndalet.(a.i.)


The Rolling Stones - Sympathy For The Devil

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG