Ndërlidhjet

Maqedoni: Financimi i partive politike - jotransparent


Pano reklamuese - foto nga arkivi
Pano reklamuese - foto nga arkivi
Derisa llogaritë e partive politike në Maqedoni “paraqesin zonë gri”, është shumë vështirë të besohet se procesi zgjedhor mund të realizohet sipas standardeve të rekomanduara nga Bashkimi Evropian, theksojnë ekspertët juridikë. Sipas tyre, kjo paraqet dhe sfidë në tryezën e bisedimeve që ka Shkupi zyrtar me Brukselin, në kuadër të dialogut të lartë politik që pritet të nisë në vjeshtë.

Eksperti për çështje juridike, Osman Kadriu, vlerëson se mungesa e institucioneve të pavarura përbën barrierë serioze në për realizimin e proceseve zgjedhore sipas standardeve të vendeve të zhvilluara demokratike.

“Devijimet që paraqiten në Maqedoni gjatë realizimit të proceseve zgjedhore vënë në sprovë dobësitë e sistemit, dobësitë e institucioneve që nuk janë në nivelin e duhur të realizimit të detyrave që i kanë të përcaktuara me ligj kur zhvillohen zgjedhjet, qofshin ata lokale, parlamentare ose presidenciale”, vlerëson Kadriu.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, gjatë prezantimit të raportit për harmonizim dhe implementim të rekomandimeve të grupit të shteteve kundër korrupsionit - GREKO, sa i përket transparencës së financimit të partive politike, thekson se Maqedonia, prej 6 rekomandimeve të përcaktuara , një e ka implementuar në mënyrë të kënaqshme, tri pjesërisht dhe dy nuk janë implementuar.

"Për realizimin e rekomandimeve janë bërë ndryshime të Kodit Penal dhe Zgjedhor të Ligjit për financim të partive politike dhe janë realizuar trajnime nga ana e Akademisë për trajnim të gjykatësve dhe prokurorëve publikë për vepra penale nga sfera e korrupsionit", thotë Bexheti.

Por, drejtuesit e “Transparency International” në Maqedoni, thonë se pikërisht institucionet, të cilat sipas funksionit të tyre duhet të kryejnë mbikëqyrje dhe kontroll, ndërsa sipas natyrës duhet të jenë të pavarura, siç janë Enti Shtetëror i Revizionit dhe Komisioni Anti-Korrupsion, veprojnë në formë selektive.

Kryetarja e kësaj organizate, Sllagjana Taseva, thekson se pushteti ka krijuar një sistem korrupsioni që vetë mirëmbahet.

“Krijimi i një pushteti absolut me të drejtë imponon pyetjen, kush do t'i kontrollojë kontrollorët? Raportet e Entit për Revizion për financimin e fushatave janë joligjore dhe jashtë standardeve. Revizorët nuk e kryejnë funksionin për mbikëqyrje dhe kontroll, revizorët nuk i kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe nuk kanë sanksionuar përgjegjësit për fushatat zgjedhore”, thekson Taseva, drejtuese e “Transparency International” në Maqedoni.

Ndërsa, Komisioni Shtetëror për parandalimin e korrupsionit hedh poshtë akuzat se lëndët e parashtruara i trajton në formë selektive.

Kryetarja e Komisionit, Lubinka Koravovska, thotë se puna e këtij institucioni bazohet në respektimin e ligjeve ekzistuese.

“Puna jonë përfundon në momentin e ngritjes së iniciativës për të konstatuar se ndonjë subjekt politik ka shkelur ligjet ose jo, sa i përket burimeve të financimit gjatë fushatave zgjedhore, më pas i mbetet Prokurorisë nëse duhet ose jo të ngrejë iniciativë”, sqaron Koravovska.

Por, drejtoresha e “Transparency International”, Sllagjana Taseva, thotë se jo rrallëherë janë konstatuar parregullsi nga ana e Inspektoratit të lartë shtetëror sa i përket shpenzimit të mjeteve të ndërmarrjeve publike për financimin e partive politike që janë në pushtet, por sanksionet, siç thekson ajo, pothuajse gjithmonë kanë munguar.

“Ne kemi raste kur revizioni shtetëror konstaton se janë shpenzuar mjete për fushatë nga ana e ndërmarrjeve publike, siç është materiali propagandues ose shpenzimet për karburant për bartjen e ithtarëve të partisë nga një qytet në tjetrin dhe shpenzime të tjera, por si pasojë e kontrollit të politikës ndaj sistemit gjyqësor, asnjëherë s’është ngritur procedurë penale për këto parregullsi”, shprehet Taseva.

Ndërkohë që Blerim Bexheti, duke argumentuar mosngritjen e asnjë procedure gjyqësore ndaj bartësve të funksioneve publike, thotë se ndryshimet e fundit ligjore do të pamundësojnë keqpërdorimet nga ana e institucioneve publike.

“Gjithsesi se të gjitha ndryshimet ndërmerren në legjislacion, kjo çështje vendoset në pikën e duhur të rëndësisë sa i përket eliminimit të parregullsive financiare të partive politike”, potencon Bexheti.

Ndryshe, gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, VMRO DPMNE-ja ka paraqitur se ka shpenzuar 272.334.493 denarë, apo rreth 4.4 milionë euro, dhe është shpenzuesja më e madhe nga zgjedhjet e një viti më parë; LSDM-ja ka shpenzuar rreth 285 mijë euro; BDI-ja 5.312.511 apo rreth pesëdhjetë herë më pak se partneri i tyre i koalicionit, dhe PDSH-ja 2.735.368.

Sipas Ligjit për financimin e partive politike, çdo donacion që i jepet partisë së caktuar politike, duhet të kalojë përmes xhirollogarisë që hapet enkas për fushatë, nga një person përgjegjës, ndërsa e njëjta mbyllet menjëherë mbas përfundimin të zgjedhjeve.

Në Maqedoni rasti më i freskët për financim joligjor të zgjedhjeve është ai i kryetarit të partisë Të Bashkuar për Maqedoninë, Ljube Boshkovski, të cilit një ditë pas zgjedhjeve të 5 qershorit të 2011-ës, policia i zuri një sasi parash kesh prej 100 mijë eurosh, që nuk ishin të regjistruara askund, me ç'rast ai u burgos dhe u dënua me 7 vjet burgim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG