Ndërlidhjet

Kosovë: Manipulimet në zgjedhje - krim i organizuar


Numërimi i votave - foto nga arkivi.
Numërimi i votave - foto nga arkivi.
Edhe pse i kishin caktuar lëndë me prioritet të gjitha rastet që flasin për manipulime në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010 dhe gjatë rivotimit në fillim të 2011-s, institucionet përgjegjëse të drejtësisë kanë dështuar në ndjekjen adekuate të manipuluesve me vota, thanë përfaqësues të Institutit të Kosovës për Drejtësi, gjatë publikimit të analizës “Krimi i organizuar në zgjedhje”.

Ata u bënë thirrje prokurorive publike dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës që t’i shtrijnë hetimet për manipulime në zgjedhjet e kaluara edhe në drejtim të krimit të organizuar.

Edhe pse, deri më tani, thuhet se janë ngritur akuza ndaj 1 516 personave dhe se në proces të ngritjes së aktakuzave janë 750 persona të tjerë, Betim Musliu - njëri nga hartuesit e analizës së IKD-së, tha se prokurorët ende nuk kanë arritur të zhvillojnë hetime të gjithanshme për të gjetur organizatorët e këtyre manipulimeve.

“Pas këtyre ekzekutuesve të krimeve kanë ekzistuar persona të fuqishëm, të cilët i kanë organizuar ato; të cilët i kanë financuar ato dhe të cilët i kanë shtyrë apo nxitur në forma të ndryshme”, tha Musliu.

Musliu theksoi se përgjegjës për manipulimin e zgjedhjeve janë përfaqësuesit e partive politike, të cilët, në rolin e komisionarëve, kishin ekzekutuar manipulimet.



Shumica e komisionarëve, akuzohen nga prokuroritë për veprën penale “mashtrim në votime”, nga neni 180 i Kodit Penal të Kosovës.

Por, kjo, sipas Musliut, ndodh meqë prokurorët mohojnë të kenë gjetur prova dhe elemente të mjaftueshme të krimit të organizuar në zgjedhje.

“Natyrisht se ato nuk mund të sigurohen nëse nuk kërkohen. Këtu është duke dështuar prokurori i shtetit, Prokuroria Speciale dhe EULEX-i, i cili ka mandat për luftimin e krimit të organizuar dhe që do të duhej të përfshihej gjithsesi në hetimin e këtyre rasteve”, u shpreh Musliu.

Analiza e Institut të Kosovës për Drejtësi vë në pah vlerësimin e Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatës Supreme për manipulimet në zgjedhje, e sipas të cilit janë plotësuar të gjitha elementet e krimit të organizuar me përjashtim të dobisë tjetër pasurore - gjë që sipas institutit, vjen si pasojë e interpretimit të ngushtë të Kodit Penal nga ana e prokurorëve.

Laura Pula, Prokurore në Prokurori të Shtetit dhe Koordinatore e lëndëve të zgjedhjeve, tha se për shkak të mungesës së një komentari të Kodit Penal të Kosovës, nuk mund të bëhet interpretimi i gjerë i dobisë tjetër pasurore.

“Meqenëse Kodi nuk ka një komentar të posaçëm për interpretimin e dobisë tjetër pasurore, atëherë duhet të merremi me interpretimin e ngushtë të dobisë pasurore. Nëse shkojmë me interpretim të gjerë do binim ndesh me parimin e ligjshmërisë”, theksoi Pula.

IKD-ja theksoi nevojën për shtimin e dënimeve me burg, meqë, siç thuhet, dënimi me gjobë nuk shtynë të dënuarit të mos i përsërisin manipulimet me vota.

Rrjedhimisht, instituti sugjeroi Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës që të bëjnë gati një strategji për pranimin e më shumë personave që duhet të vuajnë dënimin efektiv në burg.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG