Ndërlidhjet

"Shkupi 2014" gëlltit huatë bankare


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Sipas të dhënave të Ministrisë së Finacave të publikuara edhe në ueb faqen zyrtare të dikasterit, buxheti shtetëror peshon 168.5 milionë euro, që është për 9 milionë euro më pak, krahasuar me muajin maj të vitit të kaluar.

Ndërkohë që qeveria ka aplikuar për të marrë 75 milionë euro në formë borxhi prej “Deutsch Bank” , duke shtuar hovin e ndërtimit të projektit “Shkupi 2014”-të, partitë opozitare kanë kërkuar sqarim nga ministri i Financave, se ku saktësisht do të destinohen mjetet nga huamarrja e kredisë, e cila është me normë interesi prej 5.3% për 5 vjet, kur edhe duhet të kthehet shuma e tërë.

Ushtari në kalë - Shkup
Ushtari në kalë - Shkup
Deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Izet Zeqiri thekson se përderisa ekonomia e Maqedonisë është në gjendje të vështirë kurse buxheti i Maqedonisë para kolapsit, është normale që vendi të hyjë në borxh, por qeveria patjetër duhet t’i ndjekë vërejtjet e FMN-së se në kohë krize nuk duhet harxhuar mjete në përmendore, por në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore.

Sipas Zeqirit, edhe më problematik është fakti se borxhin e marrë nga “Deutsch Bank”, do e kthejnë taksapaguesit shqiptarë , gjersa të gjitha ato mjete shpenzohen vetëm për projekte mono-etnike.

Duke u nisur nga fakti se të gjitha këto mjete do të destinohen për të përforcuar trungun historik të identitetit maqedonas, dhe aspak nuk bëhet fjalë për një projekt multietnik është më se i arsyeshëm reagimi i shqiptarëve ndaj mënyrës se si shpenzohen paratë e buxhetit, aq më shumë se borxhin nga huamarrja do e paguajnë edhe ata si taksapagues”, shperehet Zeqiri.

Ndërkohë, të martë është vendosur dhe busti i “ushtarit në kalë”, në komunën e Kisella Vodës së Shkupit, në vlerë prej 350 mijë eurosh.

Opozita maqedonase LSDM, ka reaguar duke theksuar se pushteti dyfish keqpërdor paratë e popullit, një me atë që ri-definon kontributin e figurave të historisë maqedonase, dhe e dyta në kohë krize investohet në projekte jokapitale që edhe më shumë kontribuon në thellimin e krizës.

Dimitar Pop Georgiev
Dimitar Pop Georgiev
Pushteti vazhdon me përpjekjet që të ridefinojë historinë maqedonase, me vetëdije i nënçmon heronjtë e LNC-së dhe ngre përmendore siç është kjo e Todor Aleksandrovit, i cili është i njohur për qëndrimet e tij pro-bullgare, dhe më e keqja kjo bëhet me paratë e qytetarëve, për çka ata nuk janë konsultuar”, thekson Tanja Tomiq nga LSDM.

Pos kësaj përmendoreje në Shkup, brenda kësaj jave janë vendosur edhe dy të tjera, ajo e themeluesve të VMRO-DPMNE-së në parkun e qytetit, dhe ajo e Dimitar Pop Georgievit në sheshin Pella të Shkupit, në vlerë prej 1.5 milion euro.

Por, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE është kundërpërgjigjur se mjetet e nga marrja e kredisë do të shfrytëzohen për të ruajtur stabilitetin e shkallës së tatimeve.

Kjo qeveri edhe më tej do të vazhdojë me politikën, që do të thotë mos t’i ulë subvencionet, mos pësojë shkurtime në pagat e administratës dhe pensionet, si dhe mos të rriten tatimet”, shprehet deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Cuklev, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës maqedonase, se gjatë qeverisjes së tyre, asgjë nuk kanë bërë për kulturën dhe identitetin maqedonas.

Ne 20 vjet jemi shtet i pavarur, dhe do të ishte mirë që edhe para se të vijmë ne në pushtet të ndërtohej shteti dhe më në fund të kishim metropol, gjegjësisht kryeqytet me këtë pamje. Ne kishim kryeqytet që i ngjante çdo gjëje, përveç kryeqytetit”, thotë Cuklev.

Ndryshe, deficiti buxhetor gjatë 5 muajve të parë të këtij viti arrin vlerën prej 88 milionë euro, që nga ekspertët e ekonomisë vlerësohet si tejet problematik , sepse kompanitë nuk arrijnë të paguajnë taksat, meqë njëkohësisht shteti atyre u ka borxh për më shumë se disa milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG