Ndërlidhjet

Maqedoni: Bie interesimi për shkolla profesionale


Ilustrim
Ilustrim
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave bëjnë të ditur se është në rënie numri i studentëve, të cilët regjistrohen në shkollat profesionale dhe fakultete dhe të njëjtit arrijnë të diplomojnë në afatin e paraparë, edhe atë për 1.4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Kjo duhet marrë si parametër serioz për t`u analizuar, thekson Adnan Jashari, nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, se në Maqedoni nevojiten reforma thelbësore në arsimimin e lartë, madje në arsimin në përgjithësi.

”Në disa profesione, dalëngadalë rritet numri i të diplomuarve, siç janë juristët, ekonomistët, si dhe në shkencat e tjera shoqërore dhe njëkohësisht kemi deficit në profesionet që lidhen me shkencat teknike”, thotë Jashari.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë, përmes fushatave të ndryshme mediatike, inkurajon të rinjtë për të vijuar studimet, veçanërisht ata me mendje më kreative që të ofrojnë idetë e tyre.

“Asnjëherë nuk është vonë” - është njëra nga porositë e Qeverisë që të inkurajojë të studiojnë të rinjtë duke paguar 200 euro brenda një viti nëse arrijnë të përfshihen në kuotën shtetërore, për dallim nga 600 euro sa është pagesa jashtë kësaj kuote. Njëkohësisht, stimulohen të vazhdojnë studimet edhe ata të cilët janë mbi moshën dyzet vjeçare.

E, studentët ankohen se kjo vlerë shumëfishohet me regjistrimin e vitit akademik, pagesa të taksave të ndryshme, të cilat bëhen të papërballueshme për shkak të standardit të ulët të Maqedonisë.

Iva Dodevska është studente e vitit të dytë në Universitein e Shkupit. Ajo thotë se ka qenë shumë e lumtur kur e ka parë veten në listën e kuotës shtetërore, që nënkupton 100 euro për semestër, meqë prindërit e saj janë të papunë, por ky gëzim asaj i ka zgjatur shumë pak.

“Sa e sa pagesa më dolën menjëherë pasi regjistrova vitin, 30 euro për indeks elektronik, dhjetëra euro për sigurim dhe çështje tjera administrative, më pas sipas sistemit të transfero-kredive, detyrohemi të paguajmë rreth 8 euro për paraqitjen e një provimi dhe shumë e shumë shpenzime që janë disa fish më shumë se vlera që reklamohet për regjistrimin e vitit”, tregon Dodevska, duke shtuar se këto pagesa “të padukshme vënë në pikëpyetje vazhdimin e studimeve”.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohen udhëheqësit në universitetet e Maqedonisë, të cilët nënvizojnë se shpenzimet shtesë kanë të bëjnë me formën e re të studimeve sipas sistemit të Bolonjës.

“Kemi hartuar një listë të unifikuar të çmimeve për shërbimet e ndryshme për studentët, e cila është miratuar dhe nga Senati i Universitetit të Shën Qirili dhe Metodi”, thekson Borçe Davitkovski, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Shkup, duke nënvizuar se të gjitha shpenzimet janë transparente.

Pos kostos së lartë të studimeve, të rinjtë humbasin interesin për të studiuar edhe si pasojë e pamundësisë për t`u punësuar.

Adnan Jashari, profesor universitar, thotë se krahas angazhimit për t’u integruar në familjen evropiane, duhet të përqendrohen në integrimin e qendrave universitare për të krijuar një strategji, e cila do të kontribuonte në përmirësimin e tregut të punës, veçanërisht për gjeneratat e reja.

“Përderisa gjithnjë e më shumë bisedohet për mungesën e investimeve të huaja dhe, njëkohësisht, harrojmë se gjigantët botërorë, pos tregut, kanë nevojë për forcë punëtore, gjegjësisht kuadro të profesionalizuara në shkencat teknike që fatkeqësisht asnjë shtet nuk i posedon. E gjithë kjo ndikon që rajoni të mos jetë truall atraktiv për të investuar. Drejtuesit e qendrave universitare është koha e fundit që të mendojnë në drejtim që arsimimi të jetë në shërbim të tregut të punës”, shprehet Jashari.

Rangimet ndërkombëtare, si dhe rezultatet nga anketat e ndryshme të studentëve dëshmojnë për nevojën që reformat të jenë dyfish më të nevojshme, sidomos kur bëhet fjalë për arsimin e lartë në gjuhën shqipe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG