Ndërlidhjet

Përfaqësimi institucional sipas Marrëveshjes së Ohrit


Ekspertët vlerësojnë se përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore konform Marrëveshjes së Ohrit, është një nga pikat më të ndjeshme, veçanërisht kur kihet parasysh fakti se në Maqedoni është në rritje papunësia, gjë që sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave, papunësia është mbi 33 për qind.

Gjersa partitë politike shqiptare akuzojnë njëra tjetrën, për paaftësinë e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

PDSH konsideron se me këtë dinamikë që realizohet, punësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore do të duhen 50 vjet , për t’u arritur një baraspeshë, konform numrit të përgjithshëm të popullsisë, gjegjësisht shqiptarët të përfaqësohen me 25 për qind.

Ata të cilët kanë përgjegjësi dhe legjitimitet, nuk kanë guximin të pranojnë realitetin se përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore është larg dinamikës së paraparë konform dokumentit kornizë, por akoma edhe më keq, dalin dhe gënjejnë shqiptarët se punët shkojnë në drejtim të duhur”, vlerson Zeadin Sela nga PDSH-ja.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet Muhamed Hoxha, zëdhënës i qeverisë së Maqedonisë, njëherësh dhe shef i kabinetit të zëvendëskryeministrit përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas tij, të gjitha institucione gjatë hapjes së konkurseve, janë të obliguar që gjatë përzgjedhjes së kandidatëve, të respektojnë përfaqësimin e drejtë, gjegjësisht 25 për qind e tyre të jenë shqiptarë.

Të gjitha institucionet shtetërore janë të obliguara të respektojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve të Maqedonisë, obligim ky që buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe është pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë”.

Përfaqësimin e drejtë e koordinon sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërkohë që në çdo seancë të qeverisë, sa i përket këtij dokumenti, qeveria informohet për rrjedhën e implementimit të dokumentit të Ohrit, përfshirë këtu dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet e sistemit”, thekson Muhamet Hoxha.

Polemikat për përfaqësimin e shqiptarëve edhe më shumë u nxitën pas qëndrimit të fundit të ministres së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska, se në konkursin e hapur për 300 policë, përzgjedhja do të bëhet në bazë të respektimit të kualiteteve psikofizike të kandidatëv,e si dhe përgatitjes se tyre profesionale, duke lënë të nënkuptohet se 25 nuk do të jetë i domosdoshëm për t’u respektuar.

Ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se konkurset e qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore, kur për një vend pune aplikojnë rreth një mijë persona, kryesisht të rinjtë të moshës nën 25 vjeçare, është një indikator serioz për shkallën e lartë të papunësisë në vend.

Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, thotë se edhe më shqetësues është fakti se të rinjtë shqiptarë, të ardhmen e shohin vetën në administratë.

Partitë politike shqiptare, bënë një veprim të pafalshëm duke e konvertuar popullin shqiptarë nga sipërmarrës, siç kemi qenë tradicionalisht ne si qytetarë shqiptarë, në shërbyes civilë, duke proklamuar këtë fenomen shoqërorë në vlerë . Vlerësoj se kemi një fenomen devijues në shoqëri, ku gjenerata e parë janë sipërmarrës, aplikojnë në institucionet shtetërore, duke u kënaqur me një pozicion administratori”.

Është për t’u analizuar me keqardhje fakti ku në qeveri kemi participimin e shqiptarëve si ministra dhe zëvendësministra, dhe nga ana tjetër kemi vështrimin e atyre të cilët perspektivën e shohin vetëm si shërbyes civilë, duke e humbur atë pjesën e mesme si menaxhues të kompanive që prodhojnë vlera në ekonomi”, thekson eksperti i ekonomisë Visar Ademi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG