Ndërlidhjet

Maqedoni: Gazetarët dënohen me para për shpifje


Ilustrim
Ilustrim

Marrëveshja e arritur mes qeverisë dhe shoqatës së gazetarëve për ç'kriminalizimin e shpifjes, është komentuar në forma të ndryshme nga përfaqësuesit e mediave.

Në bazë të marrëveshjes për arritjen e të cilës u deshën disa muaj negociata, gazetarët nuk do të dënohen më me burg nëse paditen për shpifje apo ofendime në shkrimet e tyre, por do të dënohen me para.

Gazetarët deri me 2 mijë euro, kryeredaktorët deri me 10 mijë, ndërsa deri 15 mijë euro pronarët e medias.

Nazim Rashidi, ligjërues i gazetarisë në USHT, dhe pjesëmarrës si ekspert i jashtëm i Shoqatës së Gazetarëve në negociatat për arritjen e marrëveshjes me Qeverinë, thotë se kjo shënon një hap përpara në vendosjen e rregullit dhe të përcaktimit të masave ndëshkuese, gjë që nuk ishte praktikë e mëhershme kur gazetarët dënoheshim me shuma të mëdha parash.

Rashidi sqaron më tej fazat nëpër të cilat do të duhej të kalonte i gjithë procesi, deri në marrjen e epilogut përfundimtar, në rast se pretendohet se gazetari mund të ketë shpifur në raste të caktuara.

Ka disa faza, derisa gjykata të vendosë një lloj dënimi financiar për gazetarin, kryeredaktorin apo median. Nëse pre-supozohet se një gazetar ka bërë shkelje dhe ai kërkon falje, i gjithë procesi gjyqësor përfundon”.

Nëse pre-supozohet që gazetari nuk mund të vërtetojë se atë që e ka shkruar është e vërtetë dhe refuzon të kërkojë falje, atëherë gjykata do të vendosë që media të publikojë përgënjeshtrimin, dhe vetëm nëse media refuzon ta bëjë edhe këtë, atëherë gjykatësi ka të drejtë të shqiptojë dënimin”, thotë Rashidi.

Por, ndryshe nga ai vlerëson Borjan Jovanovski, gazetar dhe redaktor në media të ndryshme të vendit.

Ai thotë se marrëveshja edhe më shumë përkeqëson gjendjen në mediat, pasi gazetarët sipas tij, tani do t’i nënshtrohen edhe presionit të pronarëve të mediave.

Presioni ndaj gazetarëve do të vazhdoj edhe më tej dhe kjo marrëveshje në esencë nuk ndryshon asgjë. Vlerësoj se me këtë zgjidhje të ofruar, gazetarët do t'i nënshtrohen edhe më shumë vetëcensurës. Pra, marrëveshja e arritur mes Qeverisë dhe Shoqatës së Gazetareve në asnjë mënyrë nuk mund të kontribuojë në zgjidhjen e konflikteve, sa i përket lirisë së shprehjes në Maqedoni”.

Marrëveshja e re mund të jetë vetëm në funksion të sistemit gjyqësor, për të parë nëse është i gatshëm për të vepruar në mënyrë të pavarur, apo do të vazhdojë edhe më tej të punojë në ndikimet politike. Por, nuk besoj se do të kenë ndryshim nga praktika e deritanishme”, thotë Borjan Jovanovski.

Nazim Rashidi, nga ana tjetër, thotë se marrëveshja nuk është përfundimtare dhe madje as propozim-ligj.

Debatet, sipas tij, do të vazhdojnë deri në hartimin e propozim-ligjit, që duhet të miratohet më pas në Kuvend.

Edhe ai thotë se në periudhën në vijim duhet të qartësohet në veçanti çështja e pronarëve të mediave.

Mendoj që ekspertët juridik sidomos në fushën e medias do të duhet të bëjnë saktësime të qarta që të mos ketë keqkuptime që në asnjë lloj mënyrë të mos ndodhë momenti që presioni për gazetarët nga njëra anë të kaloj në anën tjetër”.

Pra, nëse përpara presioni ishte politik ose nga subjekte të ndryshme tani të mos bëhet ky presion nga pronarët. Ky moment vlen për të diskutuar ndërkohë që edhe pjesët e tjera sigurisht se mund të diskutohen si shumat e parashikuara me ligj gjithçka duhet të merret parasysh se gazetarët në Maqedoni nuk marrin rroga të mëdha”, thotë Nazim Rashidi.

Veç kësaj, Shoqata e Gazetarëve dhe Qeveria duhet të diskutojnë edhe ligjin për radiodifuzion, si dhe atë për marrëdhënie pune ndërkohë që vazhdon të mos ketë asnjë zhvillim sa i përket propozim-ligjit për punën e mediave të jashtme që ishte vlerësuar si kufizues dhe i papranueshëm, jo vetëm nga gazetarët dhe njohësit e fushës mediatike, por edhe nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG