Ndërlidhjet

Vdes Dino Asanaj, nuk u mbijetoi plagëve


Dino Asanaj
Dino Asanaj
Drejtori i klinikës kirurgjike në Prishtinë, Mehmet Maxhuni, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se Dino Asanaj, drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nuk i mbijetoi plagët e sulmit me thikë, me gjithë përpjekjet e mëdha të personelit mjekësor.

I ndjeri Asanaj, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka arritur rreth orës 13:00, dhe personeli mjekësor ka intervenuar shumë shpejt. Ka pasur dy therje, një në fyt dhe një në gjoks, që i ka prekur mushkëritë dhe zemrën, dhe disa të tjera që nuk kanë qenë vdekjeprurëse. Me gjithë përpjekjet, i ndjeri ka ndërruar jetë rrethe orës 14:20”, shpjegoi Maxhuni.

Më herët, Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se Dino Asanaj, ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga shoferi i tij.

Motivet e këtij sulmi, Policia e Kosovë e nuk i ka mësuar, por siç thonë ata, hetimet janë duke vazhduar, dhe shumë pista janë të hapura. Policia, po ashtu bën të ditur se në ketë rast janë inkuadruar edhe njësitë për hetimin e krimeve të rënda.

Në orët e pasditës, Policia e Kosovës, përmes një komunikate ka konfirmuar se “bazuar në hetimet preliminare të hetuesisë, i ndjeri Dino Asanaj është sulmuar në zyrën e tij në Fshatin Ndërkombëtar në lagjen e Hajvalisë”, thuhet në komunikatë.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka konfirmuar se trupi i pajetë i Asanajt është vendosur në institut dhe të premten, me urdhër të Gjykatës së Qarkut, do t’i bëhet autopsia.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partitë politike kanë dënuar ashpër aktin kriminal të vrasjes së kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.

Qeveria kërkon nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryesit e kësaj vrasjeje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.(a.k.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG