Ndërlidhjet

Vdekshmëria e foshnjave, ndër më e larta në Evropë


Ilustrim
Ilustrim

Derisa në Kosovë në vitin 2000, shkalla e vdekshmërisë së foshnjave ka qenë 29 vdekje në 1 mijë lindje, 10 vjet pas, vdekshmëria ka rënë në 19 vdekje në 1 mijë lindje, bëjnë të ditur zyrtarët shëndetësorë.

Sipas tyre , në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, vdekshmëria e foshnjave ka rënë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Por, ajo vazhdon të mbetet ndër më të lartat në Evropë.

Nga të dhënat perinatale, sa i përket vdekshmërisë së foshnjave, ndodhet diku ndër më të lartat në Evropë, por që kemi pasur një ulje kohëve të fundit. Me përkushtimin e gjithë stafit, në bazë të të dhënave në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kemi rezultate inkurajuese, sepse nga 22 promil sa ka qenë vitin e kaluar, këtë vit ka rënë në 17 promil”, thotë Minavere Hoxha, neonatologe në Qendrën Klinike Universitare.

Ndërkaq, zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thonë se vdekshmëria e foshnjave në Kosovë mbetet shqetësuese.

Sipas tyre, arsyet e vdekshmërisë së lartë janë si pasojë e shumë faktorëve.

Sami Uka nga kjo organizatë, thotë se me strategjinë për shëndetin e nënës dhe fëmijës, në shumë vende në zhvillim, është arritur të parandalohet vdekshmëria e fëmijëve.

Ne si OBSH kemi ofruar rekomandimet dhe përvojat tona për luftimin e kësaj dukurie. Ajo që mund të them është se duhet një veprim multisektorial, meqë vdekshmëria nuk është pasojë vetëm e mospunës, por edhe e gjendjes së vështirë ekonomike dhe edukatës shëndetësore të popullatës, dhe në fund si pasojë e shërbimeve jo të mira që i ofrohen foshnjave”.

Duhet vazhdohet me ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, dhe të forcohet koncepti i mjekësisë familjare, të cilat do të ofronin një cilësi dhe një qasje më të mirë për foshnjat, në mënyrë që të synohet të ulet vdekshmëria e tyre”, shprehet Uka.

E zonja Hoxha, bën të ditur se arsyeja pse në Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht në klinikën e neonatologjisë, ndodhin raste të vdekjes së foshnjave, vjen si pasojë e frekuencës së madhe nga gjitha anët e Kosovës.

Foshnjat janë të ndjeshme, dhe kjo është qendër referente, Gjitha rastet e rënda vijnë, dhe vërtetë rrisin vdekshmërinë. Mirëpo, me formimin e kushteve për një shërbim më cilësor, dita ditës do të përmirësohemi”, thotë Hoxha.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se vdekshmëria e foshnjave është një ndër sfidat kryesore e tërë sistemit shëndetësor.

Ata kanë deklaruar se Kosova përballet me një shkallë ende të lartë të vdekshmërisë së foshnjave, mirëpo krahasuar me vitet e para të pasluftës, sipas tyre, ka pasur një ulje të ndjeshme.

Sa i përket furnizimit me barna në klinikën e neonatologjisë, sipas zonjës Hoxha, ato mungojnë në të shumtën e rasteve.

Sa i përket barnave, ende ndihet mungesë, dhe aparatura e sofistikuar mungon, kemi mungesë të barnave që përdoren për një përdorim. Ka raste kur edhe nga lista esenciale mungojnë barnat. Por, ka raste edhe kur jemi mirë të furnizuar”, thekson ajo.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konsiderohet se 33 për qind e foshnjave që lindin para kohe, vdesin nga faktorë të ndryshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG