Ndërlidhjet

Londër: Hetimi që po zbulon lidhjet e politikanëve me mediat


Ilustrim
Ilustrim
Derisa liderët politikë të Britanisë po dëshmojnë para një paneli etik mbi marrëdhëniet e tyre me mediat, një pyetje dominon rastin.

Ajo është: A janë politikanët britanikë aq të afërt me mediat, apo iu frikësohen atyre dhe a është kjo në të mirë të vendit?

Në mesin e atyre që tashmë janë paraqitur që nga e hëna para panelit etik të udhëhequr nga gjykatësi Brajan Leveson, janë ish kryeministri laburist Gordon Braun, lideri aktual laburist Ed Miliband, dhe ish kryeministri konservator Xhon Mejxhër.

Të gjithë nga ta, plus kryeministri Dejvid Kameron, që pritet të paraqitet të enjten, dëshmojnë në hetimin britanik njëvjeçar mbi praktikat ilegale të gazetarëve, kryesisht të përgjimit përmes telefonit.

Edhe pse tabloidi, nga ku filloi skandali, News of the World i Rupert Mërdokut është mbyllur në muajin korrik, skandali vazhdon të shtrihet. Deri më tash ka çuar në arrestimin dhe dorëheqjen e dhjetëra gazetarëve, operatorëve policorë dhe zyrtarëve.

Tani, pyetjet për marrëdhëniet e figurave kryesore politike të vendit me shtypin, dhe në veçanti me Mërdokun, kanë krijuar një krizë në partitë politike britanike.

"Ne po mësojmë se establishmenti politik u bë, me siguri gjatë dy dekadave të fundit, shumë i afërt në të vërtetë me elementet e shtypit, veçanërisht me ata të News Corporation dhe News International (kompanitë mediatike të Mërdokut ), pasi ato e dominonin tirazhin me pothuajse 40 për qind të tirazhit të përgjithshëm të shtypit në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe me disa organizata të tjera.”

Ky është Martin Mur, drejtor i organizatës së pavarur që shqetësohet për standardet e reja, Media Standard Trust. Ai thotë se marrëdhëniet e afërta përmbajnë edhe “frikën” edhe “favorin” dhe secila rrezikon trupin politik të Britanisë.

Sugjerimet për nivelin e frikës - dhe zemërimit - që shtypi mund të frymëzojë te politikanët erdhën pas shfaqjes së Braunit të hënën. Braun, kryeministër nga viti 2007 deri më 2010, e sulmoi ashpër Mërdokun, duke mohuar pretendimin e baronit të shtypit se Braun i telefonoi atij për t’i thënë se Partia Laburiste “do të bëjë luftë në kompaninë e tij” pasi që The Sun e Mërdokut kaloi mbështetjen për Partinë Konservatore në vitin 2010 .

Por, subjekti i favoreve, është ai që po i intereson më shumë panelit hetimor. Seancat e kësaj jave në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar të dijnë nëse koalicioni aktual qeverisës mes konservatorëve dhe liberaldemokratëve ishte shumë komod me perandorinë e Mërdokut.

Këtu përfshihet punësimi nga ana e Kameronit të një ish redaktori të “News of the World”, Endy Koulson, si këshilltar i lartë për media, pasi që ai u largua nga gazeta në vitin 2007 si pasojë e një skandali të mëhershëm të përgjimit.

Kameron tha se ai kishte të drejtë t’i jepte Koulsonit, një “shans të dytë”, por dorëheqja e ish-ndihmësit në fillim të vitit të kaluar dhe arrestimi i tij i mëvonshëm nga policia e Londrës, që po hetonte skandalin e fundit të përgjimit, e vuri Kameronin në defensivë.

Në mënyrë të ngjashme, zyra e kulturës e qeverisë është në qendër të pyetjeve në lidhje me atë nëse u përpoq që t’i lehtësonte rrugën Mërdokut që të zgjerojë perandorinë e tij në vitin e kaluar duke marrë përsipër BSkyB, ofruesin më të madh britanik për televizionet me pagesë.

Ministri i Kulturës Xheremi Hant po mbrohet, që kur një nga ndihmësit e tij, Adam Smith, dha dorëheqje, pasi që u zbulua se ishte në kontakte të afërta me një nga lobistët e mogulit të mediave në lidhje me një ofertë të Mërdokut.

Pyetja para panelit hetimor te etikës nuk është që të vendoset nëse politikanët britanikë kishin bërë akte të gabuara. Kjo shkon përtej kompetencave të panelit.

Hetimi tashmë ka hedhur dritë mbi atë se sa të afërta u bënë marrëdhëniet mes shtypit britanik dhe politikanëve- dhe shumë shpresojnë se nga hetimi do të dalë sugjerimi se si të korrigjohen problemet

Natalie Fenton, Profesoreshë e Mediave dhe Komunikimeve në Kolegjin Goldsmiths të Universitetit të Londrës, thotë se suksesi i tirazhit masiv të tabloidëve britanikë në dekadat e kaluara i ka bërë politikanët që të varen në mbështetjen e tyre.

Sapo ta gërvishësh sipërfaqen e sheh se ekziston një sasi enorme e marrëdhënie vërtetë të afërta në mes të dy elitave, në mes të elitave politike dhe elitave të mediave(tabloidëve). Dhe këtu kanë hyrë të gjitha llojet e implikimeve për zhvillimin e politikës, për kalimin e legjislacionit, për agjendat politike, të gjitha mënyrat në të cilat politikanët mendojnë të zhvillojnë politikën, se si mund të duket në media, çfarë mund të bëjnë për të pasur ndikim”, tha Fenton.

Hetimi mbi etikën do të prodhojë një raport për qeverinë në tetor, i cili pritet të përfshijë si vlerësimin për shkallën e aktiviteteve të paligjshme të gazetarëve, ashtu edhe rekomandimet për reformën e sistemit aktual të rregullores për shtyp.

Ndër çështjet që i adreson raporti mund të jetë nëse media duhet të lihet që të vetërregullohet nëpërmjet Komisionit ekzistues të Ankesave të Mediave apo do të duhet një bord i pavarur.

Në mënyrë të ngjashme, raporti mund të adresojë çështjen nëse një organ i pavarur, më shumë sesa politikanët, duhet të marrë vendime në lidhje me shtypin në mënyrë që të shmangë rrezikun e konflikteve të interesit. (a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG