Ndërlidhjet

Udhërrëfyesi të enjten - Kosova synon kriteret për vizat


Kosova do t’i përmbushë të gjitha kriteret e parapara për liberalizimin e vizave deri në fund të këtij viti, janë zotuar zyrtarë të lartë të Qeverisë.

Një informatë në lidhje me përgatitjet që po bëhen në Kosovë për plotësimin e kritereve evropiane që edhe qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza, para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, prezantuan të hënën zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, tashmë janë disa nga kriteret për Kosovën krahas parakushteve tjera, si siguria e dokumenteve personale, menaxhimi i integruar i kufirit dhe ri-integrimi dhe riatdhesimi.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha me këtë rast se Kosova dhe BE-ja po zhvillojnë një dialog të strukturuar për sundimin e ligjit, i cili ka për qëllim të ndihmojë Kosovën në arritjen e disa rezultateve në fushën rendit dhe ligjit.

“Ky dialog i strukturuar ka tri prioritete. I pari, ka të bëjë me çështjen e reformimit të gjyqësorit, i dyti, ka të bëjë me luftimin e krimit të organizuar dhe i treti me luftimin e korrupsionit. Takimi i parë është mbajtur tashmë, kursetakimi i radhës pritet të zhvillohet pas Raportit të Progresit. Një ndër kushtet vendimtare që paraqitet si sfidë për integrim në BE do të jetë suksesi në këtë dialog”, u shpreh Kuçi.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, deklaroi se krahas sfidave që i sjell liberalizimi i vizave, gjendja në veri dhe situata e sigurisë në përgjithësi, një problem më vetë mbetet edhe çështja e azilit.

Kërkesat e kësaj natyre janë armiku më i madh i liberalizimit të vizave për Kosovën, deklaroi Rexhepi.

“Liberalizimi do të mundësojë që sa më pak të ketë keqpërdorim, falsifikim të dokumentacioneve dhe kjo do të jetë ndihmë edhe për shtetet tjera në rajon. Por, e them se me këtë udhërrëfyes që do ta marrim të enjten, ne do t’i përmbushim kushtet, kurse gabimet që i kanë bërë shtetet tjera ne nuik do t’i përsërisim. Do ta menaxhojmë këtë proces, ndoshta më mirë sesa shtetet tjera që janë në këtë proces”, tha Rexhepi.

Po në lidhje me çështjen e vizave për qytetarët kosovarë, me ministrin Rexhepi bisedoi të hënën në Prishtinë edhe ministrja për Azil dhe Migracion e Belgjikës, Megi de Bllok. Ajo tha se liberalizimi i vizave ka rëndësi të madhe për integrimin e Kosovës në BE, mirëpo keqpërdorimi i tyre, sipas saj, nuk do të lejohet.

“Ne kemi arsye të brengosemi, prandaj Belgjika e trajton liberalizimin e vizave me një kujdes të madh, ngase ne duam që t’i shmangim keqpërdorimet pas liberalizimit të vizave”, theksoi ministrja de Bllok.

Ndërkaq, vështruar vetëm nga synimet e Qeverisë së Kosovës, sipas ministrit Bajram Rexhepi, kriteret për liberalizimin e vizave do të përmbushen deri në fund të këtij viti. Por, ai tërhoqi vërejtjen se vendimi për datën i takon Brukselit.

“Nuk jemi ne ata që i përcaktojmë datat, por kemi në plan që deri në fund të këtij viti, sidomos pasi që të marrim udhërrëfyesin, deri në fund të vitit, ne t’i plotësojmë kushtet teknike, e pastaj kur fillon procedura e statusit të liberalizimit ajo është çështje që varet edhe nga Komisioni Evropian”, deklaroi Rexhepi.

Të enjten, Komisioni Evropian pritet që edhe zyrtarisht t’i dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Ky dokument parashihet se do të përmbajë në vete mbi 100 kritere që duhet plotësuar para se Brukseli të lejojë qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG