Ndërlidhjet

Kritika dhe nevojë për EULEX-in


Policia e EULEX-it, foto nga arkivi
Policia e EULEX-it, foto nga arkivi
Zgjatja e mandatit për misionin e EULEX-it edhe të paktën për dy vjet përshëndetet në Prishtinë, ndonëse nuk mungojnë as kritikat dhe pakënaqësitë me këtë mision.

Vërejtjet kryesore që merr EULEX-i nga deputetet e partive më të mëdha në Kosovë, kanë të bëjnë me angazhimin e tij në komunat veriore.

Përderisa, nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, EULEX-i ka filluar të shihet si një mision i padëshirueshëm.

Përkundër faktit se EULEX-i ishte ftuar edhe nga institucionet e Kosovës në fazën e shpalljes së pavarësisë, megjithatë baza e punës dhe mandatit të këtij misioni buron nga vendimet e Brukseli dhe Këshillit të Sigurimit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, thotë se institucionet e Kosovës kryesisht e kanë kritikuar EULEX-in për mungesë të sundimit të ligjit në veri, por ai e pranon se ky mision e ka trashëguar një gjendje të rëndë në atë pjesë.

Pajaziti mendon se Kosova ka nevojë për misionin e Bashkimit Evropian, përderisa të mos jetë plotësisht e gatshme për integrimin e saj në BE.

E rëndësishmja është që për aq kohë sa ne kemi obligime ndaj BE-së për t’i përmbushur në relacion me anëtarësimin tonë në BE, për aq kemi nevojë për një mision të tillë të sundimit të ligjit duke pas parasysh që edhe ne i takojmë një rajoni i cili është i infektuar me krimin, korrupsionin e gjëra të tilla”, thotë Pajaziti.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, mendon se EULEX-i nuk e ka përmbushur mandatin, sidomos në veri të vendit, dhe beson se Brukseli do të duhej që t’i bëjë një vlerësim punës së këtij misioni.

Personalisht konsideroj që ata (misioni i EULEX-it), nuk e kanë përmbushur mandatin e tyre, duke pas parasysh që kërkohet nga ata që të sigurojnë sundim të ligjit në gjithë territorin e Kosovës apo të asistojnë institucionet e Kosovës në këtë drejtim. Sa i përket veriut të vendit ata absolutisht nuk e kanë përmbushur këtë mision”, thotë Osmani.

Deputetja Vjosa Osmani, thotë po ashtu se i kupton vështirësitë që i ka EULEX-i të punojë në veri, marrë parasysh shtrirjen dhe funksioninim e strukturave paralele serbe atje, por sipas saj, EULEX-it i nevojitet më shumë vendosmëri për ta përmbushur mandatin në atë pjesë.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti thotë se EULEX-i e ka rastin që të përmirësojë shumë punën e vet në Kosovë, nëse ia del që ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës në hapjen e zyrës administrative në veri, dhe më pas edhe në krijimin e komunës së re të Mitrovicës së veriut, me çka do të fillonte shtrirje a autoritetit të shtetit të Kosovës në atë pjesë.

Nëse arrinë EULEX-i t’i funksionalizojë institucionet vendore, komunën e re atje (në veri) që tash për tash është vetëm një bërthamë, atëherë plotësisht do ta arsyetonte edhe ndonjë mangësi që e ka pasur deri më tash”, thekson Pajaziti.

Mirëpo, me shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës në veri, nuk pajtohen aspak udhëheqësit serbë të veriut.

Njëri nga liderët serb të kësaj pjese, Millan Ivanoviq, thotë se EULEX-i po sillet ngjashëm me institucionet e Prishtinës, andaj edhe këto struktura kanë vendosur që këtij misioni t’ia ndalojnë lirinë e lëvizjës dhe qarkullimit në veri të Mitrovicës.

Politika e këtij misioni nuk ndryshohn aspak nga politika e Hashim Thaçit. Ky mision duhet që të sillen neutral ndaj statusit të Kosovës dhe t’i respektojnë të dyja palët në Kosovë, si serbët ashtu edhe shqiptarët, duke respektuar mandatin që ka me Rezolutën 12 44, dhe jo të shtyjë përpara agjendën politike të Hashim Thaçit që për ne serbët nënkupton presion, përndjekje dhe spastrim etnik”, thotë Ivanoviq.

Sidoqoftë, Këshilli i Ministrave i BE-së ka vendosur tashmë që t’i vazhdojë mandatin EULEX-it në Kosovë, së paku deri në qershor të vitit 2014.

Megjithatë, Bashkimi Evropian synon edhe shkurtimin e personelit të misionit për 25 për qind, si pjesë e rikonfigurimit.

Në mesin e personelit të misionit përfshihen kryesisht oficerë policie, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të doganave, marrë parasysh se ky mision synon në radhë të parë t’i ndihmojë institucionet e Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

EULEX-i deri më tash, në punën e vet ka trajtuar kryesisht edhe rastet e dyshuara të krimit dhe korrupsionit, të cilësuara të nivelit të lartë, pasi që institucionet vendore të drejtësisë nuk i kanë arritur ende kapacitetet e mjaftueshme që të përballen me raste dhe nivele të tilla.
XS
SM
MD
LG