Bashkimi Evropian vazhdon të ketë ndikim pozitiv në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili, me perspektivën e anëtarësimit, shërben si motivi i vetëm për reforma demokratike në këto vende, thuhet në raportin më të ri të organizatës Freedom House.
Procesi i kandidaturës pason një seri hapash formalë, të cilët vlerësojnë suksesin e përpjekjeve për të ndërtuar institucione demokratike dhe ekonomi funksionale të tregut.
Megjithatë, pavarësisht synimeve publike për integrim, shumë nga reformat kanë stagnuar, duke bërë që në këtë aspekt Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia të shënojnë rënie gjatë vitit 2011, vlerëson Freedom Housue.
Sipas raportit të organizatës, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj prapa në procesin zgjedhor të dhjetorit 2010. “Zgjedhjet ishin dëmtuar nga mashtrimet, ndërsa në komunat ku është rivotuar, ato janë bojkotuar nga qytetarët – gjë që ka dëshmuar mungesën e besimit në sistemin politik”, thuhet në raport.
Sipas tij, Kosova ka shënuar përmirësim në qeverisjen lokale, me krijimin e komunave të reja dhe me kushtet më të mira për ripranimin dhe integrimin e të kthyerve. Kjo, sipas raportit, ka luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e bisedimeve me BE-në për liberalizimin e vizave.
Organizata Freedom House thotë se Kosova ka shënuar përmirësim edhe në pavarësinë e gjyqësorit, duke përfshirë një bazë më funksionale dhe ligjore në sistemin e saj gjyqësor.
Për Shqipërinë, raporti nuk njeh asnjë përmirësim, duke thënë se viti i trazuar politik e ka zhvendosur vendin edhe më larg kandidaturës për BE.
Freedom House thotë se zgjedhjet lokale janë karakterizuar me shkelje të mëdha, duke kujtuar këtu edhe vendimin gjyqësor për të zgjidhur mosmarrëveshjet rreth kryebashkiakut të Tiranës.
Gjyqësori në Shqipëri, sipas raportit, është përkeqësuar me ndikimin politik, ashtu si edhe me vrasjen e një gjykatësi, për herë të parë në historinë e vendit.
Në fund të vitit 2011, përparimi i Serbisë është vlerësuar pozitivisht nga Bashkimi Evropian, i cili kandidaturën evropiane të këtij vendi e ka lidhur edhe me bashkëpunimin e tij në kapjen e të akuzuarve për krime lufte, thotë organizata Freedom House.
Ajo po ashtu kujton arrestimin e Ratko Mlladiqit dhe të Goran Haxhiqit nga ana e shtetit serb. Megjithatë, organizata thotë se as Serbia, as Mali i Zi nuk kanë shënuar ndonjë ndryshim rezultati në raportin e 2011-ës.
Në pjesën për Maqedoninë, Freedom House thotë se qeverisja kombëtare në vend ka shënuar rënie, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kontestit të emrit.
Presioni politik dhe frikësimi i mediave “kanë vazhduar edhe në vitin 2011”, duke shtyrë poshtë rezultatin e Maqedonisë në këtë kategori.
Sipas raportit, Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar përkeqësim rezultati për të katërtin vit me radhë – këtë herë me dështimin e vazhdueshëm të partive parlamentare për të formuar qeverinë.
“Njëri nga entitetet përbërëse të vendit, Republika Serbe, ka vazhduar të mohojë legjitimitetin e institucioneve të pushtetit qendror”, thuhet në raport.
Bazuar në të, Kroacia ka finalizuar kërkesat për anëtarësim në BE në vitin 2013, por ligji, i cili ndalon Serbinë nga hetimi i të dyshuarve kroatë për krime lufte dhe reagimet publike ndaj dënimeve që ka shqiptuar një gjykatë ndërkombëtare për ish-gjeneralët kroatë, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, sugjerojnë se tendencat nacionaliste të vendit janë në kundërshtim me sundimin e ligjit.
Jashtë pjesës për Ballkanin, raporti vlerëson se zhvillimet negative në Hungari dhe Ukrainë janë në ballë të një tendence antidemokratike në Evropën Qendrore dhe Lindore, e cila rrit shqetësimet për qëndrueshmërinë e demokracive të reja në Bashkimin Evropian, si dhe perspektivat e vendeve aspiruese.
Dy vendet, në mesin e të tjerave, kanë shënuar rënie të mëdha në kategorinë e procesit zgjedhor, atë të mediave të pavarura, qeverisjes kombëtare dhe pavarësisë së gjyqësorit.
TABELA
PROCESI ZGJEDHOR
Rënie: Shqipëria, Bullgaria, Hungaria, Kosova, Rumania, Ukraina.
Përmirësime: Kirgizia, Polonia.
SHOQËRIA CIVILE
Rënie: Azerbajxhani, Bjellorusia, Kazakistani.
Përmirësime: Rusia
MEDIAT E PAVARURA
Rënie: Hungaria, Lituania, Maqedonia, taxhikistani, Ukraina.
Përmirësime: Kirgizia, Moldavia, Sllovakia.
QEVERISJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE
Rënie: Azerbajxhani, Bosnja dhe Hercegovina, Hungaria, Maqedonia, Ukraina.
Përmirësime: Polonia
QEVERISJA LOKALE DEMOKRATIKE
Rënie: Kazakistani
Përmirësime: Kosova
PAVARËSIA E GJYQËSORIT
Rënie: Shqipëria, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bullgaria, Hunagria, Kazakistani, Rusia, Ukraina.
Përmirësime: Kosova, Rumania.
KORRUPSIONI
Rënie: Bjellorusia, Ukraina
Përmirësime: Armenia, Kroacia, Gjeorgjia, Letonia, Sllovenia.