Ndërlidhjet

Fëmijët diskriminohen në baza ekonomike e sociale


Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve u shënua edhe në Prishtinë...
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve u shënua edhe në Prishtinë...
Fëmijët, të cilët vijojnë mësimet në shkollat fillore publike në Kosovë, sipas një hulumtimi të bërë nga Institucioni i Avokatit të Popullit, diskriminohen në baza ekonomike sociale, ndërkaq në pjesën ku flitet për kushtet ku ata mësojnë, thuhet së janë nën nivelin e dëshiruar.

Sipas pohimeve të nxënësve, të cilët i kanë dhënë në mënyrë anonime në të ashtuquajturën “Kutia e së vërtetës”, një numër i konsiderueshëm i nxënësve kanë pohuar se arsimtarët i vlerësojnë me nota varësisht nga pozita e prindërve në shoqëri.

Merita Syla, këshilltare e lartë ligjore në Institucionin e Avokatit të Popullit, thekson se më shumë se gjysma e nxënësve nëpër shkolla kanë thënë se dukuria e diskriminimit ekziston. Syla thekson se nxënësit kanë identifikuar edhe arsimtarët e njëjtë që diskriminojnë në baza ekonomike dhe sociale.

“Gjithashtu edhe tek organizimet e caktuara nëpër orë letrare dhe aktivitete tjera nëpër shkolla, zakonisht nxënësit merren në mënyrë selektive, duke mos u ofruar mundësi nxënësve të tjerë, të cilët kanë, po ashtu, dëshirë për të qenë pjesë e organizimeve në shkolla”, thekson Syla.

Në këtë hulumtim të bërë nga Institucioni i Avokatit të Popullit, shumica e nxënësve kanë pohuar se dhuna psikike dhe fizike është e pranishme në shkollat fillore publike të Kosovës.

Një problem tjetër është potencuar ambienti ku këta fëmijë mësojnë. Në këtë pjesë thuhet se niveli i pastërtisë është në nivel tejet të ulët. Tek e drejta e kujdesit shëndetësor, në raport thuhet se në asnjë shkollë nuk kanë hasur në mjek – pediatër apo stomatolog, pavarësisht që në shumicën prej shkollave ekzistojnë ordinancat.

Po ashtu, çështja e sigurisë nëpër shkolla nuk është e kënaqshme, ndërkaq qasja e fëmijëve në shkolla është e vështirësuar. Mbingarkesa me nxënës vërehet në pothuajse të gjitha shkollat. Në të gjitha klasat thuhet se ka nga 30 nxënës dhe punohet në tri ndërrime.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, thotë se Konventa për të Drejtat e Fëmijëve duhet të zbatohet në Kosovë.

“Thelbi i gjithë Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe legjislacionit të krijuar në Kosovë dhe në vendet tjera është çdo gjë që bëhet, çdo veprim duhet të jetë në interes të fëmijëve dhe në të mirë të fëmijëve. Ne e kemi obligim si në nivelin shoqëror, individual dhe në familje”, thekson Kurteshi.

Ndërsa, përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jerina Demir, theksoi se nevojën për të punuar më shumë në krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë fëmijët, pa dallime.

“Mbani në mend të jepni apo të përmirësoni çdo mundësi që këta fëmijë të kenë një të ardhme më të suksesshme, një edukim cilësor dhe të barabartë dhe mundësi të barabarta pa asnjë diskriminim apo dallim në çfarëdo baze të jetë. Kjo është një element esencial për një të ardhme të suksesshme të tyre dhe si rrjedhojë për një sukses për Kosovën”, thekson Demir.

Në seancën e së premtes Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar debat parlamentar për ditën ndërkombëtare të fëmijëve.

Në këtë seancë parlamentare përmes një audioje, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, iu është drejtuar deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Ajo ka theksuar rëndësinë e arsimimit për të përmbushur objektivat madhore të Bashkimit Evropian.

Deputetët e Parlamentit të Kosovës, ndërkaq, kanë ngritur si shqetësim mosrespektimin e drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Në Kosovë, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve po shënohet me aktivitete të ndryshme të organizuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG