Ndërlidhjet

Opozita “ringjall” ekonominë e vendit


Ilustrim
Ilustrim

Gjendja ekonomike në Kosovë paraqitet alarmante, konsiderojnë përfaqësues të subjekteve opozitare.

Ata thonë se gjatë 12 vjetëve të fundit, ekonomia ka qenë e paqëndrueshme, nuk ka pasur rritje të punësimit, nuk ka rritje të eksporteve dhe nuk ka rritje të të ardhurave.

Sipas tyre, ekonomia është e varur nga tregtia, ndërsa prodhimi është në nivel të ulët.

Hikmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se ekonomia e vendit po shënon regres.

Ajo si problem në këtë fushë, përmend realizimin e projekteve kapitale, siç thotë ajo, në rajonet nga kanë prejardhjen anëtarët e kabinetit qeveritar.

Faktikisht, është një perspektivë e zymtë ekonomike, e cila po reflektohet më së shumti në rënien e investimeve direkte, kemi keqmenaxhim në ndërmarrjet publike. Do të thotë se, pas shumë kritikave, ne po e shohim se privatizimi i PTK-së prapë po dështon”, thotë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Dardan Sejdiu, nga Lëvizja “ Vetëvendosje”, thekson se qeveritë e deritashme, si dhe kjo aktuale, nuk kanë pasur agjendë zhvillimore për gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Por, megjithatë, sipas tij, nuk kanë munguar retorikat boshe, se ka përmirësim në këtë fushë.

Modeli ekonomik që kjo qeveri e ka futur në përdorim në Kosovë, është model kontradiktor në vete, sepse është model neoliberal. Dhe modeli neoliberal është model monetar. Përderisa ne në Kosovë, nuk e kemi monedhën tonë, nuk e kemi valutën tonë, pra nuk kemi mundësi të afektojmë në çmime me anë të politikave monetare, as në interes të kamatave”, shprehet Sejdiu.

Edhe anëtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se situata ekonomike është shumë brengosëse.

Haki Shatri nga kjo parti, thotë se kohëve të fundit, rënia e investimeve të huaja dhe gjendja në sektorin privat mbetet shqetësues.

Hamendja e investitorëve të jashtëm për të investuar në Kosovë vjen si rezultat i mungesës së sundimit të ligjit dhe si rezultat i parregullsive që po e përcjellin jetën tonë të përditshme, e në veçanti jetën ekonomike”, thekson Shatri.

Por, cila është alternativa për përmirësim ekonomik të vendit dhe a kanë ndonjë strategji partitë opozitare? Hikmete Bajrami, nga LDK-ja, shprehet:

Ne jem i për një shtet ku mbretëron rendi dhe ligji, ku luftohet korrupsioni. Ne e dimë se dëmin më të madh të kësaj ekonomie e ka sjellë pikërisht korrupsioni”.

Ndërkaq, Dardan Sejdiu, konsideron se në Kosovë ka shumë sektorë që premtojnë zhvillim ekonomik.

Krijimi i kushteve për prodhim, është hapi i parë që do të ndërmarrë Lëvizja “Vetëvendosje”, nëse merr pushtetin në të ardhmen.

Të punojmë në shtet zhvillimor, në prodhim, prodhimi- punësim, punësimi – kontribute dhe tatim. Kjo sjellë mirëqenie të gjithëmbarshme. Pra, është model i ndryshëm, prej këtij që është aplikuar që 12 vjet në Kosovë, dhe tani, pas kësaj periudhe, mundemi të vlerësojmë modelin e aplikuar”, thotë Sejdiu.

Programi ekonomik i AAK-së, mundëson ringjalljen ekonomike të vendit, thotë Haki Shatri.

Në programin tonë, mendojmë se urgjentisht duhet të aprovohet një strategji zhvillimore, e cila do marrë për bazë resurse që disponon Kosova, dhe t’i funksionalizojë ato. Më këtë nënkupton edhe aktivizim më dinamik i popullsisë së aftë për punë, që pastaj në mënyrë zinxhirore, sjellë rritje të punësimit dhe standardit të jetës”, thekson Shatri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG