Ndërlidhjet

Specializimi vullnetar - pa pagesë


Ilustrim
Ilustrim
Specializantët vullnetarë në Kosovë, nuk do të paguajnë për specializimet e tyre përkatëse. Ky vendim është marrë nga Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht nga ministri Ferid Agani.

Brenda Ministrisë së Shëndetësisë është bërë një analizë dhe është vlerësuar se pagesa e specializantëve sjell benefite minore për këtë institucion, ndërsa ngarkesa në planin individual për doktorët e rinj është tejet e madhe, kanë deklaruar zyrtarët shëndetësorë.

Specializantëve vullnetarë iu është dashur të paguajnë para këtij vendimi, çdo vit nga 1000 euro, e që, sipas tyre, ka qenë një ngarkesë mjaft e madhe për ta.

Ministri Agani ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se vendimin për heqjen e pagesës si specializant vullnetar, e ka marrë për specializimet e fundit që janë ndarë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria i ka liruar specializantët vullnetarë nga pagesa e obligueshme që ka qenë.

“Ministria i ka liruar specializantët vullnetarë nga pagesa e obligueshme që ka qenë. Tani në sektorin e Shëndetësisë, ndahen dy lloje të specializimeve që janë të financuara nga Ministria e shëndetësisë dhe ata që janë vullnetarë nuk paguajnë”, ka deklaruarAgani pë Radion Evropa e Lirë.

Prej kur e ka marrë mandatin e ministrit, Agani ka thënë se janë ndarë 532 specializime, çka do të thotë se është rritur dukshëm numri i mjekëve që iu është lejuar të specializojnë.

“Ky ka qenë kontribut yni për ndërprerjen e kuadrit profesional që të shkojnë jashtë Kosovës. Për shkak të numrit të limituar të specializimeve që janë ndarë, mjekët kanë udhëtuar jashtë vendit për këtë shërbim. Prej vitit të kaluar janë ndarë 532 specializime, e që është numër shumëfish më i madh se specializimet paraprake”, ka sqaruar Agani.

Në kuadër të këtij numri specializantësh, për herë të parë prej pas luftës, sipas Aganit, janë ndarë specializime vetëm për rajonin e Mitrovicës, si dhe janë ndarë kuota të veçanta për mjekët që do të bëhen specialistë nga Presheva, Medvegja e Bujanovci.

“Janë edhe 30 specializime për rajonin e Mitrovicës, për farmacistë, stomatologë dhe mjekë, dhe po ashtu një kuotë prej 17 specializimesh nga Presheva , Medvegja dhe Bujanovci. Asnjëherë deri tash nuk ka pasur kuotë të veçantë për këto vende”, ka shtuar Agani.

Ndërkaq, specializantët mendojnë se heqja e pagesës, derisa janë në specializim, është një ndihmë e madhe për ta. Ja se si është shprehuar Nora Kica, e cila sapo ka fituar specializimin:
Mendoj që është një hap shumë i mirë nga ana e ministrit dhe është një dobi për të gjithë specializantët...

“Është lehtësim shumë i madh, duke e marrë parasysh edhe kohën e gjatë të studimeve, e që ne nuk kemi ndonjë lehtësim nga shteti. Mendoj që është një hap shumë i mirë nga ana e ministrit dhe është një dobi për të gjithë specializantët, si dhe për ata të ardhshëm. Edhe pse nuk është ndonjë shumë e madhe, megjithatë, duke i marrë parasysh rrethanat në Kosovë është lehtësim për ne".

Ministri Ferid Agani ka theksuar se prioritet kanë pasur specializimet për anesteziologji, meqë mungesa për ta, është shumë e madhe në shëndetësinë kosovare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG