Ndërlidhjet

Jahjaga: T’i jepet më shumë zë gruas


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vlerësuar lart rolin e gruas kosovare në aspektin politik, ekonomik dhe shoqëror. Duke potencuar prezencën dhe fuqinë më të madhe të saj, Jahjaga, megjithatë, ka kërkuar më shumë hapa që do t’i ofronin gruas “vendin e duhur në shoqëri”.

Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i denjë i gruas në çdo segment të punës dhe jetës është një sfidë me të cilën përballen të gjitha vendet e botës, pavarësisht nivelit të tyre të zhvillimit. Barazia gjinore tanimë është e drejtë dhe parim global, prandaj edhe kërkon dhe duhet të ketë trajtim global”, ka thënë kryetarja e shtetit.

Ajo i ka bërë këto komente në konferencën “Gratë në vendimmarrje”, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan “Hope Fellowships”, në Prishtinë.

Për të vlerësuar punën dhe mundësitë që ofron kjo organizatë, Jahjaga ka kujtuar fjalët e sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton: “Talenti është universal, por mundësitë nuk janë”.

Hope Fellowship ka bërë pikërisht këtë - ka ofruar mundësi atëherë kur është dashur”, ka thënë Jahjaga.

Sipas saj, vendet ku hendeku gjinor është më i vogël, janë vende më prosperuese që ofrojnë politika më gjithëpërfshirëse. Në këtë rrafsh, Jahjaga ka thënë se Kosova ka marrë praktikat më të mira, të dala nga Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gruan, Paqen dhe Sigurinë.

Si rezultat i kësaj, ka shtuar Jahjaga, mbi 30 për qind e ligjvënësve të Kuvendit janë gra dhe disa ministri dhe procese kyçe udhëhiqen nga gratë.

Këto rezultate janë indikatorë pozitivë të progresit, kur kemi parasysh që shumë vende ende nuk e kanë arritur këtë nivel të përfaqësimit”, ka thënë Jahjaga, duke lënë hapësirë edhe për më shumë punë.

Në këtë periudhë transitore, nëpër të cilën po kalojmë ne, duhet të synojmë të arrijmë në atë pikë të zhvillimit dhe përparimit demokratik, kur caktimi i kuotave të mos jetë më i nevojshëm, sepse gruaja, si e barabartë, e aftë dhe profesionalisht e përgatitur, konkurron barabartë me mashkullin për secilin pozicion në shoqëri”, ka deklaruar presidentja.

Ajo po ashtu ka thënë se shkalla e edukimit dhe e shkollimit të gruas në Kosovë nuk është e kënaqshme, ndërsa niveli i braktisjes së shkollës si dhe analfabetizmit “është shumë më i lartë te femrat sesa te meshkujt”.

Një gjë e tillë, sipas Jahjagës, ndikon drejtpërdrejt në nivelin e punësimit të gruas, në llojin e punës që ajo bën dhe në pagën e saj, si dhe në mënyrën e jetesës për të dhe familjen.

E kënaqshme, po sipas presidentes, nuk është as gjendja e gruas në ekonomi, ndërmarrje dhe biznes. Ajo ka kujtuar shifrat, sipas të cilave, gratë zotërojnë vetëm 8 për qind të pasurisë së patundshme të Kosovës dhe vetëm 6 për qind të bizneseve.

Ky realitet duhet të ndryshojë. Shoqëria dhe vendi ynë duhet të ndërmarrin hapa konkretë që kjo situatë të ndryshojë”, ka thënë Jahjaga, duke u bërë thirrje edhe bizneseve që të kuptojnë se miratimi i politikave dhe procedurave që sigurojnë integrimin e grave dhe nxitjen e tyre në pozicione menaxhuese dhe drejtuese, do të ishte përfitim edhe për to.

Shoqëria jonë ka shumë nevojë për t’i dhënë zë gruas, për t’i mbrojtur dhe siguruar të drejtat e saj”, ka thënë ajo.

Jahjaga nuk ka lënë pa përmendur edhe paraqitjen e këngëtares kosovare, Rona Nishliu, në Festivalin Evropian të Këngës.

Megjithëse në përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë, Rona e Kosovës e dëshmoi me aftësinë dhe fuqinë e saj prej një këngëtareje të jashtëzakonshme, se ne po ecim drejt së ardhmes së sigurt”, ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. (v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG