Ndërlidhjet

Shtet-ndërtimi s'kompletohet pa pajtim


Harta e Kosovës - ilustrim
Harta e Kosovës - ilustrim
Shtet-ndërtimi i Kosovës nuk mund të kompletohet pa procesin e pajtimit. Për hir të së vërtetës është e nevojshme një qasje gjithëpërfshirëse për drejtësinë tranzicionale.

Ballafaqimi me të kaluarën nuk mund të arrihet pa i përfshirë viktimat në procesin e pajtimit, sepse ato mund të bëhen autorët e krimit në të ardhmen duke e marrë në duart e tyre drejtësinë.

Me këto vlerësime zhvilloi të martën punimet konferenca “Ballafaqimi me të Kaluarën dhe Pajtimi – Çfarë lloj mekanizmi për kërkimin e së vërtetës i duhet Kosovës?”.

Pjesëmarrësit e konferencës vlerësuan se procesi i pajtimit ndërmjet kryesve të krimeve dhe viktimave gjatë luftës së 1999 në Kosovë mund të marrë gjenerata, por se është i nevojshëm për të ardhmen e të gjithë rajonit.

Duke folur për raportet aktuale ndërmjet Kosovës e Serbisë, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Prishtinë, Pieter Feith, tha se është ende herët të flitet për pajtimin ndërmjet popujve, por shfaqi shpresë që shteti serb të nis, sa më parë, të punojë në procesin e pajtimit me kosovarët.

Mendoj se duhet ta shfaq shpresën që edhe në Serbi të ketë një proces për kërkimin e së vërtetës dhe pajtimin me popullin e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur”, u shpreh Feith.

Ai theksoi se i takon qeverisë së Kosovës ta marrë rolin udhëheqës për veprimet e nevojshme në procesin e pajtimi në vend-kërkesë kjo që, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, do të jetësohet përmes krijimit të grupit punues kombëtar për drejtësi tranzicionale.

Ekzekutivi i vendit, siç paralajmëroi ai, do ta marrë shumë shpejt vendimin për themelimin e një këtij grupi, i cili do të obligohet me zbatimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për drejtësi tranzicionale.

Një element tjetër i rëndësishëm në këtë proces, sipas zëvendëskryeministrit Kuçi, është njohja e shtetësisë nga Serbia dhe kërkim-falja si akt moral.

Serbia ka nevojë ta njoh dhe do të na lehtësonte punën në pajtim (duke njohur) pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe tërësinë tonë territoriale dhe të kërkojë falje si akt moral”, u shpreh Kuçi.

Komisionari i Lartë për Minoritete në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, Knut Volebak, ndërkaq, tha se pasojat e ngjarjeve që ndodhën para 13 viteve nuk mund të riparohen vetëm me futjen në funksion të ligjit, por se duhet të merren parasysh edhe viktimat.

Rindërtimi i një shoqërie nuk kërkon vetëm rivendosjen e sundimit të ligjit dhe përfundimin e pandëshkueshmërisë, por duhet të përfshijë edhe rehabilitimin e viktimave. Nëse nuk trajtohet kjo, viktimat e së kaluarës mund të bëhen autorët (e krimeve) në të ardhmen”.

Njerëzit, vuajtjet e të cilëve nuk merren seriozisht do të mund të synonin ta marrin drejtësinë në duart e tyre dhe do të mund të ishin të pagatshëm për ta mbështetur pajtimin që është baza e një paqeje të qëndrueshme”, tha ai.

Lufta në Kosovë la pas vetës rreth 14 mijë viktima, mbi 1700 të zhdukur dhe qindra raste të torturave dhe dhunimeve.

Pajtimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve konsiderohet të jetë një nga sfidat më të mëdha në përmirësimin e raporteve afatgjate ndërmjet Kosovës e Serbisë për shkak të, siç thuhet, mungesës së besimit që u shkaktua nga veprat e bëra gjatë luftës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG