Ndërlidhjet

Çmimi i sistemit të mbrojtjes raketore në Evropë


Një pano reklamuese për samitin e ardhshëm të liderëve të NATO-s në Çikago
Një pano reklamuese për samitin e ardhshëm të liderëve të NATO-s në Çikago

Cilat pjesë të planit do të bëhen publike në Çikago?


Në Samitin e Çikagos, udhëheqësit do të njoftojnë për përfundimin e fazës së parë të sistemit të mbrojtjes raketore në Evropë.

Me fazën e parë, e cila përfshin stacionimin e anijeve amerikane në Mesdhe, të pajisura me raketa balistike, dhe bashkëpunimin e tyre me qendrën komanduese në bazën ajrore të Shteteve të Bashkuara në Ramshtajn të Gjermanisë, Evropa, sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes, do të ketë aftësi fillestare për të krijuar një nivel të mbrojtjes nga kërcënimet e Lindjes së Mesme.

Faza e dytë parasheh zhvillimin e sistemit mbështetës në Rumani, e cila tashmë është pajtuar për instalimin. Kjo fazë pritet të përfundojë në vitin 2015.

Më 2018, NATO shpreson të kompletojë fazën e tretë, e cila përfshin bazën raketore në Poloni, me raketa të modernizuara dhe komandë të përmirësuar.

Faza e katërt dhe finale pritet të përfundojë në vitin 2020 dhe përfshin zhvillimin e raketave të avancuara, të cilat do të mund t’iu kundërvihen jo vetëm raketave me rreze të mesme veprimi, por edhe atyre ndërkontinentale, që mund të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.


Sa do të kushtojë projekti?


Është vështirë të vlerësohet çmimi total i programit raketor në Evropë, por llogaritjet shkojnë deri në 9 miliardë dollarë. Elementet e bazuara në satelitë mund ta trefishojnë këtë shifër, ka paralajmëruar Bordi Këshillues i Mbrojtjes në SHBA.

Në një artikull të publikuar më 14 maj në “The Wall Street Journal”, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka thënë se “aleatët evropianë janë të përfshirë plotësisht në program, duke e mbështetur politikisht dhe duke ndarë shpenzimet”.


Cili është kërcënimi kryesor?


Si NATO-ja, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar Iranin si kërcënim në rritje. Uashingtoni thotë se Irani do të jetë në gjendje të kërcënojë Evropën me raketa në vitin 2015. Në shtator të vitit 2011, kreu i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, duke folur për aftësitë raketore të Iranit, ka thënë: “Potenciali i kërcënimit është real”.

Por, Moska minimizon kërcënimin e Iranit, duke e cilësuar mbrojtjen raketore në Evropë si kërcënim për aftësitë e saj bërthamore. Megjithatë, analistët atje thonë se pozicioni i Moskës nuk është aq shumë i bazuar në të dhëna të vërteta.

Gazetari për çështje ushtarake, Aleksander Golts, pajtohet.

Rusia këmbëngul se nuk ka rrezik nga Irani dhe se mbrojtja raketore amerikane është e projektuar kundër saj. Pranimi i rrezikut që vjen nga Irani, do të nënkuptonte shkatërrimin e tërë kësaj strukture konceptuale”, thotë Golts.


Cili është qëndrimi i Moskës?


Moska, megjithatë, këmbëngul se mënyra e vetme për të shmangur destabilizimin e rendit aktual strategjik, është zhvillimi i një sistemi raketor që përfshin NATO-n dhe Rusinë.

Sekretari i Këshillit Rus të Sigurimit, Nikollaj Patrushev, ka thënë se Moska është e gatshme të ndihmojë në financimin e projektit të përbashkët.

Ne jemi të gatshëm të shkojmë aq larg në këtë çështje – aq sa NATO-ja do të ishte e gatshme të shkojë – duke kontribuar në këtë nismë të përbashkët eventuale me sasi të konsiderueshme financiare. Por, nuk ka pasur interesim në propozimet tona”, ka thënë Patrushev. (v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG