Ndërlidhjet

Siguria e punëtorëve në punë, në nivel të ulët


Punëtorë në Kosovë...
Punëtorë në Kosovë...
Siguria e punëtorëve në ambientin e punës vazhdon të mbetet në nivel mjaft të ulët në Kosovë.

Sipas të dhënave të vitit 2011, në Inspektoratin e Punës janë lajmëruar 10 raste të vdekjes në punë, dhe 31 raste të lëndimeve.

Ndërkaq, gjatë këtij viti, tre punëtorë kanë vdekur në vendet e tyre të punës.

Zyrtarë të Inspektoratit të Punës thonë se siguria në punë ende nuk është në nivelin e duhur. Sipas tyre, shumë kompani nuk e respektojnë ligjin që ka të bëjë me sigurinë në punë.

Fatkeqësisht, ky vit ka pasur një fillim jo të mirë, sa i përket aspektit të sigurisë në punë. Ne kemi pasur disa raste të vdekjes së punëtorëve në vendin e tyre të punës. Natyrisht që askush nuk e dëshiron këtë, por janë gjëra që mund të ndodhin. Ne kemi bërë inspektimin e këtyre vendeve dhe e kemi kryer punën tonë ashtu siç e parash edhe ligji”, thekson kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi.

Vetëm në tremujorin e parë, sipas Basri Ibrahimit, Inspektorati i Punës ka shqiptuar 30 gjoba që kanë të bëjnë me sigurinë në punë dhe mosrespektimin e ligjit të punës.

Vetë fakti i shqiptimit të këtyre gjobave, tregon se punëdhënësit nuk e respektojnë dhe nuk janë të vetëdijesuar për zbatimin e ligjit për siguri në punë”, thotë Ibrahimi.

Një problem tjetër është edhe legjislacioni aktual, që ka të bëjë me sigurinë në punë, që sipas Basri Ibrahimit, ky legjislacion nuk e rregullon shumë mirë sigurinë në punë.

Lidhur me këtë, ai thotë se gjatë këtij viti do të do ta nxjerrin një ligj të ri të sigurisë në punë, me të cilin pastaj do të rregullohen disa mangësi që janë në kuadër të ligjit aktual.

Në Kosovë, ashtu si të gjitha ligjet tjera, të cilat nuk kanë gjetur zbatim të duhur, edhe ligji për siguri në punë është në atë nivel. Ne kemi konstatuar se ky ligj ka mangësi, dhe këtë vit jemi duke e bërë draftimin e ligjit për siguri në punë, dhe do të nxjerrim një ligj të ri për siguri në punë. Disa mangësi do të rregullohen, do të bëhen zgjidhje ligjore, dhe pastaj do të kërkojmë nga ana e kompanive t’i respektojnë ligjet”, bën të ditur ai.

Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e punës dhe me ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Dënimet për punëdhënësit, sipas ligjit për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës janë nga 100 deri në 20 mijë euro.

Sipas Inspektoratit të Punës, gjobat të cilat janë shqiptuar, shumica prej tyre janë ekzekutuar.

Sidoqoftë, përfaqësues të punëtorëve mbeten shumë të pakënaqur sa i përket sigurisë së punëtorëve në vendet e punës. Ata thonë se kjo dukuri në Kosovë është mjaft shqetësuese.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mungesa e sigurisë në ambientin e punës, po i kushton punëtorëve me jetë.

Ne nuk jemi të kënaqur me sigurinë në punë që po i ofrohet punëtorëve. Vdekjet që kanë ndodhur në vendet e punës në Kosovë kanë të bëjnë me siguri të ulët. Kjo është një gjë shumë e keqe. Edhe ato ligje që po i miratojnë nuk po zbatohen”, thotë Arifi.

Ai kërkon që të respektohet dhe zbatohet ligji nga punëmarrësit, por për një respektim të ligjit nga ana e punëdhënëseve, thotë ai, duhet të punojë më shumë Inspektorati i Punës.

Mekanizmat që janë për monitorim e këtij ligji duhet shumë më shumë të veprojnë në mbrojtjen e sigurisë në punëtorëve ne vendin e tyre të punës”, thotë ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG