Ndërlidhjet

Tribunali i arbitrazhit, më efikas se gjykatat


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë ekzistojnë konteste të shumta ndërmjet bizneseve dhe se ato biznese shpesh nuk iu drejtohen gjykatave, për shkak të procedurave të stërzgjatura dhe kostos së lartë, thonë përfaqësues të organizatave ekonomike në vend.

Për ndihmë në zgjidhjen e këtyre kontesteve ekonomike ndërmjet bizneseve, janë dy qendrat e arbitrazhit të hapura në Kosovë, të cilat u hapën para shtatë muajve, dhe që funksionojnë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Përfaqësues të shoqatave ekonomike thonë se që nga themelimi, këto qendra kanë zgjidhur disa raste, ndonëse jo në numër të madh, pasi që, siç thonë ata, ende mungon vetëdijesimi i duhur i bizneseve rreth rëndësisë që kanë qendrat e arbitrazhit.

Në Kosovë kemi pasur një kohë të gjatë grumbullim të lëndëve me karakter juridik, dhe të kontesteve ekonomike dhe komerciale, të cilat kërkojnë një shpejtësi në ekzekutimin e tyre, duke pasur parasysh nevojat që ka biznesi t’i arkëtojë mjetet apo t’i kryej obligimet, pasi që të gjitha proceset që kanë të bëjnë më stabilitetin e ndërmarrjeve të caktuara lidhen me konteste të mëdha juridike”, thekson sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Ai thotë se duke pasur parasysh që sistemi gjyqësor në Kosovë nuk është mjaft efikas në zgjidhjen e kontesteve me karakter ekonomik, qendrat e arbitrazhit po ndihmojnë në lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve.

Rukiqi thotë se këto qendra të arbitrazhit mundësojnë zgjidhjen e kontesteve në afat të shkurtër kohor.

Si rezultat i themelimit të arbitrazhit, ne kemi disa lëvizje pozitive. Kemi edhe rastet e para. Është një rast i cili ka përfunduar,një rast tjetër është në pritje, dhe janë disa raste tjera të cila janë duke e shqyrtuar mundësinë e shfrytëzimit të arbitrazhit. Ky nuk është ndoshta numër shumë i madh, por është me rendësi që ka filluar të shikohet arbitrazhi si një vend ku mund të zgjidhen kontestet ekonomike”, shprehet ai.

Në anën tjetër, në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, tregojnë për një funksionim shumë të mirë të qendrës së arbitrazhit.

Ardi Shita, sekretar gjeneral i qendrës për zgjidhjen alternative të kontesteve në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se qendrat e arbitrazhit janë duke bërë një punë shumë më efektive se sa gjykatat në Kosovë.

Arbitrazhi gjithmonë është më efektiv, arbitrazhi është më i shpejtë sepse arbitrat kanë më shumë përvojë në botën e biznesit. Arbitrat mundohen që palët të mos i dëmtojnë në kohë dhe në efiçiencë. Ndoshta në shikim të parë, bizneseve iu duket që arbitrazhi është më i shtrenjtë, por nëse e shohim se në gjykatë mund të zgjatë kontesti deri në shkallën e tretë, mund të zgjas 2 apo 3 vjet, brenda arbitrazhit nuk ekziston ai apel, dhe aribtrat japin përgjigje brenda tre muajve”, thekson ai.

Ndryshe, në raportin e Bankës Botore “Të bërit biznes në Kosovë”, për vitin 2011, është thënë se zgjidhja e një kontesti tregtar mes bizneseve në vlerë prej 3 mijë eurosh, në Gjykatën Ekonomike të Prishtinë, zgjatë 420 ditë.

Ndërkaq, siç thotë, Ardi Shita nga Oda Ekonomike Amerikanë në Kosovë, zgjidhja e kontesteve ekonomike ndërmjet bizneseve bëhet në kohë mjaft të shkurt, dhe atë brenda tre muajve.

Ne e kemi një rast për të cilin është marrë përgjigja dhe është realizuar kërkesa e njërit prej bizneseve, por siç kemi njoftuar edhe më herët, ne nuk mund të japim asnjë detaj për dosjen apo për palët”, shprehet Shita.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG