Ndërlidhjet

Buxheti në Maqedoni: Rishikim mbi baza etnike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Partitë opozitare vlerësojnë se rishikimi i fundit i buxhetit për vitin 2012, i cili ka hyrë në procedurë parlamentare, dëshmon se dështon se rrëfimi i autoriteteve qeveritare për një buxhet zhvillimor, është një iluzion dhe keqmenaxhim i arkës shtetërore.

Partia maqedonase në opozitë, LSDM, konsideron se me vetë faktin se i tërë buxheti shkurtohet për 4.6 për qind, ndërsa mjetet për hekurudhat, rrugët, shkollat, shëndetësinë shkurtohen për 20 për qind apo për pesë herë më shumë, kjo qartë tregon se çfarë është e rëndësishme për këtë qeveri.

Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
“Kjo do të thotë se Qeveria bën shkurtimin e shpenzimeve kapitale për 89 milionë euro, me ç’rast ky buxhet tërësisht e humb komponentën zhvillimore, me të cilën Qeveria aq shumë lëvdohej”.

“Me këtë vihet në pikëpyetje nëse buxheti mund të kontribuojë që të arrihet rritja e planifikuar e Bruto Prodhimit Vendor prej 2,5 për qind”
, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Zoran Jovanovski, nënkryetar i LSDM-së, njëherësh deputet në Parlament.

Ndërkaq, Izet Zeqiri nga Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se me rebalancin e buxhetit shkurtohen fondet buxhetore kryesisht në vendbanimet shqiptare.

“Të tilla projekte janë shumë. Unë do të fokusoja shkurtimin e mjeteve për zonën e lirë në Tetovë, edhe pse ajo zonë është paraparë të ndërtohet me partneritet privato- publik, por nga Qeveria është premtuar se do të realizohet edhe me mjete nga buxheti, të cilat tani shlyhen për këtë vit”.

“Projekte të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme, janë ato të infrastrukturës, siç është rruga Bogovinë-Gostivar, e cila është tërësisht e shkatërruar, pastaj rruga që çon në drejtim të Jashzhincës, shkurtohen mjetet për shkollat, Shtëpinë e Kulturës, e shumë projekte të tjera”, thotë Izet Zeqiri.

Ndërkohë, Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, konsideron se shumë më mirë do të ishte nëse Qeveria paraqitet me rishikimin e buxhetit, që do të nënkuptonte identifikim të problemeve dhe orientim të mjeteve buxhetore drejt zgjidhjes së tyre, e jo drejt zvogëlimit proporcional të mjeteve të shfrytëzuesve buxhetor.
Duhet sa më parë të vetëdijesohet Qeveria për atë se ku është vendi ynë dhe kërkesat, njëherësh obligimet ndaj qytetarëve, mos t’i marrë vetëm si ëndërr...
“Duhet sa më parë të vetëdijesohet Qeveria për atë se ku është vendi ynë dhe kërkesat, njëherësh obligimet ndaj qytetarëve, mos t’i marrë vetëm si ëndërr, e cila nuk realizohet”.

“Ka gjetur një popull shumë të urtë, sepse me shifrat aktuale sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit, të gjithë habiten se si, në një vend ku papunësia është mbi 30 për qind dhe në këtë gjendje të rëndë ekonomike, mos të ketë ndonjë revolucion”
, thekson Kuçi.

Por, ministri i Financave, Stavrevski, ka theksuar një rebalanc të buxhetit të shtetit që në tremujorin e parë është imponuar nga goditja e krizës ekonomike evropiane, e cila është në kulmin e saj, meqë katër vende të Eurozonës tashmë janë në recesion.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë me rishikimin e ri të buxhetit, parasheh shkurtimin në investimet kapitale për plot 89 milionë euro, si dhe rritjen e financave për administratën publike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG