Sahar Gul, nusja e re afgane trajtimi tmerrues i së cilës nga familjarët e burrit të saj ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare, ka marrë një ngushëllim pasi autoritetet dënuan me burg afatgjatë torturuesit e saj.
Gjykata e Kabulit më një maj nxori verdiktin, sipas të cilit me 10 vjet burg dënohen vjehrri, vjehrra dhe kunata e Gulit, të cilët u akuzuan për burgosjen dhe abuzimin brutal të 15 vjeçares. Policia është ende në kërkim të burrit dhe kunatit të Gulit, që po ashtu janë të dyshuar në këtë rast.
Kur policia në veri të provincës së Baglanit kishte ndjekur një informatë dhe shpëtoi Gulin në muajin dhjetor, ajo gjendej e shtrirë pa ndjenja në dyshemenë e një bodrumi të errët. Gishtat e saj ishin thyer, disa nga thonjtë e saj ishte hequr nga mishi, pjesë të flokëve i ishin shkulur dhe trupi i saj i dobët ishte i mavijosur dhe me plagë.
Ajo ishte aq e dobët dhe e traumatizuar sa që për javë të tëra mezi mund të fliste, por pas dëgjimit të verdiktit gjyqësor shprehu një lehtësim.
"Unë dëshiroja që ata të dënohen. Unë doja që edhe atyre t’iu hiqeshin thonjtë, dhe të digjeshin, gjërat që m’i kanë bërë mua. Kërkoja të merrja hak”, ka thënë Gul.
Mjekët janë duke vëzhguar nga afër gjendjen e brishtë psikologjike të saj, derisa adoleshentja po lufton traumat akute dhe depresionin. Por, pas disa muajsh që jetoi ferrin personal, pas që u shit për një njeri dy herë më të madh se ajo, shumica e plagëve fizike të Gulit janë shëruar. Tani është në pritje të divorcit dhe arritjes së qëllimeve që ka vendosur për veten.
Duke folur nga shtëpia e saj e re në Kabul, një strehimore e drejtuar nga Gratë për Gratë Afgane, një organizatë joqeveritare që mbështet gratë e dhunuara, ajo është e mbushur me optimizëm.
Ajo është frymëzuar nga liria e rigjetur e saj dhe ka rifilluar edukimin e saj - të cilin u detyrua të braktisë në klasën e katërt, atëherë ku edhe u detyrua të martohej.
“Unë mësoj dhe lutem. Kur kam dëshirë, unë mund të dalë jashtë dhe të rri me miqtë e mi. Atëherë kur jam e lodhur shkoj për të fjetur. Unë nganjëherë luaj me kukullën time. Pastaj, nëse mundem, ulem, shkruaj, lexoj dhe pasdite shkoj në shkollë”, tregon Gul.
Surija Sobrang, drejtuese e Komisionit të Pavarur për të Drejtat e Njeriut, seksioni për çështjen e grave, shpreson që rasti Gul do të vendosë një precedent për dhunën kundër grave.
Sobrang pranon se shumë gra afgane të cilët kanë duruar dhunën nuk marrin drejtësinë. Ajo thotë se në shumicën e rasteve autorët shpallen të pafajshëm, zbutet natyra serioze e akuzave, duke mundësuar dënime të ulëta, ndërsa viktimat femra akuzohen për “krime morale”, se kanë publikuar çështjet private.
"Në lidhje me rastin e Sahar Gulit, më duhet të them se në shekullin e 21 ky është një krim kundër njerëzimit. Të gjithë njerëzit e përfshirë janë kriminelë. Afganët duhet të shohin pasojat dhe të mësojnë një leksion. Unë shpresoj se kjo do të pengojë vazhdimin e krimeve të tilla të dhunshme në Afganistan,” tha Sobrang.
Shpëtimtarët e saj nuk prisnin se Gul do të jetonte, por, përkundër të gjithave, ajo mbijetoi.
Pas trajtimit mjekësor në një spital lokal në Baglan, Gul u dërgua në Kabul, ku pas disa muajve të procedurave mjekësore dhe rehabilitimit, ajo mund të lëvizë, të hajë dhe të flasë lirisht.
Por, ajo që përjetoi në ata gjashtë muajt në shtëpinë e burrit të saj, janë një përvojë tejet e hidhur.
Ajo shpjegon se si vëllai i saj më i madh, e ka shitur atë për një 35 vjeçar, tashmë të maruar me 10 fëmijë.
Pasi që i kishte vdekur babai dhe nëna i ishte rimartuar, Gul thotë se ishte e pafuqishme që ta ndalonte të vëllanë, pasi që kishte marrë qindra dollarë në shkëmbim të martesës së saj.
Ajo tha se burri i saj dhe të afërmit e tij, e kishin detyruar atë që të bënte shërbëtoren dhe prostitutën.
Kur rezistonte, Gul thotë se abuzohej me pinceta, lidhej me kabllo, rrihej me hekur të nxehtë dhe torturohej me elektroshok.
“Ata donin që unë të bëja gjëra të këqija me burra. Ata më thoshin, se po që se nuk pranoja, do të më vrisnin. Ata do t’i sillnin burrat në shtëpi dhe më thoshin që të flija me ta. Unë iu thosha se nuk doja dhe se isha vetëm se një fëmijë. Iu thosha se të gjithë këta burra ishin, si vëllezërit, ose etërit e mi”, rrëfen tani Gul.
Ajo ka plane te mëdha. Ëndërron për përfundimin e shkollës dhe për përfshirjen në çështjet politike në vend.
Ajo thotë se është e vendosur që të ndalë kulturën e dhunës kundër grave në Afganistan, një shtet, ku dhuna familjare është rutinë, martesat e detyruara janë një normë, dhe vetëvrasjet e femrave janë më të lartat në botë.
Aktualisht, Gul po mëson gjërat bazike. Në javët e kaluara, ajo ka marrë mësime private për alfabetin dari.
“Në të ardhmen, dua të bëhem mjeke dhe lidere. Tani po mësoj alfabetin. Kam mësuar se si shkruhet hallë, dajë, vëlla dhe fjalë të tilla”, shprehet Gul.(a.i.)