Ndërlidhjet

Rend dhe ligj përmes dialogut?!


Ilustrim
Ilustrim
Ka vjet prejse kanë nisur kritikat që flasin për mungesë rezultatesh në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që mekanizmat ndërkombëtarë drejtojnë në adresë të institucioneve kosovare

Autoritetet evropiane në vend paralajmëruan, ditë më parë, themelimin e dialogut për rend dhe ligj ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian-proces që pritet të nisë në fund të muajit të ardhshëm.

Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Nga Qeveria e Kosovës, Radios Evropa e Lirë iu bë e ditur se në këtë dialog do të jenë të përfshira kryesisht Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme, por nuk u dhanë detaje për formatin, kohëzgjatjen dhe temat e dialogut.

Prej vendeve të rajonit thuhet se vetëm Bosnja e Hercegovina ka pasur një dialog të ngjashëm, por njohësit e integrimeve evropiane në Prishtinë e quajnë të panevojshëm nisjen e tij, duke theksuar nevojën për përforcimin e mekanizmave ekzistues për sundim të ligjit.

Ish-kreu i Agjencisë për Integrime Evropiane, Shenoll Muharremi, shpjegon qasjen e tij:

“Në rastin e Kosovës, duke pasur parasysh që ne e kemi një grup koordinues të përbashkët për sundimin e ligjit, ku merr pjesë Qeveria, ICO-ja, EULEX-i, Shtetet e Bashkuara dhe shumë aktorë të tjerë. Pastaj e kemi dhe EULEX-in si mision për sundim të ligjit”.
...mendoj se është krejtësisht e panevojshme që të krijojmë edhe një mekanizëm të ri, për shkak se resurset-qoftë të Kosovës, qoftë të BE-së, janë të limituara.

“Por, mbi të gjitha në procesin e integrimit të Kosovës në BE në dialogun për stabilizim-asociim e kemi një grup punues teknik që është për sundim të ligjit".

"Duke e pasur parasysh që ne i kemi të paktën tre mekanizma shumë të fuqishëm, mendoj se është krejtësisht e panevojshme që të krijojmë edhe një mekanizëm të ri, për shkak se resurset-qoftë të Kosovës, qoftë të BE-së, janë të limituara”.


Kërkesat për angazhim të shtuar të institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë janë përmendur, deri më tani, në shumicën e Raporteve të Progresit që Komisioni Evropian publikon tradicionalisht në vjeshtën e çdo viti për vendet që synojnë integrimin në BE.

Ngecjet në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, depolitizimin e gjykatave dhe të tjera u përmendën edhe në raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare që analizojnë gjendjen e shteteve në aspektin e sundimit të ligjit.

Muharremi shprehu bindjen se ekzistojnë kapacitetet humane e financiare për të arritur rezultat në këtë drejtim.

“Ne duhet t’i zbatojmë standardet evropiane për sundim të ligjit dhe mendoj se kemi mjaft mekanizma ekzistues, përmes të cilëve mund t’i zbatojmë këto”, theksoi Muharremi.

Ndërkaq, Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se parakusht për funksionimin adekuat dhe në përputhje me standardet evropiane të Policisë, Gjyqësorit dhe Prokurorisë, është ekzistimi i vullnetit politik në ekzekutivin e vendit.
Tani i mbetet vetëm Qeverisë sonë që ta ndryshojë qasjen dhe të ketë vullnet politik për t’i bërë gjërat ashtu siç duhet...

“Tani i mbetet vetëm Qeverisë sonë që ta ndryshojë qasjen dhe të ketë vullnet politik për t’i bërë gjërat ashtu siç duhet, në mënyrë që të kemi një vend me një të ardhme më të sigurt, e cila në siguron ndoshta dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian”, vlerësoi Merita Mustafa.

Për të ndihmuar institucionet vendore në vënien e sundimit të ligjit, me ftesë të Prishtinës zyrtare, BE-ja kishte instaluar një mision monitorues, mentorues dhe këshillëdhënës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

EULEX-i pritet që gjatë fazës së rikonfigurimit të tij, ta zvogëlojë praninë e tij në Dogana e Polici, për t’u përqendruar më shumë në shtyllën e gjyqësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG