Ndërlidhjet

A është zhdukur fruthi në Kosovë?


Ilustrim
Ilustrim
Bazuar në një studim të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe institucioneve tjera, vitet e fundit, sëmundja e fruthit ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar.

Mjekët thonë se rastet e fruthit po rikthehen në Evropë, meqë njerëzit nuk e marrin me seriozitet këtë sëmundje dhe janë skeptikë për vaksinën.

Por, derisa Evropa po përballet me fruthin si epidemi, epidemiologu i Kosovës, Jusuf Dedushaj, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thotë se Kosova prej vitit 2007, nuk ka pasur epidemi të fruthit.

Sipas tij, kjo ka ardhur si rezultat i mbulimit të vaksinimit të mirë te fëmijët, në gjithë Kosovën.

Mbulimi me vaksinë kundër fruthit, ka qenë 20 për qind mesatarisht në tërë territorin e Kosovës, në të kaluarën, dhe ai vlerësim ka pasuar me gjetjen e rreth 500 mijë fëmijëve të pa vaksinuar”.

Ne, si Institut i Shëndetit Publik, kemi vaksinuar gjithë këta fëmijë dhe i kemi kushtuar rëndësi shumë të madhe kësaj çështjeje. Kosova është vendi i parë në Evropë që nuk ka fruth autokton. Ne kemi korrur një fitore të madhe, sepse kur i kemi bërë analizat ekonomike, ne i kemi shpëtuar buxhetit të Kosovës 45 milionë euro në rast të shpërthimit të epidemisë masive të fruthit”, bën të ditur Dedushaj.

Nё Kosovё, vaksinimi i obliguar kundёr fruthit ka filluar nё vitin 1971, i cili e ka përmirësuar shumё gjendjen epidemike me kёtё sëmundje.

Por, pёrkundёr kёsaj, Kosova ka pasur njё shkallё mё tё lartё tё vdekshmёrisё nga kjo sёmundje, nё krahasim me vendet e rajonit.

Këtë e thotë infektologu Izet Sadiku. Megjithatë, sipas tij, vitet e fundit gjendja ka ndryshuar.

Në Klinikën Infektive, nuk paraqiten raste me fruth si epidemi, por raste individuale të rralla, kryesisht fëmijë të pavaksinuar.

Kemi pasur një fëmijë të konfirmuar me fruth vitet e fundit, sepse vaksina ka dhënë efektet e veta. Kemi pasur këtë fëmijë 10-vjeçar me rast të fruthit, por që ka qenë i pavaksinuar. Ka shumë vite që nuk kemi paraqitje të fruthit, ose raste sporadike, një ose dy raste në vit, por raste shumë të rralla dhe sporadike, me forma të lehta klinike”, thotë Sadiku.

Nё vendet e pazhvilluara, fruthi ёshtё njё nga problemet kryesore shёndetёsore pёr fёmijёt, ku pёr shkak tё komplikimeve nё sistemin nervor qendror dhe sistemin respirator, vdekshmëria arrin deri nё 20 për qind.

Udhëheqës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thonë se më shumë se gjysmë milion fëmijë janë vaksinuar në Kosovë, falë bashkëpunimit të mirë mes OBSH-së, UNICEF-it, si dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Në rajonin evropian, ka një numër të rritur të rasteve të fruthit, derisa Kosova nuk e ka pasur këtë problem, dhe kjo si rezultat i vaksinimit të më shumë se gjysmë milion fëmijëve, që nga mosha njëvjeçare deri në 15-vjeçare, dhe kjo ka ndikuar që Kosova të mos ketë raste të paraqitura të fruthit”, thotë Skender Syla, shef i zyrës së OBSH-së në Kosovë.

Vaksina e parë kundër fruthit është licencuar në Shtetet e Bashkuara më 1963 dhe sot është botërisht e përfshirë në programin rutinë të imunizimit të fëmijëve në vendet e zhvilluara.

Zyrtarët nga OBSH-ja thonë se mbajtja e ritmit të rënies në rastet e fruthit, kërkon përpjekje të jashtëzakonshme, derisa ekspertët nuk janë ende të gatshëm që të përcaktojnë afate për zhdukjen e kësaj sëmundjeje.

Sipas infektologëve, mjekimi i sёmundjes kёrkon pёrdorimin e masave higjeniko-sanitare dhe mjekim simtomatik.

Pacientёt duhet tё qёndrojnё nё dhoma tё veçanta, nё qetësi, dhe dhoma duhet tё ajroset sa mё shumё. Fёmijёt nuk duhet tё shkojnё nё shkollё ose nё çerdhe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG