Ndërlidhjet

Gazetarët te presidentja për Kodin


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Gazetarët dhe mediat në Kosovë janë në pritje të vendimit të presidentes Atifete Jahjaga nëse ajo do ta nënshkruajë apo jo Kodin Penal me dy nenet, që, sipas gazetarëve, janë problematike dhe rrezikojnë punën e tyre në të ardhmen.

Të mërkurën, pritet që presidentja Jahjaga t’i presë në një takim kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë, Arben Ahmeti, dhe përfaqësuesit e mediave të shtypura dhe elektronike për të biseduar për nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, i miratuar të premten nga Kuvendi.

Ahmeti ka thënë se pret mirëkuptim nga presidentja në mënyrë që ajo të mos e nënshkruajë Kodin dhe ta kthejë atë në rishqyrtim. Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave tjerë, ngase si i tillë, Kodi me këto dy nene për mediat konsiderohet i papranueshëm.
Presim mirëkuptim prej presidentes, por nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, atëherë do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese.
“Presim mirëkuptim prej presidentes, por nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, atëherë do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. E, nëse nuk ndodh as kjo, i bie që duhet të marrim hapa më radikal, sepse Kodi do të mbetet i papranueshëm për mediat”.

“Do të shqyrtojmë edhe mundësinë e bojkotimit të punës së këtyre deputetëve që kanë votuar për ta fundosur lirinë e shtypit”, ka thënë Ahmeti.

Gjatë seancës, kur ishte miratuar Kodi Penal me dy nenet problematike për gazetarët, ishte deputetja e Vetëvendosjes Alma Lama ajo e cila kishte shprehur haptas pakënaqësinë e saj me formulimin e këtyre dy neneve, duke vlerësuar se versioni i Kuvendit vuloste një pushtet diktatorial.

Sipas deputetes Lama, të dyja nenet duhet ndryshuar, ngase ato cenojnë lirinë shtypit dhe medias.
Neni 37, siç është miratuar, është nen, i cili do të shantazhojë lirinë e gazetarëve, lirinë e redaktorëve, kryeredaktorëve...
“Neni 37, siç është miratuar, është nen, i cili do të shantazhojë lirinë e gazetarëve, lirinë e redaktorëve, kryeredaktorëve dhe do t’i bëjë ata jo komod në punën e tyre. Po kështu edhe neni 38, i cili i detyron gazetarët që në disa raste t’i nxjerrin burimet e tyre të informacionit”, është shprehur Lama.

Gjatë seancës kur ishte miratuar Kodi Penal, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kishte deklaruar se gazetarit do t’i kërkohet ta publikojë emrin e burimit vetëm në disa raste kur konsiderohet se si pasojë, ishte kryer një vepër e caktuar penale.

“Kemi të bëjmë me burimin kur kryhet vepra penale përmes tyre dhe nuk kemi të bëjmë me çdo burim. Mund të jetë burimi për një akt terrorist. Këtë duhet ta tregojë gazetari. Ka mundësi që përmes burimit, të kryhet vepra penale dhe vetëm kur kryhet vepra penale kërkohet burimi, jo në rastet tjera”, ka deklaruar Kuçi.

Kodi Penal, në nenin 37, definon përgjegjësinë penale për vepra penale me anë të mediave. Sipas gazetarëve, neni nuk e specifikon se cilat janë veprat penale që kryhen me anë të mediave dhe kjo u lë mundësinë gjykatësve, prokurorëve që ta interpretojnë kodin sipas vullnetit të tyre.

Kurse, neni 38, i cili rregullon mbrojtjen e burimeve, parasheh që gazetarët do të duhet ta zbulojnë burimin e tyre për të parandaluar ndonjë sulm që përbën kërcënim të pashmangshëm për jetën, me çka edhe gazetarët janë pajtuar, por jo edhe me pjesën e dytë kur kërkohet zbulimi i burimit për rastet e, siç thuhet, kërcënimit ndaj integritetit trupor të ndonjë personi.

Rrezikimi i “integritetit trupor”, sipas gazetarëve, është term i gjerë, i padefinuar dhe si i tillë mund të keqpërdoret.

Sidoqoftë, gazetarët presin nga presidentja Atifete Jahjaga që ta kthejë këtë kod prapa në rishqyrtim dhe të mos e nënshkruajë, në mënyrë që ai edhe pas miratimit në Kuvend, të mos fuqizohet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG