Ndërlidhjet

Protestojnë gazetarët


Ilustrim
Ilustrim
Gazetarët në Kosovë kanë protestuar të hënën kundër miratimit të dy neneve të reja në Kodin Penal nga Kuvendi, duke vlerësuar se ato rrezikojnë seriozisht punën e tyre në të ardhmen.

Për 30 minuta, gazetarë të medieve të shkruara dhe elektronike kanë qëndruar para dyerve të Kuvendit të Kosovës, ku fillimisht kanë heshtur e më pas kanë fishkëlluar, duke ua transmetuar autoriteteve qeveritare e legjislative porosinë se nuk do të heshtin por do të vazhdojnë kultivimin e gazetarisë hulumtuese.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, Arben Ahmeti tha se gjatë bisedave që ai kishte zhvilluar me zyrtarë të qeverisë dhe kuvendit i ishte premtuar se nuk do të kaloj versioni i neneve që cungon lirinë e shprehjes.

Por, me miratimin e tyre ai tha se mediat dhe gazetarët ndihen të tradhtuar.

E kanë të kotë nëse çdo ditë na kërcënojnë dhe frikësojnë me kode e me nene që mund të na dërgojnë edhe në burg. Gazetarët e mirë të këtij vendi, njerëzit të cilët ia kushtojnë jetën lirisë së shprehjes dhe shtypit, nuk do të heshtin. Deri sot e kam përdorur fjalën na kanë gënjyer, kam përdorur diplomaci, sot po e them drejtpërdrejtë, ata na kanë rrejt”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, gazetari dhe publicisti Halil Matoshi thotë se gazetaria hulumtuese në Kosovë edhe ashtu ka qenë e brishtë.

Me këto dy nene, vijon Matoshi, autoritetet i kanë përcaktuar kufijtë se deri ku mund të shkohet me shkrime dhe kur gazetarët duhet të ndalen, sepse mund t’i pret ndëshkimi.

Pushteti ose klasa politike po mëton që t’i legalizojë edhe ashtu veprimet në kontinuitet që i ka bërë abuzive dhe ka vendosur një pushtet të frikës. Ky nuk është një Kod Penal me këto dy nene që shkon kundër demokracisë, fjalës së lirë, medias, shtypit të lirë, por objektivisht kundër secilit qytetar të Kosovës që ka diç për të thënë dhe praktikisht me këtë i mbyllet goja”, është shprehur Matoshi.

Gazetarja Jeta Xhara, nga BIRN-i, trajton kryesisht tema hulumtuese në kuadër të emisionit, gazetës dhe portalit Jeta në Kosovë dhe atij Drejtësia në Kosovë.

Ajo thotë se pushteti më këto ndryshime në Kodin Penal po përpiqet që t’i kërcënoj gazetarët me burg në mënyrë që të pengoj trajtimin e temave hulumtuese në gazetari.

Nenet e tilla ia mundësojnë një politikani që nuk i pëlqejnë këto raporte, të kërkojë të na fus në burg, vetëm pse në këto nene nuk është e definuar qartë se çka është vepër penale. Ai politikan mund të thotë nesër keni bërë vepër penale edhe mund të na fus në burg neve gazetarëve, vetëm pse bëjmë gazetari hulumtuese e cila merret me fondet publike se si harxhohen dhe me korrupsionin”, ka thënë Xhara.

Me qëndrimet e gazetarëve nuk pajtohet kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Ai tha të hënën, gjatë një ligjerate në Kolegjin Unversum, se "gazetaria në Kosovë është përplot shpifje" dhe kodi i ri penal, sipas tij, ka të bëjë kryesisht me penalizmin e shpifjes dhe jo të medieve dhe gazetarëve.

Kodi Penal nuk është kundër gazetarëve, gazetave, kryeredaktorëve e editorëve. Realisht kemi të bëjmë në shoqërinë tonë me një fenomen që duhet të gjithë ta kuptojmë, shpifja duhet të jetë e dënueshme. Ekzistojnë shpifje marramendëse në gazetarinë tonë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas ndryshimeve në Kodin Penal, neni 37, definon përgjegjësinë penale për vepra penale me anë të mediave.

Sipas gazetarëve, nenet e reja nuk e specifikojnë se cilat janë veprat penale që kryhen me anë të medieve dhe kjo u lë mundësinë gjykatësve, prokurorëve që ta interpretojnë kodin sipas vullnetit të tyre.

Kurse neni 38, i cili rregullon mbrojtjen e burimeve, parasheh që gazetarët do të duhet ta zbulojnë burimin e tyre për të parandaluar ndonjë sulm që përbën kërcënim të pashmangshëm për jetën, me çka edhe gazetarët janë pajtuar, por jo edhe me pjesën e dytë kur kërkohet zbulimi i burimi për rastet e siç thuhet kërcënimit ndaj integritetit trupor të ndonjë personi.

Rrezikimi i “integritetit trupor”, sipas gazetarëve, është term i gjerë, i padefinuar dhe si i tillë mund të keqpërdoret.

Sidoqoftë, gazetarët të hënën kanë kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga që ta kthejë këtë kod prapa në rishqyrtim dhe të mos e nënshkruajë, në mënyrë që ai edhe pas miratimit në Kuvend të mos fuqizohet.

Ditëve në vijim mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i presidentes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG